Përplasja e dy varkave turistike në liqenin e Komanit e ka kthyer në një moment paniku udhëtimin e pushuesve drejt Lumit të Shalës. Incidenti ndodhi këtë të mërkurë rreth orës 15:15, ndërsa dy mjetet lundruese po transportonin pushues vendas e të huaj.
Pas përplasjes, pasagjerët u nxorën në breg me mjete të tjera lundruese. Pesë mbetën të plagosur lehtë, ndërsa pushuesit e tjerë nuk pësuan lëndime.
Njëri prej tyre ka marrë dëmtime të lehta në kraharor, ndërsa dy gra kanë pësuar dëmtime në këmbë dhe në krah. Një prej pasagjerëve është turist i huaj, ndërsa 4 të tjerët që mbetën të lënduar, janë nga Lezha.
Në Koman mbërriti një helikopter i Shëndetësisë dhe një helikopter ushtarak, të cilët transportuan katër prej të dëmtuarve drejt Spitalit të Shkodrës. Një tjetër i plagosur, në gjendje më të mirë, u transportua me autoambulancë.
Shkaku kryesor dyshohet të këtë qenë shpejtësia e lartë, megjithatë do të jenë autoritetet përkatëse që do të zbardhin rrethanat e përplasjes dhe shkaku që solli incidentin në liqenin e Komanit.
Njoftimi i Policisë:
“Koman, Vau i Dejës/Informacion paraprak
Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime.
Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.
Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
Pak ditë më parë, në një tjetër incident ujor në Porto Palermo, por në rrethana krejt të ndryshme, 4 persona u plagosën duke pësuar djegie të niveleve të ndryshme në trup, pas shpërthimit në motorin e një skafi.
Përplasja e 2 varkave në Liqenin e Komanit, momenti kur 5 turistët e plagosur mbërrijnë në Spitalin e Shkodrës (VIDEO)
Report Tv ka siguruar pamje kur 5 turistët e plagosur në incidentin e ndodhur në liqenin e Komanit, kanë mbërritur në spitalin e Shkodrës.
Ata mbetën të plagosur gjatë përplasjes së 2 varkave turistike me të cilat po udhëtonin.Turistët u nxorën menjëherë nga uji me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese dhe 4 prej tyre u transportuan në Spitalin e Shkodrës me 2 helikopterë dhe 1 tjetër me një autoambulancë.




