Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Kuçovës, pasi një ditë më parë u qëllua me armë zjarri drejt një makine të parkuar.
Blutë bëjnë me dije se në banesën e Ardian Xhakos gjetën një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Arlien Çepele alias Arlind Gjoligaj u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Ndërsa në gjendje të lirë do të hetohet një 65 vjeçar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:
– A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
– A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Read more:Qëlloi me armë drejt makinës së parkuar, në kërkim 32-vjeçari në Kuçovë
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
lajm ne perditesim…




