Banorët e Divjakës kanë zbritur sërish në shesh, duke shënuar ditën e 32-të të protestës kundër projektit të reformës administrative-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste. Qytetarët po kundërshtojnë me forcë planin për shkrirjen e Bashkisë Divjakë me atë të Lushnjës, një lëvizje që sipas tyre i bën të humbasin jo vetëm institucionin vendor, por edhe vetë identitetin e zonës.
Sipas banorëve që kanë marrë fjalën gjatë tubimit, qëndresa e tyre më shumë se njëmujore po injorohet tërësisht nga drejtuesit vendorë dhe ata qendrorë. Ata denoncojnë se në vend të një dialogu të drejtpërdrejtë apo dëgjese publike, përgjigjja e vetme që marrin nga zyrtarët është përmes statuseve në Facebook.
Pavarësisht se mbrëmjen e sotme nuk ka pasur shkëputje të energjisë elektrike, qytetarët shprehen se presioni ndaj tyre për të mos marrë pjesë në protestë është mjaft i madh. Megjithatë, ata konfirmojnë se vendosmëria e tyre mbetet e palëkundur për të mbrojtur autonominë e qytetit.
Edhe mbrëmja e 32-të e protestës është përmbyllur me një marshim masiv në rrugët kryesore të Divjakës.
Read more:VIDEO/ Protesta e 22-të në Divjakë, qytetarët kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën: Mazniku non grata
Përgjatë gjithë itinerarit nuk kanë munguar thirrjet e forta kundër qeverisë dhe vendimit për shkrirjen e bashkisë, ndërsa banorët paralajmëruan se qëndresa popullore do të vijojë pa ndërprerje deri në anulimin e plotë të këtij projekti.




