Pas rreth dy orësh i bllokuar në zyrë pasi protestuesit bllokuan hyrjet e Kryeministrisë, Edi Rama është larguar nga godina nën masa të rrepta sigurie.
Ka qenë momenti kur protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, që është shfrytëzuar për largimin e kreut të qeverisë nga zyra.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbolet e “Revolucionit Flamingo”, qytetarët kanë qëndruar përballë godinës që nga ora 20:00, ndërsa thirrjet kundër qeverisë kanë vijuar gjatë gjithë mbrëmjes.
“Këtu vendosim ne!”, “Rama ik!” dhe “Rama diktator!” kanë qenë disa prej thirrjeve të protestuesve.
Në terren janë angazhuar forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe FNSH-së, të cilat kanë krijuar një kordon sigurie rreth godinës. Situata është tensionuar në disa momente, ndërsa efektivët kanë tentuar të largojnë protestuesit nga hyrjet e Kryeministrisë.
Në këto kushte, lëvizja e kryeministrit nga godina është shoqëruar me masa të rrepta sigurie. Pamjet e siguruara nga protesta tregojnë momentin kur eskorta e Ramës largohet nga zona, ndërsa prania e madhe e forcave të sigurisë siguron kalimin.




