Gjykata e Fierit caktoi arrest me burg për 52-vjeçarin, Bledar Bakaj, dajën e deputetes Zeqine Caushi, i cili më 13 shtator dyshohet se goditi me drapër në këmbë babanë 67-vjeçar të ish-bashkëjetueses, në banesën e tyre.
Gjykatësja Bora Shaholli e la në burg, ndërsa Bledar Bakaj mohoi pretendimet për abuzim seksual ndaj 34-vjecares me të cilin kishte bashkëjetuar. Denoncimet ajo i bëri pasi u kthye në banesën e prindërve pas më shumë se 1 muaji bashkëjetesë me 52-vjecarin.
Mbrëmjen e së dielës ai shkoi në banesën e ish-bashkëjetueses duke thyer urdhrin e mbrojtjes që ajo kishte fituar pasi e kishte denoncuar 52-vjecarin për dhunë.
Read more:BIRN: Institucionet e drejtësisë kundërshtojnë projektligjin për pagat e magjistratëve
Bledar Bakaj po hetohet për veprat” Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Për ngjarjen, reagoi edhe deputetja socialiste Zeqine Caushi e cila tha se ka pasur një takim rastësor me vajzën në qershor, dhe në atë kohë i ka uruar për jetën e nisur bashkë. Ajo sqaroi se nuk ka pasur dijeni të mëtejshme për marrëdhënien e tyre, duke theksuar se organet ligj zbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




