Në vijim të deklaratave të tij tronditëse mbi korrupsionin administrativ dhe kapjen e shtetit, gazetari Almer Toska ka denoncuar raste konkrete të pasurimit të shpejtë të ish-zyrtarëve të lartë të administratës tatimore në vend.
Gjatë fjalës së tij në News24, Toska u ndal te funksionimi i skemës së zhvatjes ndaj bizneseve private dhe mënyrës se si zyrtarë me qëndrim të shkurtër në detyrë arrijnë të vënë pasuri marramendëse brenda pak muajsh.
“Një ish-drejtues i Hetimit Tatimor, për një vit e pak në detyrë, ka ndërtuar kompleks turistik në Borsh. Bëhet fjalë për Aldo Çelajn, një ushtar i Ceno Klosit. Për vetëm një vit e pak! Ai që tarifat nga 2 mijë euro deri në 10 mijë euro i kishte si kafe.”
Më tej, gazetari theksoi se kjo skemë korruptive ishte një sekret i hapur për komunitetin e sipërmarrësve dhe qytetarëve, të cilët përballeshin çdo ditë me presionin e kontrolleve tatimore.
“Qytetarët e dinë mirë se sa paguajnë, e dinë biznesmenët lart e poshtë se çfarë u duhej të jepnin vetëm për të marrë një leje apo një certifikim të thjeshtë,” përfundoi gazetari Almer Toska.




