
Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë muajit prill të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin plotësisht ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, për shkak të rrezikut të lartë të përhapjes së tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, edhe pse vendi ndodhet në stinën e pranverës, kushtet e thata dhe erërat e fuqishme krijojnë rrethana të favorshme për përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke rrezikuar mjedisin, pronën dhe sigurinë publike.
Për të parandaluar dëmet materiale dhe rrezikimin e jetëve, autoritetet komunale kanë kërkuar nga qytetarët që të mos djegin barishte, mbeturina apo degë të thata në toka bujqësore, si dhe të mos ndezin zjarr për piknik apo aktivitete të tjera në ambiente të hapura pa leje paraprake.
Gjithashtu, qytetarët janë ftuar që të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri apo situatë të dyshimtë në numrat emergjentë përkatës, përfshirë zjarrfikësit, qendrën emergjente, policinë dhe ndihmën e shpejtë.
Komuna ka theksuar se zjarret përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe mjedisin, ndërsa kujdesi dhe përgjegjësia qytetare mbeten thelbësore për ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme.
Po ashtu, është rikujtuar se zjarrvëniet e qëllimshme janë të ndaluara me ligj dhe ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/


