Transmetimi live i seancave gjyqësore dhe nxjerrja nga kafazi i qelqtë gjatë seancave gjyqësore duket se ka bërë “bashkë” në një front Ilir Metën dhe Erion Veliajn, por edhe Ilir Beqajn. Vetëm ndaj këtij të fundit, Gjykata e Posaçme duket se zbatoi si duhet ligjin duke i pranuar kërkesën për nxjerrjen nga kafazi, ndërsa për kryebashkiakun e Tiranës dhe ish-presidentin nuk ka marrë ende një vendiim.
I ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, avokati Edmond Petraj tha se bjerrja fizike e kreut të Partisë së Lirisë tregon se edhe sistemi penitenciar në Shqipëri kërkon një reformim themelor.
“Ajo që shikoj është që të paktën nga kjo përgjigje që dha zoti Meta, që normalisht kush ka dy fije shpirt, pavarësisht profesionit dhe të tjerave, pavarësisht se kush është zoti Meta dhe çfarë ka bërë, pavarësisht se të thotë që jam mirë, atij i kishte dalë kokrra e syrit si asnjëherë më parë. Shpërfytyrimi si asnjëherë më parë. Përsa i përket asaj gjendjeje.
Sistemi penitenciar do të reformim të jashtëzakonshëm, do rregulluar njëherë e mirë forma si mbahen të paraburgosurit dhe të burgosurit, të ketë shkolla dhe ndërmarrje brenda institucioneve dhe të futet një program i ri brenda sistemit të burgjeve. Nuk mund të krijohet kjo lloj formë që edhe për të dhomën të gjitha pajisjet i marrin vetë. Frigorifer, freskuese. Janë 4 veta në një”, – tha Petraj.
Avokati Përparim Caca thotë se futja në kafaz e të pandehurve është një dukuri që ndodh prej shumë vitesh në sallat e gjyqeve, pavarësisht se togat e zeza kanë diskrecionin ta shmangin diçka të tillë.
“Fakti që kemi të bëjmë me këto personazhe ngre debat, po njerëzit e thjeshtë gjykohen në kafaz. Kur bëjnë masat e sigurimit, vijnë 10-15 dhe fusin të gjithë në atë kafaz, është poshtërues kafazi, jo vetëm në kuptim të të drejtave dhe lirive që personi ka, por edhe për procesin.
Nuk është në Kodin e Procedurës Penale. Ka të bëjë me rregullat e sigurisë në një gjykatë. Në rastin konkret është tërësisht poshtërues. Kafazi mund të ekzistojë për raste të veçanta, për kriminelë që mund të jenë shumë agresivë”, – tha Caca.
Edhe Arben Meçe thotë se poshtërimi i të pandehurve duke i futur në kabinën e qelqtë si në rastin e Metës, Veliajt dhe Beqajt, se sistemi gjyqësor në vend është kthyer në një normalitet që godet më së shumti qytetarin e thjeshtë.
“Ky është fenomen gjithëpërfshirës në Shqipëri, ne u shqetësuam shumë për Ilir Metën, ne pamë reagimin e popullit dhe të turmës, reagimet ishin kundër Metës. Jemi në një konflikt mes psikologjisë së turmës dhe asaj që kemi ngritur këtu dhe çfarë kemi ngritur këtu, standard, standard, standard”, – tha Meçe.



