
Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës (FAMMK) ka shënuar debutim historik në arenën ndërkombëtare, duke fituar tri medalje në Kampionatin Evropian të MMA-së, i organizuar nga “Global Association of Mixed Martial Arts” në Loutraki të Greqisë.
Suksesin më të madh e arriti garuesi Ermal Berisha, i cili fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë -70 kg. Berisha pati një paraqitje shumë të mirë deri në finale, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme, por për shkak të një prerjeje serioze në vetull, stafi mjekësor nuk e lejoi të vazhdonte garimin në finalen e madhe.
Medalje për Kosovën siguroi edhe Ylli Rexhaj, i cili u stolis me bronzin në kategorinë -80 kg, duke kompletuar një tjetër paraqitje të suksesshme të ekipit kosovar.

Ndërkohë, në kategoritë e të rinjve, Muhamed Kashtanjeva fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -58 kg, duke e rritur bilancin e Kosovës në tri medalje në debutimin e saj në këtë garë.
Read more:Armenia drejt njohjes? Kurti dhe Pashinyan flasin për tregti, investime dhe shkëmbime kulturore
Me këtë paraqitje, FAMMK konfirmon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e MMA-së në vend dhe nis një kapitull të ri me rezultate konkrete në garat evropiane. /Telegrafi/





