TIRANË– 8 maji shënoi protestën më të vakët dhe me pjesëmarrjen më të ulët të tetë tubimeve të thirrura nga Sali Berisha. ‘Kilometrit të fundit’ duket se nuk po i bashkohen më as militantët e tij, të cilët sa vijnë e rrudhen nga protesta në protestë. Në 2 orë tubim, munguan fjalimet politike dhe të vetmet mesazhe u përcollën nga një aktivist i PD-së përmes një megafoni.
“Parlamenti është kthyer në noter të Ramës, mbron Ballukun e Karçanajn”
“Edi Rama nuk e do integrimin. E bllokoi me Ballukun, i dha drejtësisë 83 shuplaka”, thuhej në mesazhet përmes megafonit.
Pjesëmarrja e ulët nuk ishte i vetmi dështim. Demokratët nuk e vunë në jetë as planin e tyre për të marshuar rrugëve të kryeqytetit. Me një tjetër strategji të mirëmenduar, kryepolici Skënder Hita frenoi militantët dhe kordoni i policisë i rrethoi brenda bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku kupola drejtuese e PD-së kishte marrë leje për të zhvilluar protestën.
Protesta nisi me 40 minuta vonesë. Sali Berisha marshoi nga selia drejt bulevardit i shoqëruar nga një grusht militantësh dhe funksionarët demokratë. Për herë të parë, pas tij mungoi “grupi i zjarrit” që fshihej pas pankartave dhe qëllonte me molotovë drejt kryeministrisë sapo Berisha i jepte sinjalin. Një tërheqje kjo pas strategjisë së re të Skënder Hitës që në protestën e 18 prillit goditi në ‘zemër’ grupin e zjarrit dhe i arrestoi në flagrancë.
Para Kryeministrisë, militantët ishin orientuar të qëndronin të qetë dhe u larguan pas 1 ore pa asnjë akt dhune e molotovë në drejtim të godinës qeveritare.
Më pas, demokratët u urdhëruan të marshojnë në drejtim të bllokut të ministrive. Por qëllimin e tyre për të arritur tek Ministria e Brendshme nuk e realizuan për shkak të reagimit të menjëhershme të policisë, e cila i zuri në pritë. Efektivët nisën shpërndarjen e tyre me ujë dhe gaz lotsjellës, pasi kryepolici Hita ua kishte bërë të qartë që leja për zhvillimin e protestës është vetëm në Bulevard dhe në të kundërt do të reagojnë.
Kundërpërgjigjja e protestuesve ishte e menjëhershme, duke hedhur molotovë në drejtim të kordonit të policisë.
Lajmi në përditësim…
Protesta e dhunshme e Berishës, shoqërohen në Polici 3 militantë
Tre persona janë shoqëruar në Polici gjatë protestës së mbrëmjes së sotme, të organizuar nga Partia Demokratike.
Gjatë protestës së sotme të PD-së, u shënuan disa akte dhune, që nga sulmet me gurë drejt efektivëve, e deri te hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të Policisë.
Policia u bllokoi marshimin drejt ministrive, Berisha: Krim i shëmtuar, do të përgatitemi për të gjithë format (VIDEO)
Sali Berisha e quajti krim të shëmtuar strategjinë e Policisë së Shtetit për të mos i lejuar militantët të marshojnë drejt bllokut të ministrive.
“Ishim në marshim paqësore, u bllokua rruga, këta do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer krim të shëmtuar, ne po bënim marshimin tonë, marshim paqësor. Por Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit. Ne po marshonim dhe bllokuan bulevardin. Do të përgatitemi për të gjithë format dhe u garantoj se betejën e kanë të humbur”, tha Berisha.
I maskuar dhe me molotov në dorë në protestën e PD, militanti i Berishës gati për akt dhune, por… nuk i ndizet (VIDEO)
Një protestues i maskuar dhe me molotovë në dorë është filmuar gjatë protestës së PD-së. Por nga pamjet duket se militanti ka tentuar disa herë ta ndezë molotovin, por ka dështuar.
Gjatë protestës së sotme, janë shënuar një sërë aktesh dhune, ku nuk kanë munguar as hedhja e molotovëve në drejtim të efektivëve të Policisë.
Hidhen molotovë drejt policisë, militantët e PD zbrapsen me ujë (VIDEO)
Militantët e PD vijojnë të hedhin molotovë te efektivët e policisë e te autoboti me ujë në pamundësi për të çarë kordonin e për të vijuar me marshimin. Policia i ka larguar nga rrethimi i policisë me hedhjen e ujit.
Demokratët dështojnë të depërtojnë kordonin e policisë, militantët hedhin fishekzjarrë (VIDEO)
Deputetët e PD e militantët nuk kanë arritur që të depërtojnë kordonin e policisë edhe pas disa tentativave shtyrjeje. Ata kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u është kundërpërgjigjur me hedhjen e ujit.
Protesta e PD/ Noka, Nallbati e militantë të Berishës përplasje fizike me policët! Shpërndahen nga uji me presion (VIDEO)
Deputeti Bledion Nallbati, Flamur Noka e militantë të Berishës janë përplasur fizikisht me kordonin e policisë që po bllokon zhvendosjen e protestës jashtë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Demokratët kërkojnë që t’iu hapet rruga për të vijuar me marshimin. Policia u është kundërpërgjigjur me hedhje të ujit.
Militanti ‘provokon’ me vuvuzelë efektivët në protestën e PD, asnjë reagim nga Policia (VIDEO)
Një militant i Partisë Demokratike ka shkuar pranë kordonit të Policisë te Ministria e Brendshme, duke i fryrë një vuvuzele.
Por pavarësisht përpjekjeve për të marrë një reagim nga efektivët e Policisë, kjo gjë nuk ka ndodhur.
Policia nuk lejon zhvendosjen e protestës jashtë bulevardi, revoltohet Bardhi: Nga kush i merrni urdhrat? Shkoni arrestoni Ramën e Ballukun
Deputeti i PD Gazment Bardhi si dhe Flamur Noka, janë konfrontuar me efektivët e policisë që kanë formuar kordonin pranë bllokut të ministrive duke ndaluar zhvendosjen e protestës jashtë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.
Reagimin e policisë me gaz lotsjellës e ujë drejt militantëve, Bardhi e ka konsideruar si provokim. Ndërkohë militantët në drejtim të policisë kanë hedhur moloovë, madje fare pranë tyre.
“Marshim proteste paqësore. Ne cilin vend të botës ndalohet protesta. Nga kush i merrni urdhrat? Pse provokoni? Zbatoni urdhra të paligjshëm. Shkoni arrestoni Belinda Ballukun e Edi Ramën”, iu drejtua Bardhi efektivëve të policisë.
Mes badyguardëve dhe militantëve, Sali Berisha shfaqet me maskë kundra-gaz në protestë (VIDEO)
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me maskë kundërgaz, para ambienteve të Ministrisë së Brendshme, ku është zhvendosur protesta.
Berisha shoqërohet nga badyguardët e tij, nga eksponentë të lartë të PD-së dhe nga një grup militantësh.
Pak minuta më parë, në protestë pati hedhje molotovi nga ana e militantëve të PD-së. Policia iu përgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Akte dhune nga militantët e PD, molotovët hidhen në këmbët e policisë (VIDEO)
Militantët e PD kanë hedhur molotovë në drejt kordonit të policisë duke i rrezikuar seriozisht. Nga pamjet që sjell Report Tv shihet sesi efektivët e shtyjnë molotovin drejt hapësirës boshe në bulevard, por molotovi plas në këmbët e tyre.
Read more:Jakin Marena: Berisha, kreu i PD pa rival dhe ‘testamenti’ për familjen biologjike!
Nis dhuna në protestën e PD/ Hidhen molotovë afër ministrisë së Brendshme! Policia i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)
Militantët e Berishës kanë hedhur molotovët e parë pranë ministrisë së Brendshme. Policia u është përgjigjur me hedhjen e ujit dhe të gazit lotsjellës sapo i janë afruar kordonit të policisë, me qëllim për të mos i lejuar për të kaluar.
Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita në një deklaratë e bëri të qartë që PD ka leje për të zhvilluar protestën vetëm në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe se në rast të shkeljes, do të ketë reagim nga policia.
VIDEOLAJM/ Berisha në celular gjatë protestës, momenti kur përpiqet të lexojë mesazhin
Kryetari i PD Sali Berisha është parë në pjesën më të madhe të protestës i fokusuar në telefonin e tij duke u munduar të lexojë mesazhet.
Reshjet e shiut janë intensifikuar e pjesëmarrja është më e ulët se në gjithë protestat e mëparshme. Përveç burive, në sfond dëgjohet vetëm megafoni duke bërë thirrje kundër Ramës.
Protesta e Berishës, Policia nuk lejon zhvillimin jashtë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, krijon kordon pranë bllokut të ministrive (VIDEO)
Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Policia e Shtetit nuk po lejon zhvendosjen e protestës së Sali Berishës jashtë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku dhe ishte thirrur nga Partia Demokratike.
Për të frenuar avancimin e protestuesve drejt bllokut të ministrive, blutë kanë krijuar një kordon të gjatë.
Read more:Vijojnë ndryshimet në Policinë e Shtetit, Florjan Rrasa emërohet drejtor i Krimit Ekonomik
1 orë vetëm thirrje kundër Ramës me megafon/ Nis marshimi, Berisha udhëheq militantët drejt ministrisë së Brendshme (VIDEO)
Pas një ore dëgjesë në bulevard me thirrje kundër Ramës me megafon, tashmë PD me në krye Berishën ka filluar marshimin. Destinacioni është Ministria e Brendshme. Theksojmë se pjesëmarrja është tepër e ulët.
Paralelisht me protestuesit, janë vënë në lëvizje dhe efektivët e policisë në gatishmëri për çdo akt dhune.
Jo vetëm në shesh, militantët e braktisin Berishën edhe online! Vetëm 360 ndjekës live në Facebook

Militantët e kanë braktisur sot masivisht Sali Berishën në protestë. Në shesh shkuan vetëm një grusht prej tyre. Edhe pse nuk iu bashkuan para Kryeministrisë, militantët nuk preferuan ta ndjekin kreun e PD as në rrjetet sociale. Vetëm 360 ndjekës po e ndiqnin protestën live në Facebook-un e kryedemokratit.
Protesta e PD/ Mbahet 1 minutë heshtje për 2 të miturit që humbën jetën tragjikisht në Durrës (VIDEO)
Në protestën e PD është mbajtur 1 minutë heshtje për ngjarjen tragjike të ndodhur në Durrës më 3 maj ku dy të mitur të moshës 12 dhe 10 vjeç, humbën jetën pasi u përplasën me automjet nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.
Nis protesta e PD, Berisha niset nga selia blu drejt kryeministrisë (VIDEO)
Kreu i PD Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe është drejtuar tashmë drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’iu bashkuar pjesës tjetër të militantëve. Me daljen e Berishës, protesta konsiderohet zyrtarisht e hapur.
Protesta e PD/ Kryepolici Hita në terren, porosi efektivëve të ruajnë qetësinë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka inspektuar masat e marra për mbarëvajtjen e tubimit. Gjatë inspektimit, ai i ka kërkuar grupit të menaxhimit të shërbimeve policore të angazhuara me shërbim, të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë profesionalizëm në garantimin e rendit dhe sigurisë.




