Tenistë të rinj nga e gjithë bota ishin së fundi në Tiranë ku morën pjesë në turneun ITF, për të testuar aftësitë e tyre në një kampionat që vlen shumë për të fituar eksperiencë, por edhe për pikë ndërkombëtare.
Për Shqipërinë garoi 14-vjeçari Yuri Colturi, i vëllai i skiatores Lara Colturi, që hapat më të rëndësishëm në këtë sport po i hedh me ngjyrat kuqezi. Për Report TV ai u shpreh se falë Shqipërisë ka mundësi të garojë në evente të tilla prestigjioze.
“Federata shqiptare më ka ndihmuar shumë për të marrë pjesë në këtë turne ndërkombëtar këtu në Tiranë. Të jesh në të tilla kampionate për të rinj të ndihmon të fitosh eksperiencë. Është nivel i lartë dhe këtë e tregon edhe fakti që shumë tenist të rinj nga e gjithë bota kanë ardhur për të garuar. Më pëlqen që shumë njerëz erdhën për ta ndjekur,”-u shpreh Yuri Colturi.
Read more:Sinner i jashtëzakonshëm, në finalen e Madridit kalon legjendat e botës së Tenisit
ITF është një garë ndërkombëtare për të rinjtë në tenis. Përvec përvojës, pikët e fituara në këtë garë, vlejnë edhe për kualifikimin në kampionate evropiane dhe botërore.
Përveç tenisit, Yuri Colturi është kampion i shumë garave për të rinj edhe në sportin e skive ku shpesh demonstron një pasion të veçantë. Megjithatë për momentin primar mbetet tenisi dhe ashtu si motra e tij Lara kanë zgjedhur Shqipërinë për të bërë hapa të rëndësishëm në këtë sport.
Read more:Zara Larsson pëson incident me takën gjatë performancës live, por vazhdon spektaklin pa u ndalur
Ai nuk e ka fshehur asnjëherë që idhulli i madh është Yannik Sinner, tenisti numër 1 në botë për momentin. Ashtu si Yuri Colturi, edhe italiani Sinner, hapat e parë në sport i ka hedhur me skitë, ndërsa më pas u shndërrua në një nga sportistët më të mëdhenj në botë edhe pse ende është në moshë shumë të re.




