Dikur me sytë drejt një jetë më të mirë dhe me mendimin veç të largoheshin, sot banorët e Arrnit në Kukës kanë kthyer vëmendjen serish nga vendlindja.
Disa nga familjet e larguara kanë filluar të rikthehen. Ka prej atyre që kanë investuar në rikonstruksionin e banesave që vite më parë i kishin braktisur.
“Njerëzit janë kthyer nëpër shtëpi. Duket sikur kanë zhvillim”, thotë Fadil Marku, kryeplaku i fshatit.
Disa nga banorët e dikurshëm të Arrnit në Kukës po e shikojnë si një mundësi të mirë dhe operimin në fushën e turizmit, nisur dhe nga të huajt që e vizitojnë zonën.
“Arrni është perlë, pavarësisht se nuk e ka vënë dorën kush. Është vend shumë i mirë, mund të zhvillohet turizmi normalisht”, shtoi Marku.
Për banorët e Arrnit domosdoshmëri mbetet ndërhyrja në infrastrukturë si e vetmja mundësi që potenciali natyror i zonës, por dhe investimet e banorëve që kanë filluar të mendojnë rikthimin të bëhen më të lehta.
Read more:Protestat, Kisha Katolike: Politika të dëgjojë pakënaqësitë e qytetarëve
“Këtu jetohet, por gjithmonë duke pasur në krah shtetin me infrastrukturë, energji, ujë”, thotë kryeplaku.
Mes qetësisë së maleve dhe bukurive natyrore që e rrethojnë, Arrëni mbetet një ndër potencialet natyrore të veriut, por që fatkeqësisht i mbetur vite pas sa i përket infrastrukturës dhe dorës së shtetit.




