Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Politikë
  3. “Influencerat, blogerat dhe karavanët nga diaspora…”, Rama sulmon sërish protestuesit: Janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë
Politikë

“Influencerat, blogerat dhe karavanët nga diaspora…”, Rama sulmon sërish protestuesit: Janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë

• 23 Qershor, 2026 • 12 min lexim • 👁 3
◉ WhatsApp 𝕏 X
VA News
News

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot sërish protestuesit, duke i quajtur të përdorur nga interesat e personave të veçantë që interesohen që sheshi të mbushet plot prej 24 ditësh, në atë që është quajtur si lëvizja më e madhe qytetare që nga rënia e komunizmit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndan fotografinë e një protestuesi të ulur para Kryeministrisë, ndërsa përpiqet të tregohet dashamirës duke u shprehur se mund t’i kuptojë hallet që nxjerrin në shesh çdo ditë mijëra qytetarë, por se po punon për të bërë më të mirë Shqipërinë.

Kjo dashamirësi nuk vijon shumë, pasi shkrimi i Ramës përfundon me sulmin ndaj protestuesve, të cilët i quan “vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë”.

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES I DASHUR PROTESTUES
Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij.
Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar.
Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje.
Ose ndoshta ti nuk je i shqetësuar për zogjtë e as nuk e di fare ku bie tamam laguna e Nartës. Po mbase je i zemëruar ngaqë ke një hall tëndin. Hall pune me pronarin që të trajton si robot. S’të paguan orët jashtë orarit. Të jep gjysmën e rrogës në të zezë. Hall shëndeti në familje. Largqoftë me nënën e sëmurë që ka nevojë për ilaçe të shtrenjta. Hall prone me shtëpinë në periferi që ende nuk legalizohet apo me tokën në fshat që ende nuk regjistrohet…
Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj, ngaqë jam po aq i zemëruar sa ti me pronarin e pasur që kujton se pasuria i jep të drejtë të sillet si zot i fatit tënd. Me nëpunësin a drejtorin që atij i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë. Jam i zemëruar me arrogancën e kujtdo që detyrën ndaj teje e ushtron si pushtet mbi ty.
Por pikërisht sepse brenga jote më dhemb dhe arsyet e tua më gjejnë të bindur për legjitimitetin e tyre, unë nuk të shoh dot ashtu. Vetëm. Si një peshk jashtë ujit, pasi dallga e madhe që e nxorri në breg është tërhequr e tëra. Dhe ata që të thirrën për t’u bërë “deti i Shqipërisë së re”, pa pronarë arrogantë, pa nëpunës që i përulen lekut dhe përbuzin njeriun, pa halle shëndeti e pronash, pa të huaj që investojnë në tokat tona e pa investime private në brigjet tona, sot nuk janë askund.
Ata që në studiot televizive të komentuan mbrëmë me entuziazëm si njeriu i popullit, që më në fund po lan hesapet me qeverinë dhe kryeministrin e korruptuar, ndërkohë që për vete, prej vitesh të gjata paguhen më shumë nën dorë se sa mbi dorë për të shpifur dhe sharë mua me libër shtëpie, tani po flenë në shtëpitë e bollshme të blera me ulje të forta nga “oligarkët”. Mbi dyshekë të butë të blerë me “lëmoshat” e zeza mijëraeuroshe të këtyre të fundit.
Ata që ranë nga kali i pushtetit në tërë këto vite dhe nuk e panë kurrë tek vetja po tek kali arsyen e rënies, e që gjetën tek ti dritën e shpresave të humbura duke të ngritur në qiell, po pinë me shoshoqin kafet e mëngjesit të herët. Mezi presin që ti sonte të jesh më i zemëruar, më i paduruar, më i çartur në protestën tënde kundër regjimit që i la pa kalë, pa roje, pa vartës. Shkurt pa shijen e pashoqe të pushtetit që sa më i kotë të jesh aq më shumë të mungon.
Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.
Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese, mllefe politike sallahanash të pjesëve të tjera të kombit tonë. Kundër qeverisë tënde në Shqipëri, të cilën ti nuk je asfare i detyruar ta duash. Nuk je as i ndaluar ta luftosh. Por nuk ke as të drejtën të lejosh të tjerë të vendosin për të dhe të flasin në emrin tënd; djemtë e axhallarëve dhe cucat e hallave, nuk vijnë dot në shtëpinë tënde për të vendosur.
Ikën sigurisht, edhe ata që algoritmi dhe partitë e partiçkat e gurëve të hedhur e të duarve të fshehura, i mblodhën për të burgosur Ramën duke e kthyer bulevardin e kryeqytetit të Europës së Ballkanit, në një shesh mesjetar ku turmat e inkuizicionit ulërinin në kor për djegien e gjallë të shtrigave. Ikën qorrallapajt. Ikën ballibullistat. Ikën sypuliturat opozitare që të vinin rrotull duke folur me pasqyrën e tualetit digjital para fytyrës së tyre hipokrite. Ikën lëtyrat parlamentare që nxirrnin kokën pas shqiponjës mbi kurrizin tënd…
Së bashku me armatat armike të profileve fallco e të raketave digjitale, që hidhen papushim nga Lindja tutje Europës drejt sheshit televiziv të revolucionit të flamingove dhe shpërndajnë në mijëra thërrime lajkesh e follouerash fallco, çdo bombë që gjuan një gënjeshtër, lajm të rremë, video të manipuluar, ikën edhe ata që u dyndën në bulevard nga emigracioni në shtete të huaja, si shqiponja shpëtimtare të mëmëdheut të nxjerrë nga algoritmi në sheshbetejën e kundërshtisë globale, politike, ideologjike me Presidentin e Amerikës.
Ikën të tërë!
Iku madje edhe një sorrë kobzezë, që predikonte hakmarrjen ndaj amerikanëve që vranë “vëllaun tonë”, gjeneralin iranian Kasem Suleimani, kasapin e pamëshirshëm të regjimit terrorist të Teheranit.
Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit, sepse algoritmi nuk ka ndjenja, nuk njeh njerëz, nuk do ideale, nuk pyet kush ka të drejtë. Ai interesohet vetëm për çfarë prodhon më shumë kuriozitet, eksitim, zemërim dhe varësi prej tij.
Ti në fakt mbete siç ishe. Ai që ishe kur u nise drejt bulevardit për të ndryshuar botën. I vetëm përballë ditës së gjatë. Me sytë e hapur në boshin që të rrethon, pas kthimit në tokë nga nata në qiellin e iluzioneve revolucionare. Ndërsa ata që u ngjitën lart në vëmendjen e dynjasë falë teje, duke të mbushur mendjen se befas u bëre ai që nuk je, forca e një revolucioni që nuk është, për përmbysjen e realitetit dhe zëvendësimin e tij me një realitet të krijuar vetëm për të të joshur ty, gatuan pa mëshirë në tiganin e pakufishëm të algoritmit, ushqimin e tyre me mishin e me shpirtin tënd.
Dhe u zhdukën.
Ti mbete aty.
Në këtë fotografi të trishtë unë nuk shoh assesi dështimin tënd. Shoh veten time dhe vështirësitë e hallet e tua. Po, sepse luftoj përditë e zemërohem jo pak, me ata që nuk ua ndjen për ato vështirësi dhe jo nuk dinë as të t’i qajnë hallet, po më keq akoma, t’i përçmojnë si ti të ishe një koment anonim në fejsbukun e tyre, jo një rob Zoti me barrën e problemeve të tua në pragun e derës së shtetit tënd.
Por shoh tek kjo fotografi e zgjimit në sheshin e zbrazët edhe shijen e tradhëtisë së gjithkujt që të përdori mbrëmë për interesat e veta. Ji i sigurtë se sado e çuditshme të të duket, më ndodh edhe mua të kem zgjime të zbrazëta me të njëjtën shije. Po njësoj, fotografia është e imja ndërsa tradhëtia është e të tjerëve, herë një bashkëpunëtor, herë një vartës i njohur a të tjera herë vartës të panjohur të vartësve, që për interesat e tyre e përdhunojnë besimin tim në forma të ndryshme. Sillen keq me njerëzit. Përçmojnë meritën. Stimulojnë farefisin. Promovojnë tarafin. Kërkojnë lekë nën dorë. Favore. E mbi të gjitha, harrojnë që ajo karrige është nder, jo uturak. Fatmirësisht, ndryshe nga ti, dita ime vazhdon me punë të pandalur, falë energjisë së mirë të plot e plot të tjerëve, që punojnë bashkë me mua.
Pra siç e sheh, kjo e imja nuk është letra e dikujt që të qan hallin duke të parë nga lart apo nga larg. Eshtë një letër e ndjerë respekti për ty që besove, luftove dhe mbete vetëm. Po njëkohësisht është edhe një shtrirje dore nga dikush që e di ç’domethënë të ndjehesh vetëm, kur besimi që jep shpërdorohet dhe lufta që bën tradhëtohet.
E di që sot mund të më shohësh si kundërshtarin tënd. Ndoshta edhe si shkakun e zemërimit tënd. Kjo letër nuk është një përpjekje që ti të më shohësh ndryshe. As një kërkesë që ta drejtosh gjetkë shigjetën e zemërimit tënd.
Pyete vetë veten nëse armiku yt jam unë, që përpiqem papushim mes njiëmijë vështirësish që Shqipëria të bëhet çdo ditë më e mirë se një ditë më parë, apo ata që të kthyen në heroin e mbrëmjes për të të lënë në rrugë, vetëm, si shishe boshe të hedhur tutje pa kokëçarje pas një dehjeje kolektive.
Nëse përgjigja jote do të jetë akoma se armiku yt jam unë, patjetër që do ta respektoj. Sepse demokracia jeton edhe nga kjo e drejtë dhe nga respekti për këtë të drejtë. Por nëse një ditë do të kuptosh të vërtetën e thjeshtë, se halli yt nuk është asfare larg hallit tim, atëherë mos i prit aty ata që do të kthehen përsëri në mbrëmje.
Eja tek unë.
Jo të më duartrokasësh. Jo të heqësh dorë nga kritikat e tua. As të më votosh nëse nuk do të të mbushet mendja, se jo thjesht nuk jam unë e keqja e madhe që ata të kanë mbushur mendjen se jam, po unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë Shqipërisë po t’u hapet rruga.
Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje.
Eja, sepse Shqipëria nuk bëhet as me ata që brohorasin verbërisht, as me ata që zemërohen verbërisht. Shqipëria po bëhet nga çdo shqiptar e shqiptare, që në vend se të mallkojë errësirën ndez përditë qiriun e kontributit të vet, duke shtuar në çdo hap dritën e Shqipërisë Europiane dhe pakësuar errësirën e trashëguar nga kohërat e vjetra e më të reja.
Kush do që drita të shtohet më shumë dhe errësira të tretet më shpejt është i bekuar, sadoqoftë jo dakord me mua. Ndërsa ata që do të rikthehen sonte në mbrëmje për të përdorur trupin e mishin tënd, janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë.
Unë jam miku, jo armiku yt.

Lexo edhe
Politikë

“Fatin e vendit s’mund ta ketë vetëm një person në dorë”/ 25 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, Auron Tare: Rinia është rebeluar!

Politikë

Analisti i njohur në protestën kundër Ramës, shfaqet me pankartën “F*ck You! Jep dorëheqjen!”

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • “Fatin e vendit s’mund ta ketë vetëm një person në dorë”/ 25 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, Auron Tare: Rinia është rebeluar!
  • Analisti i njohur në protestën kundër Ramës, shfaqet me pankartën “F*ck You! Jep dorëheqjen!”
  • VIDEO/ “Rama, jepe dorëheqjen! Nuk ka negociata”, protestuesit marshim kilometrik në Tiranë: Nesër më shumë para Kryeministrisë!
  • LIVE-24 ditë revoltë! Marshim kilometrik në kryeqytet/ Tirana gumëzhin nga protesta, energjia e qytetarëve mbush rrugët: Rama dorëhiqu!
  • LIVE – “Rama jep dorëheqjen! Nuk ka negociata”, protestuesit vijojnë marshimin pa shenja ndalimi: Shqipëri e Re!
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Kronikë Pogradec/ 30-vjeçari plagos me thikë gruan pas një konflikti! E reja ka marrë plagë në krah dhe bark! Transportohet drejt Traumës me helikopter (EMRAT) 31 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Politikë Revoltat masive! Spartak Ngjela kundër Ramës: Rinia nuk të do, nuk ke lidhje me shqiptarët! 26 lexime · 18 orë më parë
  3. 03
    Politikë LIVE- Revolta kundër Ramës/ Paralajmëron protestuesi: Dorëheqje dhe qeveri teknike! Do të ketë përshkallëzim dhe… 25 lexime · 2 ditë më parë
  4. 04
    Politikë 23 ditë tubim kundër qeverisë/ “Vetëvendosje” i përgjigjet Ramës: Asnjë rol në protestat në Shqipëri! Gjuha e përdorur s’i bën nder askujt! Dëgjoni qytetarët e revoltuar 18 lexime · 2 ditë më parë
  5. 05
    Sociale Dita e 24-t e protestës nis me incident, tubuesja i kundërvihet Arben Kolës: Po bie protesta çdo ditë, kush je ti që na drejton? Qytetarja: Po tallen me ne! Aktivisti ‘i hesht’ me megafon (VIDEO) 17 lexime · 12 orë më parë
  6. 06
    Politikë “Kërkojmë rrëzimin e Ramës dhe një qeveri tranzitore apolitike”/ Meti dhe Bakalli: Duhen dhe 16 deputetë të PS-së kundër, që të bjerë 16 lexime · 2 ditë më parë
  7. 07
    Politikë Rama tha se nuk ka qënë luftëtar i UÇK-së – Zbulohet dokumenti: Dritan Goxhaj shërbeu si Komandant Batalioni 15 lexime · 18 orë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Politikë

“Fatin e vendit s’mund ta ketë vetëm një person në dorë”/ 25 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, Auron Tare: Rinia është rebeluar!

Studiuesi dhe historian Auron Tare, ka deklaruar se mijëra qytetarë që do të dalin sot për ditën e…

• 39 minuta më parë • 5 min lexim
Politikë

Analisti i njohur në protestën kundër Ramës, shfaqet me pankartën “F*ck You! Jep dorëheqjen!”

Analisti dhe publicisti, Fatos Lubonja i është bashkuar sot protestës së 24-t radhazi për dorëheqjen e kryeministrit Edi…

• 8 orë më parë • 1 min lexim
Politikë

VIDEO/ “Rama, jepe dorëheqjen! Nuk ka negociata”, protestuesit marshim kilometrik në Tiranë: Nesër më shumë para Kryeministrisë!

Shqiptarët për 24 ditë me radhë protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama. Protestuesit vijojnë marshimin e tyre në rrugët…

• 9 orë më parë • 1 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by