Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi transparencë të plotë për çështjen e Ilir Metws, duke deklaruar se ka përfunduar afati 2-vjeçar i kufizimit që pengonte publikimin e informacioneve mbi kontratën mes LSI-së dhe GSIS.
Blushi bëri të ditur se Meta i ka kërkuar GJKKO-së të sigurojë nga autoritetet amerikane dokumente, të dhëna bankare dhe prova që lidhen me marrëveshjen, duke argumentuar se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes. Ai theksoi se Partia e Lirisë do të kërkojë transparencë të plotë si nga autoritetet shqiptare ashtu edhe nga ato amerikane.
Reagimi i Tedi Blushit
Në emër të Partisë së Lirisë, kërkoj me forcë domosdoshmërinë e garantimit absolut të transparencës dhe të një procesi të rregullt ligjor për çështjen e Presidentit Ilir Meta nëpërmjet dhënies fund të një procesi politik të montuar qëllimisht, që në krye të herës nga Edi Rama dhe Charles McGonigal, që synon t’i pamundësojë të drejtën për të garantuar provat që e shfaqësojnë nga akuzat politike.
Siç kemi bërë me dije, më 23 qershor 2026, ka përfunduar afati i imponuar nga një gjykatë e paspecifikuar në SHBA, që ka urdhër kompaninë GSIS që për dy vjet të mos i japë asnjë informacion LSI-së lidhur me shërbimet dhe pagesat e bëra midis dy palëve sipas kontratës së 3 shkurt 2016, të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri, në respekt të plotë të ligjeve antikorrupsion të të dy vendeve.
Ky vendim, që ka ardhur si pasojë e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, e theksoj ka shërbyer vetëm për një qëllim, t’i pamundësojë Z. Meta të garantojë provat që e shfajësojnë nga akuzat, si dhe që ai të ketë mundësi kontrolli të ligjshmërisë së provave të pretenduara nga akuza.
Duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje Meta–GSIS, por LSI–GSIS, është përgjegjësi e jona, PL (LSI), të insistojmë me vendosmëri jo vetëm pranë autoriteteve shqiptare por edhe atyre amerikane që të mos manipulohen në zbardhjen e kësaj çështjeje vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit.
Tani po publikoj të plotë kërkesën zyrtare dhe urgjente që Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i dorëzoi dje gjykatës në lidhje me zbardhjen përfundimtare të kontratës mes GSIS dhe LSI dhe pyetjeve që nëpërmjet letërporosive i duhet t’u drejtojë autoriteteve amerikane.
3). Në lidhje me korrespondencën e autoriteteve shqiptare të Drejtesisë, me Departamentin e Drejtësisë të SHBA (për ndihmë juridike lidhur me marrjen e informacioneve /akteve/të dhënave nga GSIS); Meqenëse më datë 23 qershor 2026 është plotësuar afati 2-vjeçar i kufizimit (të caktuar nga një gjykatë e SHBA) dhe referuar e-mail, datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA:
3/1). Kërkoj nga Gjykata të merret nga Ministria jonë e Drejtësisë, kërkesa “për ndihmë juridike”, që Prokuroria ka depozituar në këtë Ministri për këtë kërkesë të posaçme.
3/2). Kërkoj të merren në Ministrinë tonë të Drejtësisë kërkesat nr. 122/2022 dhe 3285/Prot./AH, që Ministria jonë e Drejtësisë i ka dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
3/3). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave dhe akteve bankare të çdo lloji, që kanë lidhje me ekzekutimin e çdo lloj marrëveshje që Partia “Lëvizja Socialiste për Integrim e Shqipërisë” (shkurtimisht pasqyrohet, në vijim partia “LSI”) ka krijuar, ndryshuar/modifikuar, me personin juridik privat “Global Security and Innovative Strategies, LLC” (shkurtimisht pasqyrohet në vijim “GSIS”).
Read more:Një vendim më i dobishëm sesa i rrezikshëm – Ide
3/4). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave/informacionit, përgjigjen e Grupit McKeon.
3/5). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA sa vijon:
i). Paraqitjen e vendimit gjyqësor datë 23/6/2024 të Gjykatës përkatëse të SHBA, që ka vendosur “…ekzekutimi i kërkesës të palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme për publikun për dy vjet…” (shih e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA).
ii). Paraqitjen e kërkesës të çdo lloj pale të interesuar “për konfidencialitet”, drejtuar po asaj gjykate në SHBA (e cila disponoi me vendimin e saj datë 23/6/2024).
iii). Parantezë! Sipas e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA dhe sipas këtij vendimi gjyqësor parashikohej, që ekzekutimi i kërkesës të palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme vetëm për publikun; Por më dt. 15/7/2024 e vijim (që ka ardhur ky e-mail, në Ministrinë tonë të Drejtësisë), unë nuk isha “palë publike”, por isha person i dyshuar/person nën hetim/palë e interesuar. Prokurori nuk ka pretenduar se aktet e GSIS dhe të Grupit McKeon janë akte sekrete, si dhe nuk ka pretenduar ekzistencen e ndalimeve përkatëse, sipas nenit 511 të Kodit të Procedurës Penale.
Provohet deri tani se, Prokurori dhe Ministria jonë e Drejtësisë, nuk i kanë dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA sqarime shtesë, në lidhje me pozitën time procedurale penale më datë 15/7/2024 e vijim; nuk i kanë kërkuar sqarime Departamentit të Drejtësisë të SHBA nëse shprehja (në e-mail datë 15/7/2024) “të tjerëve”, a e përfshinte edhe pozitën time procedurale penale (si person nën hetim), për t’u kufizuar unë, me njohjen e akteve përkatëse? (Shih nenin 511 të Kodit të Procedurës Penale); Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cënuar lirinë time personale.
Pra në mungesë të këtij informacioni/faktesh/të dhënash/
provash nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA pretendoj se mungonte një bazë e plotë faktike, prej datës 15/7/2024 (që erdhi ky e-mail) e vijim për aplikimin ndaj meje, të masës të sigurimit personal (sipas nenit 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale).
Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cënuar të drejtën time të mbrojtjes efektive gjatë hetimit penal të kësaj çështjeje, ka cënuar parimin e kondradiktoritetit (lidhur me njohjen time, me të gjitha provat/materialet e çështjes, gjatë hetimit penal), sipas nenit 31/a,b të Kushtetutës dhe nenit 34/a, gërma “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Këto dispozita nuk pengojnë njohjen time me provat, por lejojnë njohjen time me materialet e çështjes hetimore.
Për rrjedhojë pretendoj se, prej datës 23/6/2026 nuk ka më pengesa per ekzekutimin, nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA të kërkesës të palës shqiptare për marrjen e ndihmës juridike lidhur me aktet/informacionin/provat përkatëse.
iv). Paraqitja e çdo vendimi tjetër gjyqësor nga gjykatat në SHBA që ka disponuar eventualisht, për ekzekutimin e letërporosisë, prej datës 15/7/2024 dhe në vijim.
v). Paraqitja nga GSIS e marrëveshjes (varianti anglisht) datë 03/02/2016 të lidhur prej GSIS (përfaqësuar nga Dennis Burke), me partinë LSI (përfaqësuar nga Petrit Vasili), përfshirë dhe modifikimet/ndryshimet e saj eventuale, me shkrim.
Nëse marrëveshja fillestare ka patur ndryshime/modifikime na njoftoni se kur janë kryer secili ndryshim/modifikim?
Cili përfaqësues i partisë LSI i ka miratuar ndryshimet/ modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre i ka miratuar ky përfaqësues i partisë LSI, ndryshimet/modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre e ka njoftuar GSIS, ky përfaqësues i partisë LSI për miratimin e ndryshimeve/modifikimeve eventuale?
Bashkëlidhur ju paraqes kopjen e kësaj marrëveshjeje, poseduar nga partia LSI dhe regjistruar (në organet kompetente) në SHBA dhe Shqipëri.
vi). Paraqitja nga GSIS e çdo lloj akti përfaqësimi të partisë LSI për krijimin, ndryshimin/modifikimin apo shuarjes të marrëveshjes së tyre.
vii). Paraqitja nga GSIS e çdo lloj akti financiar, që ka lidhje me ekzekutimin monetar të marrëveshjes, lidhur midis tyre dhe partia LSI.
viii). Paraqitja nga GSIS të të gjitha miratimeve/ autorizimeve paraprake nga partia LSI, për çdo lloj shpenzimi të paguar nga kjo parti në dobi të GSIS, mbi 1000 USD.
Paraqitjen e emrit të personit përgjegjës/ përfaqësuesit, që ka miratuar çdo shpenzim financiar nga partia LSI, për t’u paguar në dobi të GSIS, pas çdo fature financiare të dërguar nga GSIS për partinë LSI, sipas marrëveshjes në fuqi.
ix). Paraqitja nga GSIS të informacionit, për çdo produkt të punës/veprimtarisë së tyre, në zbatim të marrëveshjes të lidhur me partinë LSI?
Nëse po, kujt ja ka dorëzuar këtë produkt (në partinë LSI), kur ja ka dorëzuar dhe në çfarë forme/mënyre ja ka dorëzuar?
A ka caktuar GSIS ndonjë nënkontraktor për zbatimin e marrëveshjes së tyre me partinë LSI? Nëse po, cili është nënkontraktori dhe cili përfaqësues i partisë LSI e ka dhënë pëlqimin?
Nëse GSIS e ka marrë paraprakisht pëlqimin/miratimin e partisë LSI për caktimin e këtij nënkontraktori? Nëse po, të paraqiten prej GSIS, të gjitha aktet e miratimit/pëlqimit/ autorizimit të partisë LSI për caktimin e tij.
Paraqitja nga GSIS të informacionit se çfarë veprimesh apo produkti ka kryer nënkontraktori eventual për zbatimin e marrëveshjes të lidhur midis GSIS dhe partia e LSI?
x). T’i kërkohet GSIS informacion se, kur i ka mbaruar efektet marrëveshja e tyre me partinë LSI? Ose kur e ka ndërprerë GSIS ekzekutimin e marrëveshjes së tyre fillestare dhe/ose të modifikuar/ndryshuar me partinë LSI?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e modifikimit/ndryshimit të marrëveshjes së tyre fillestare eventualisht?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e ndërprerjes/shuarjes përfundimisht të kontratës midis tyre dhe cila është dita e ndërprerjes së kontratës, nëse nuk ka patur asnjë ndryshim/modifikim nga marrëveshja fillestare e datës 03/2/2016.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim, që GSIS t’i japë akses një pale të tretë në informacionin konfidencial të marrëveshjes të lidhur midis GSIS dhe partisë LSI (përfshirë edhe informacionet për modifikimet/ndryshimet e saj)? Nëse po, ju lutem të na dërgoni këto pëlqime/ miratime/autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/ miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të nënshkruajë (në emër të partisë LSI) ndonjë marrëveshje/ kontratë tjetër angazhimi apo veprimtarie tjetër? Nëse po, na dërgoni këto pëlqime/miratime/ autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të kthejë dhe/ose të asgjësojë të gjithë informacionin konfidencial, të përfituar gjatë zbatimit të marrëveshjes (dhe modifikimet/ndryshimet e saj) lidhur midis tyre? Nëse po, cili përfaqësues e ka dhënë (dhe na dërgoni këto pëlqime/ miratime/autorizime)?
Nëse GSIS ka kryer asgjësime të të gjithë informacionit konfidencial, na njoftoni kur është asgjësuar prej tyre dhe çfarë informacioni është asgjësuar?
xi). T’i kërkohet GSIS informacion se, çfarë vlerash monetare janë paguar në dobi të GSIS, nga partia LSI?
Sa ka qenë vlera totale monetare e faturave bankare, që ka ekzekutuar/paguar partia LSI në dobi të GSIS, sipas marrëveshjes së tyre fillestare dhe sipas ndryshimeve/ modifikimeve të saj eventuale?
Për çfarë shërbimesh/produkti të kryer eventualisht prej GSIS, janë paguar nga partia LSI, secili shpenzim?
Cilit person (në partinë LSI) i janë dërguar/njoftuar nga GSIS secili shërbim dhe faturë e tyre, para se të kryhej pagesa nga partia LSI?
Cilët janë përfaqësuesit e partisë LSI që kanë autorizuar /miratuar pagimin e çdo lloj shpenzimi në dobi të GSIS?
A ka përdorur partia LSI ndonjë fond monetar të paligjshëm ose ndonjë pagesë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (në kundërshtim me ligjet e zbatueshme të SHBA), gjatë zbatimit të marrëveshjes të saj në fuqi, me GSIS?
Nëse po, cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/miratuar këtë pagesë? Nëse është konstatuar nga GSIS kjo parregullsi eventuale financiare, a është raportuar/denoncuar pranë autoriteteve të SHBA?
xii). Nëse pagesat e shërbimeve/produkteve (në dobi të GSIS) janë kryer (në emër të partisë LSI) nga shtetasi Adrian Shatku kërkoj të paraqitet kontrata në bazë të të cilës ai i ka kryer këto pagesa? Na njoftoni se cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/lejuar shtetasin Adrian Shatku të kryejë këto pagesa? (Njëkohësisht na dërgoni këto autorizime dhe faturat e pagesave bankare, të kryera eventualisht prej shtetasit Adrian Shatku, përfshirë edhe shërbimet e GSIS të kryera për interes të partisë LSI dhe të paguara nga Adrian Shatku).
3/6). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA është e ngutshme dhe urgjente, sepse lidhet me lirinë time personale (pra, jam i paraburgosur prej 20 muajsh) dhe padrejtësisht (duke cënuar të drejtat e mia të sipërcituara, gjatë hetimit penal dhe deri në këtë fazë proçedurale gjyqësore), nuk jam njohur me akte/fakte, që administrohen/ndodhen në SHBA.
Kjo letërporosi ka lidhje me faktet e rrethanat objekt akuze dhe provojnë pafajësinë time.
i). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA t’i dërgohet/niset direkt nga Gjykata që në këtë fazë dhe drejtpërdrejt Departamentit të Drejtësisë të SHBA, sipas nenit 509/4 të Kodit të Procedurës Penale dhe sipas ligjit nr. 10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” (shih nenet e tij 5/3, 6/2).
ii). Për këtë shkak kërkoj që Gjykata të caktojë përkthyes të licensuar dhe të regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë, për t’u paraqitur për betim, në një seancë të ndërmjetme dhe për të përkthyer në gjuhën e zbatuar në SHBA, kërkesat, pyetjet e mia, kërkesat dhe pyetjet eventuale të prokurorit dhe kërkesat e pyetjet eventuale të Gjykatës. Teksti i plotë i kërkesës t’i dërgohet Departamentit të Drejtësisë të SHBA duke patur parasysh/referencë përmbajtjen e e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
iii). Kërkoj që një kopje e kësaj letërporosie (që do t’i dërgohet nga Gjykata, Departamentit të Drejtësisë të SHBA) të më vihet edhe mua në dijeni.
iv). Pasi të paraqitet përgjigjja përkatëse prej Departamentit të Drejtësisë të SHBA kërkoj të administrohet si provë sipas radhës përkatëse procedurale.
Kjo është kërkesa e plotë që Z. Meta i adresoi dje edhe zyrtarisht GJKKO.
E rikthesoj se duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje Meta–GSIS, por LSI–GSIS, është përgjegjësi e jona, PL (LSI), të insistojmë me vendosmëri jo vetëm pranë autoriteteve shqiptare por edhe atyre amerikane që të mos manipulohen në zbardhjen e kësaj çështjeje vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit.
Boll i ka cënuar, dëmtuar dhe helmuar, Edi Rama dhe Charles McGonigal marrëdhëniet strategjike me SHBA.
Ndaj Edi Rama dhe Charles McGonigal janë dy dëshmitarët kryesorë që janë thirrur nga Z. Meta në proces, sepse ata janë ideatorët dhe komplotistët kryesorë jo vetëm të orientimit politik të hetimeve, por edhe të rrëmbimit dhe të mbajtjes me zero fakt dhe provë penale kundër të tij, të Z. Meta në paraburgim. Sepse ju rikujtoj se 2 muaj pas takimit të McGonigal në zyrën e Edi Ramës u aktivizuan edhe kallëzuesit kundër Z. Meta, një çështje që do ta zbardhim para të gjithë shqiptarëve në çdo detaj.
Tani është koha që transparenca dhe triumfi i së vërtetave të rikuperojë dëmet dhe ne si Parti e Lirisë kemi vullnetin absolut për të forcuar miqësinë, aleancën dhe marrëdhënien e fuqishme strategjike me SHBA.




