Ndryshimi i papritur i imazhit në rrjetet sociale nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili zëvendësoi fotot e tij të profilit dhe “cover”-it në Facebook me pamje flamingosh, ka shkaktuar menjëherë reagime dhe ironi në ambientin politik.
Ajo që ka goditur me një mesazh mjaft pikant ka qenë deputetja Marjana Koçeku. E larguar tashmë nga radhët e Partisë Socialiste, Koçeku ka zgjedhur të bëjë një satirë të fortë duke përdorur njërën prej kullave më të përfolura që po ngrihet në qendër të Tiranës, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit.
Kjo kullë, e cila në projektin zyrtar është shitur si një ndërtesë me pamjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në pamje të parë nga qytetarët po identifikohet dita-ditës si një ngjashmëri e pastër me vetë kryeministrin Rama.
Deputetja Koçeku e ka marrë foton e kësaj kulle dhe e ka modifikuar duke i dhënë një sfond të ndezur në ngjyrë rozë, pikërisht si flamingot e përzgjedhura nga kreu i qeverisë. Sipër fotos së montuar, ajo ka lënë një shënim epik që po qarkullon me shpejtësi: “Mund t’ia sugjeroni për foto profili”.




