Pasi u duk se vendi më në fund ra disi në qetësi pas disa ditëve betejë me flakët, një vatër e re ka shpërthyer në Krujë.
Flakët që kanë rënë në shpatin e malit po rrezikojnë rreth 30 banesa në fshatin Abaze dhe po ngjiten drejt majës. Për të vënë nën kontroll situatën që paraqitet mjaft serioze, ka nisur ndërhyrja nga ajri me 3 helikopterë zjarrfikës, por tanimë flakët u janë afruar edhe bizneseve. Edhe banorët u janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarrit duke përdorur mjete rrethanore. Ministri Ermal Nufi ka njoftuar se shkak i zjarrit ka qenë dora e njeriut.
Në Mallakastër është riaktivizuar vatra e Panahorit dhe është shfaqur një tjetër e re në Koilaç. Policia ndërhyri menjëherë për evakuimin e disa familjeve nga Koilaçi pasi flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha toke dhe rrezikonin banesat e banorët, por fatmirësisht kërcënimi është larguar tanimë. Një avion zjarrfikës ka ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.
Gjithashtu është riaktivizuar vatra e zjarrit në Dajt dhe ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter zjarrfikës.
Një zjarr i madh përfshiu kufirin mes fshatrave Golem e Progonat në Gjirokastër duke djegur rreth 3 hektarë sipërfaqe me shkurre e barishte, por është vendosur nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar vatrat në Çikallesh dhe Leshtej-Collak në Bashkinë Kavajë, vatrat në Mushnik të Rrogozhinës, Plan të Bardhë në Klos, Kostren 2 në Berat dhe Uruçaj në Peqin.
Lajm në përditësim…
Mallakastër/ Panahori nuk gjen qetësi, riaktivizohet vatra e zjarrit (VIDEO)
Zjarri në Panahor është riaktivizuar këtë mbrëmje. Vetëm disa orë më parë, u ndez një vatër e re në Koilaç të Mallakastrës dhe flakët po përhapeshin edhe drejt Panahorit.
Zjarri në Krujë, Nufi: I shkaktuar nga njeriu, 3 helikopterë po punojnë për shuarjen

Zjarri në fshatin Abaze në Krujë që kërcënon banesat është i shkaktuar nga dora e njeriut, bën me dije ministri Ermal Nufi. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forca zjarrfikëse nga toka dhe 3 helikopterë.
“Në zonën e Abazës në Krujë, bashkë me kolegun Besfort Lamallari, Drejtorin e AKMC dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve duke ndjekur nga afër situatën e zjarrit të shkaktuar fatkeqësisht nga dora e njeriut. Që prej pasdrekes, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore.
Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e forcës ajrore dhe efektivët MZSH Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara. Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit”, shkruan Nufi.
Zjarri në Koilaç të Mallakastrës, nis ndërhyrja me avion! S’ka më rrezik për banesat (VIDEO)
Në Koilaç të Mallakastrës ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve pasi është angazhuar një avion zjarrfikës.
Fatmirësisht, rreziku që paraqitej më parë për banesat është larguar. Si masë mbrojtëse, policia i evakuoi menjëherë banorët.
Ndërkohë, pamjet me dron tregojnë shkallën e sipërfaqes së djegur.
Zjarri në Krujë, Nufi e Lamallari ndjekin nga afër situatën (VIDEO)
Ministrat Ermal Nufi dhe Besfort Lamallari kanë qenë në Krujë për të ndjekur nga afër situatën e zjarrit që nisi rreth pasdites.
Ndërhyrja për shuarjen e flakëve vijon ende, teksa në ndihmë janë edhe dy helikopterë.
Riaktivizohet vatra e zjarrit në Dajt, nis ndërhyrja nga ajri (VIDEO)
Zjarri në rrëzë të Dajtit, është riaktivizuar pasditen e sotme. Vatra ndodhet midis Dajtit dhe Priskës. Ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter për shuarjen e flakëve.
Mbrëmjen e së premtes, u raportua se kjo vatër ishte shuar.
Vatër e re zjarri në Mallakastër, rrezikohen banesat në fshatin Koilac! Digjen sipërfaqe të mëdha toke, evakuohen disa familje (VIDEO)
Një vatër e re zjarri është rishfaqur në Mallakastër, këtë herë në Koilac. Policia ka ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve pasi flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke dhe rrezikojnë banesat e banorët.
Për shkak të erës së fortë, flakët po favorizohen në përhapjen e tyre në drejtim të zonave të banuara, ndërsa deri tani zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Të gjitha strukturat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit të cilat për shkak të erës po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.
Njëkohësisht, grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Zjarr në kufirin mes dy fshatrave në Gjirokastër, izolohet vatra! Digjen 3 hektarë sipërfaqe me bimësi (VIDEO)
Një zjarr i madh përfshiu kufirin mes fshatrave Golem e Progonat në Gjirokastër. Vatra, tashmë e izoluar dhe drejt shuarjes, ndodhet në majë të malit, në një terren tejet të vështirë.
Nga zjarri u përshkua një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh me bimësi shkurre e barishte.
Shërbimi zjarrfikës vijon të jetë në vendngjarje për monitorimin e territorit për ndonjë riaktivizim të mundshëm.
Zjarri në Krujë, banorët përpiqen të ndihmojnë me mjete rrethanore: Rrezikohen 35 shtëpi, jemi mbi 500 vetë (VIDEO)
Vatra e re e zjarrit që nisi rreth një orë më parë në Krujë, është mjaft agresive. Banorët e zonës tregojnë për Report Tv se u janë bashkuar përpjekjeve të zjarrfikësve e helikopterëve për shuarjen e flakëve, por është mjaft e vështirë. Në këtë zonë janë rreth 30-35 banesa.
“Ka nja një orë që ka filluar zjarri. Janë ngritur banorët, kanë ardhur dy helikopterë. Banorët, me mjete rrethanore, janë përpjekur të fikin zjarrin. Shtëpitë këtu sipër janë komplet në rrezik, rrezikohen mbi 30-35 banesa, ullishte”, thotë një prej tyre.
Një tjetër banor tregon se po përdorin çdo mjet rrethanor që kanë në dorë për të luftuar me flakët që rrezikojnë shtëpitë ku jetojnë rreth 500 banorë.
“Jemi këtu me hunj, lopata e dhe duke u përpjekur ta shuajmë, por nuk shuhen. Jemi mbi 500 banorë vetëm këtu”, shton banori.
Situatë kritike në Krujë, zjarri përfshin pyllin në shpatin e malit, rrezikohen 30 banesa! Kërkohet ndërhyrje nga ajri (VIDEO)
Një zjarr i madh ka rënë në Krujë duke përfshirë pyllin në shpatin e malit. Flakët, të favorizuara nga era, rrezikojnë rreth 30 banesa në fshatin Abaze.
Situata është kritike pasi zjarri është fare pranë spitalit dhe po përhapet drejt majës së malit.
Kërkohet ndërhyrje nga ajri për të shuar flakët.




