Në protestën kundër qeverisë së Edi Ramës, një tjetër qytetare ka ngritur shqetësimin për situatën e aeroportit të Kukësit dhe premtimet e bëra nga qeveria për zhvillimin ekonomik të veriut të vendit.
Protestuesja deklaroi se projekti ishte prezantuar si një investim që do të sillte qindra mijëra pasagjerë në vit, vende të reja pune dhe kompani ajrore europiane me kosto të ulët.
“Për aeroportin e Kukësit u premtuan 300 mijë pasagjerë në vit, të paktën 220 vende pune dhe kompani ajrore europiane me kosto të ulët. Qeveria e quajti një tjetër premtim të mbajtur”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pavarësisht investimit dhe infrastrukturës së ndërtuar, aktiviteti i aeroportit nuk ka përmbushur pritshmëritë e deklaruara.
“Sot pistat dhe terminali janë ende aty, ndërsa fluturimet mungojnë. Premtimi për zhvillimin e veriut ka mbetur i derdhur në beton”, deklaroi protestuesja.
Ajo e lidhi këtë situatë edhe me projektin e aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se edhe në këtë rast janë përdorur të njëjtat skema.




