Qëndresa qytetare kundër kabinetit qeveritar të kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e saj të 81-të, ndërsa mbështetja nga komunitetet e shqiptarëve në diasporë vazhdon të rritet.
I ftuar në një intervistë për News24, aktivisti i njohur i diasporës nga Gjermania, Petrit Tafaj, komentoi vijueshmërinë e protestës maratonë, duke deklaruar se rezistenca e qytetarëve në shesh do të çojë në shembjen e këtij sistemi qeverisës.
Gjatë fjalës së tij, Tafaj denoncoi cenimin e lirisë së pronës dhe fjalës së lirë, ndërsa u ndal edhe te vendimmarrjet e ekzekutivit që, sipas tij, prekin integritetin territorial të vendit pa marrë parasysh vullnetin e popullit.
“Ne do të rezistojmë derisa ta shembim këtë sistem, sepse është i gabuar për një shtet demokratik siç është Shqipëria. Njerëzit nuk kanë liri për pronën, fjalën, dhe janë të shtypur në të gjitha format e mënyrat.
Kemi një shkak të rëndësishëm, integritetin territorial të vendit, kur e shikojmë që Edi Rama dhe qeveria e tij ndërmerr herë pas here iniciativa pa pyetur shumicën e popullit.
Edi Rama dhe shpura e tij nuk kanë asnjë shans që të rezistojnë. Tani, përveçse kanë vjedhur, po mundohen që të shpëtojnë veten e tyre. E ardhmja është e sigurt që Shqipëria do të ndryshojë kurs në drejtim të shtetit ligjor dhe të gjithë ata që kanë vjedhur e e kanë shkatërruar Shqipërinë, do të jenë një ditë para gjykatës”, u shpreh Tafaj.




