Tiranë –Tre persona që vepronin si grup kriminal janë arrestuar nga blutë e Tiranës si autorë të dyshuar të një banese në zonën e Sharrës 10 ditë më parë. Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit Leonard Sinani 26-vjeç, Kleand Tomja 23-vjeç, Mark Hila 37-vjeç dhe personi në kërkim me inicialet A.B., përveç shumës së parave vodhën edhe disa bizhuteri me vlerë 500 mijë lekë.
Siç shihet edhe nga video e publikuar ‘skifterët’, me kapuç dhe të maskuar janë kapur ‘mat’ nga kamerat e sigurisë duke vjedhur në banesë.
Nga kontrollet e kryera në servisin në bashkëpronësi të A.B., dhe Mark Hilës në zonën e Astirit uniformat blu gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete mes tyre një ‘Maserati’ 1 motor dhe 2 palë targa automjetesh.
Ndërkohë në banesën e 23-vjeçarit Kleand Tomja, u gjet dhe u sekuestrua 1 automjet dhe 55 000 lekë.
“Zbardhet vjedhja në një banesë në Sharrë, ku para 10 ditësh u morën 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 000 lekë.
Si rezultat i hetimit intensiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes në banesën e shtetasit D. S., më datë 14.08.2026, u finalizua operacioni i koduar “Last Scheme”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 3 nga autorët e dyshuar të rastit, konkretisht shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi A. B.
Read more:Shpresa Makashi, artizania nga Prizreni që u jep ‘jetë’ punimeve të dorës: Përpiqem të ruaj traditën
Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh.
Më tej u krye kontroll në banesën e shtetasit K. T., nga ku u sekuestruan 1 automjet dhe 55 000 lekë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal”,njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




