Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, zgjedhjet lokale, situatën brenda Partisë Socialiste dhe ndikimin që mund të ketë protesta në skenën politike.
Duke folur për News24, Mërtiri tha se zgjedhjet lokale kanë trazuar mbështetësit e Erion Veliajt, të cilët, sipas tij, e ndjejnë veten të lënë jashtë aksionit politik. “Fati i tyre po ‘vdes’. Veliaj ka kërkuar të dalë nga burgu me shpresën se do t’i imponohej Ramës që të kandidonte për kryetar bashkie”, u shpreh ai. Sipas Mërtirit, kryeministri Edi Rama ndodhet nën presion nga disa fronte, ndërsa protesta po dëmton imazhin e qeverisë. “Rama ka nga njëra anë Veliajn që i ushtron presion, nga njëra anë Ballukun dhe, nga ana tjetër, protestën, që po sakaton imazhin e kësaj qeverie. Rama është në vështirësi”, deklaroi analisti.
Read more:Shqiptarët nuk ndalen/ Sot dita e 92 e rezistencës, qytetarët: Nuk largohemi pa dorëheqjen e Ramës
Ai tha se aktualisht faktori kryesor që e mban Ramën në pushtet janë 83 mandatet parlamentare, ndërsa shtoi se një pjesë e qytetarëve nuk janë të gatshëm ta rrëzojnë qeverinë për shkak se nuk duan që në pushtet të vijë Sali Berisha.
“E vetmja gjë që e mban në pushtet është 83 mandate, që iu dhanë qyl nga Berisha. Shumica e njerëzve nuk janë gati të rrëzojnë Ramën, se nuk duan që të udhëhiqen nga Berisha. Kjo është kamerdarja e vetme e Ramës, përndryshe do të ishte mbytur me kohë”, tha Mërtiri. Duke folur për zgjedhjet lokale dhe kandidaturat e mundshme të socialistëve, Mërtiri u shpreh se Rama kërkon persona që mund t’i kontrollojë politikisht.
“Për zotin Rama të gjithë emrat janë njësoj, mjafton që të jenë të bindur. Ai nuk do një kandidaturë që të drejtojë, por ta komandojë ai”, tha analisti. Mërtiri komentoi edhe emrin e Florjan Binajt si kandidat për bashkinë e Tiranës, që u mbështet dhe nga opizita. Ai tha se një figurë e pëlqyer nga publiku mund t’i shtonte disa vota opozitës, por nuk do të mjaftonte për të fituar zgjedhjet.
Sipas Mërtirit, zgjedhjet lokale do të shërbejnë edhe si një test për të matur ndikimin elektoral të protestës. “Zgjedhjet do të mbahen patjetër dhe do të tregojnë efektin elektoral që ka pasur kjo protestë. Do të jetë një tkurrje, vakum, për dy partitë e mëdha”, u shpreh ai.
Read more:Ministrja jep dorëheqjen nga bashkëdrejtimi i PS në Vlorë, Erjona Ismaili largohet nga posti
Analisti nuk përjashtoi mundësinë e krijimit të një force të tretë politike, e cila, sipas tij, mund të sfidojë seriozisht dy partitë tradicionale. “Këtu do të duket qartë për dy partitë e mëdha, nëse do të krijohet një pol i tretë. Dhe nuk është çudi që t’i nxjerrë këto dy parti për skrap”, tha Mërtiri. Ai u shpreh se do të dëshironte shfaqjen e një force të re politike me karakter qytetar, por ngriti shqetësimin se lëvizje të tilla mund të goditen përmes akuzave politike.
Analisti foli edhe për punën e SPAK-ut, duke e cilësuar si të rëndësishme goditjen e figurave të larta politike, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. “SPAK ka bërë punë të jashtëzakonshme, ka goditur lart, ka vënë në pranga njerëz të qeverisë, të opozitës, por një pjesë e madhe e qytetarëve nuk beson te SPAK”, tha ai. Mërtiri theksoi se hetimet ndaj Belinda Ballukut vijojnë dhe se një kërkesë e re për masë ndaj saj, sipas tij, mund të krijonte presion të mëtejshëm mbi kryeministrin Rama.
“Fakti që SPAK ka kërkuar burgosjen e saj, e ka seriozisht. Nëse do të bëhej një tjetër kërkesë për hetimin e Ballukut, do të detyronte Ramën që ta lëshonte atë dhe do ia pakësonte mjetet politike që ai ka përballë protestës”, deklaroi Mërtiri. Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse SPAK do të vijojë me të njëjtin intensitet dhe se si kjo do të ndikojë në raportet politike dhe në qëndrueshmërinë e qeverisë.


