Gushti ka përfunduar, por në Shëngjin vera duket se nuk ka ndërmend të largohet.
Dita e dytë e shtatorit kanë sjellë një tjetër ritëm në bregdet. Është më qetë, por ende ka pushues që shijojnë detin dhe temperaturat e larta.
E gjithë vija bregdetare vijon të jetë e populluar, ndërsa pjesa më e madhe e pushuesve janë nga Kosova, të cilët vijojnë të zgjedhin Shëngjinin edhe në vjeshtë.
“Më mirë se korriku.”
“Ne vijmë çdo vit nga dy herë. Zakonisht për ne është shtatori e qershori”, thonë disa pushues.
Sipas bizneseve turistike, prenotimet për këtë muaj janë në nivele të kënaqshme, një tregues se bregdeti i Shëngjinit po tërheq pushues edhe në vjeshtë.
Hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera turistike vijojnë aktivitetin, ndërsa pushuesit shfrytëzojnë ditët e ngrohta të shtatorit dhe qetësinë.




