Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e arsimit dhe administratorët e njësive administrative.
Gjatë takimit u diskutuan problematikat në institucionet arsimore dhe mundësitë për zgjidhje të shpejta, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit, mësuesit dhe familjet në të gjithë territorin e bashkisë.
Beci bëri të ditur se gjatë 30 viteve janë zaptuar mbi 40 mijë metra katrorë hapësira të oborreve të shkollave. Sipas tij, Bashkia Shkodër po punon për lirimin e tyre, ndërsa po investon edhe në shkolla të reja dhe në përmirësimin e kushteve ekzistuese.
Në fokus të takimit ishte gjithashtu hapja e oborreve të shkollave për komunitetin gjatë orëve të pasdites, duke i kthyer ato në hapësira të sigurta për sport, argëtim dhe aktivitete sociale.




