Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta po dëmtojnë rëndë bletarinë në fshatrat e Mallakastrës. Mungesa e reshjeve ka ndikuar në bimësinë dhe në burimet ushqimore të bletëve, duke e bërë më të vështirë mbijetesën dhe zhvillimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Sipas bletarëve, ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në ciklin jetësor të bletëve, në burimet e tyre ushqimore, por edhe në rendimentin e prodhimit të mjaltit. Temperaturat e larta dhe mungesa e nektarit bëjnë që bletët të kenë më pak ushqim, ndërsa bletarët detyrohen të ndërhyjnë më shpesh për t’i mbajtur kosheret në kushte sa më të përshtatshme.
Read more:Temperatura deri në 37 gradë celcius…parashikimi i motit për sot (VIDEO)
“Kam 15 vjet që merrem me bletarinë. E kam pasur pasion. E kam filluar me 5 koshere fillimisht. Është art më vete. Prodhimi nuk ka qenë shumë i mirë sicc dëshirojmë ne, por edhe vjet ishte një kohë e papërshtatshme për bletarinë. Sivjet jemi të kënaqur. Thatësira ndikon tek bletaria sepse mungesa e luleve pengon zhvillimin e bletës dhe prodhimin e mjaltit. Unë kam 3 fëmijë të vegjël dhe bletarinë nuk e kam lënë pas dore” tha një bletare.
Por klima nuk është sfida e vetme për bletarët e Mallakastrës. Ata pohojnë se një tjetër problem shqetësues janë sëmundjet dhe parazitët, të cilët mund të dëmtojnë ndjeshëm kolonitë e bletëve dhe të ndikojnë në prodhim. Për këtë arsye, bletarët kanë ndërhyrë në kohë, duke marrë masa për kontrollin dhe trajtimin e koshereve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre.
Mbrojtja e bletëve nuk është vetëm një çështje që lidhet me prodhimin e mjaltit, por edhe një domosdoshmëri për ruajtjen e ekosistemit dhe biodiversitetit. E pavaresisht gjithe problematikave, mjalti i zonave kodrinore te Mallakastres mbetet ndër më cilësorët në vend me treg 100% të garantuar.




