Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Sociale
  3. SPECIALE/ Fshati që u vetëmbrojt me ligje pleqnie: Si po e kthen turizmi rininë në Radomirë
Sociale

SPECIALE/ Fshati që u vetëmbrojt me ligje pleqnie: Si po e kthen turizmi rininë në Radomirë

• 6 Shtator, 2026 • 10 min lexim • 👁 7
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

Në skajin verilindor të Shqipërisë, aty ku mali i Korabit prek qiellit në 2,751 metra lartësi, shtrihet një thesar që refuzon të harrohet. Radomira.

Një fshat me ligje të vjetra pleqnie, ku dikur zhurmonin mijëra krerë bagëti, e sot po rizgjohet nga zërat e turistëve nga mbarë bota.

Çdo mëngjes, fiks në orën tetë, fshati nis të marrë frymë nën ritmin e thundrave të kuajve. Vehbi Çaveqa zbret nga bjeshka drejt qendrës së fshatit.

“Kam 100 krerë bagëti. Çdo ditë zbres me kalë këtu për të dorëzuar qumështin. Herë 50 e herë 100 litra… Kështu bëjnë edhe banorët e tjerë”, tregon Vehbi Çaveqa.

Por ky ritual i përditshëm mbart me vete një dhimbje të heshtur. Kullotat e pasura po mbeten pa zot.

“Ka rënë numri i deleve që mbajnë. Nga 20 mijë dikur, sot mund të jenë rreth 5 mijë këtu. Arsyeja? Emigrimi. Kanë ikur…” shprehet banori i Radomirës.

Radomira, pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, po përballet me plagën e madhe të maleve shqiptare. Nga 100 shtëpi që gumëzhinin para viteve ’90, sot numërohen vetëm rreth 20 syresh.

Vetëm 35 km larg Peshkopisë, rruga e re e asfaltuar ka afruar distancat, por nuk ka ndalur zbrazjen. E megjithatë, pikërisht atëherë kur dukej se gjithçka po shuhej, diçka nisi të ndryshojë.

Lidhja me tokën nuk këputet lehtë. Agron Sufa jeton prej vitesh në kryeqytet, por rrugën e kthimit për në Radomirë e bën rregullisht.

“Unë banoj prej vitesh në Tiranë, por nuk heq dorë nga bulmeti i Radomirës. Vij përherë për të bërë furnizim për familjen. Djathi i deleve këtu është i veçantë, sepse ushqehen me bimësinë e pasur të kësaj zone”, tregon Agron Sufa.

Ky produkt i çmuar mban gjallë ekonominë, por për ta kthyer Radomirën në një destinacion jetëgjatë, duhej diçka më shumë se blegtoria. Duhej guximi i rinisë.

Habil Ahmati është vetëm 26 vjeç. Në moshën 15-vjeçare ai mori rrugën e emigrimit drejt Londrës. Punoi në ndërtim, por mendjen e kishte gjithmonë te ky ballkon i Korabit.

Read more:Shqipëria dhe Britania e Madhe firmosin marrëveshjen e parë në rajon për ndarjen e pasurive të sekuestruara nga krimi, do të riinvestohen në projekte sociale

“Unë ika prej këtej në moshën 15-vjeçare dhe jetoj në Angli. Po tani jam kthyer dhe punoj gjatë gjithë sezonit veror me prindërit në biznesin tonë familjar. Qëndroj këtu rreth 6 muaj dhe e kam në plan që të mos kthehem më në Angli”, shprehet Habil Ahmati.

Sfidat e emigrimit u zëvendësuan me një motivim të ri: valët e turistëve që po zbulojnë bukuritë e egra të fshatit të përfshirë në projektin e “100 Fshatrave Turistikë”.

“Këtu vijnë alpinistë nga e gjithë bota dhe kanë dëshirë që të ngjisin malin e Korabit, majën më të lartë të Shqipërisë. Edhe kjo më motivon mua që të qëndroj këtu. Radomira ofron një siguri shumë të madhe, ka liqenin e zi, ofron mikpritjen shumë të mirë. Sezoni nisi shumë bukur”, thotë Habil Ahmati.

Por asgjë nuk u ngrit brenda një nate. Rrugëtimi i këtij biznesi familjar nisi dy dekada më parë, si një nevojë e thjeshtë për t’u shërbyer banorëve të zonës.

“Ne kemi gati 20 vite që e kemi si objekt. Në fillim ka qenë vetëm kafe për banorët… Më pas erdhën alpinistët që i morëm në shtëpinë tonë fillimisht. Babai pati një ide se si t’i akomodojë. Kemi filluar me dy dhoma, sot kemi 26 dhoma dhe po mundohemi të kemi edhe më shumë”, tregon Habil Ahmati nga Radomira.

Brenda kuzhinës, tradita është e shenjtë. Por menaxhimi modern kërkon përshtatje, sidomos kur klientët vijnë nga kultura krejtësisht të ndryshme.

“Ne ofrojmë ushqim tradicional kryesisht për të huajt, shumica e të cilëve janë vegjetarianë. Ndërsa mishin e servirim për familjet shqiptare. Nuk është vetëm ushqimi është edhe mikpritja jo vetëm këtu në Radomirë, por të huajt e vlerësojnë në të gjithë Shqipërinë.” sipas banorit Habil Ahmati.

Për bashkëshortët Sabrije dhe Sitki Ahmati, lodhja e punës së përditshme nuk peshon asgjë para lumturisë së madhe: rikthimit të djemve në shtëpi.

“Shumë e lumtur jam se i kam fëmijët në vendin tim. Djali ka ardhur nga Anglia dhe është punësuar këtu. Punojmë si familje. Edhe një djalë e kemi në Itali. Edhe ai do të kthehet së shpejti këtu”, shprehet Sabrije Ahmati.

“Do të grumbullohemi të gjithë të punojmë së bashku. Jemi më të kënaqur se sa të punojmë në emigrim. Mund të fitojnë më shumë andej por këtu jemi në shtëpi, i mbulon me një jorgan në darkë e ndjehemi rehat”, tregon Sitki Ahmati.

Ideja për këtë arkitekturë të veçantë erdhi pikërisht nga Italia. Akili, djali i madh që punon në Bolzano, pa shtëpitë alpine të drurit dhe mendoi se i njëjti model do të shkëlqente edhe nën këmbët e Korabit.

Read more:Dështojnë 7 orë negociata me RENEA, vret veten 35-vjeçari Refit Buzi! Në mëngjes vrau ish vjehrrin dhe plagosi ish vjehrrën! Liroi pas disa orësh pengmarrje ish bashkëshorten (EMRAT+VIDEO)

Dhe rezultati është ky: Radomira nuk vizitohet më vetëm nga aventurierët e rrugës, por nga familje të tëra që vijnë nga zemra e Evropës.

“Ne kemi një javë që qëndrojmë në Shqipëri. Në Radomirë jemi prej dy ditësh. Na pëlqen shumë. Është vend i bukur. Pronari i hotelit na përgatiti mëngjesin e hershëm. Më pas dhe drekën sepse ne u ngjitëm lart në Korab.Pamje dhe shëtitje e mrekullueshme”, tregon një turiste angleze.

“Natyra është ende e paprekur. Dhe kjo është e këndshme. Është shumë bukur këtu, shumë qetë. Po, është shkëlqyeshëm!” shprehet një i ri anglez.

“Gjithmonë patëm pritje të ngrohtë kudo ku shkuam. Veçanërisht këtu mikpritja ka qenë e shkëlqyer. Unë patjetër që e rekomandoj ardhjen në Shqipëri sepse ka qenë një eksperiencë vetëm pozitive”, shprehet një tjetër turist nga Anglia.

“Përshëndetje të gjithëve! Unë quhem Michele Ribota dhe jam përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri. Kam kaluar dy ditë të mrekullueshme këtu në Radomirë. U ngjita për herë të parë në majën e Korabit dhe ishte absolutisht e mrekullueshme. Ajo që më pëlqen më shumë këtu është të qenit më pak e ngarkuar se zonat e tjera malore. Unë kam lëvizur shumë, pikë së pari Tirana tani është shumë e nxehtë. Prandaj është shumë kënaqësi të jesh këtu lart e të shijosh ajrin e freskët. Kjo është diçka ndryshe, je në kontakt me natyrën. Mikpritja është e jashtëzakonshme prandaj e rekomandoj.”

Ky sukses vjen edhe falë një vetëdijeje të jashtëzakonshme të vetë banorëve. Në një kohë kur pyjet e Shqipërisë u masakruan, Radomira i mbrojti ato me ligjet e veta të pleqnisë.

“Vijnë prej malit të Korabit por edhe prej pamjes panoramike. Ne si zonë i kemi mbrojtur vetë pyjet, e kemi mirëmbajtur që të jetë ashtu siç zoti e ka krijuar. Bjeshka ka ujë, në Korab gjen borë edhe në verë… Këto 4-5 vitet e fundit rikthehen të njëjtët turistë me miq të rinj”, shprehet Sitki Ahmati.

Por mbrojtja e vendit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Radomira mbart një histori të gjatë që ruan kodet e forta të bashkëjetesës. Ramazan Daku, i larguar që fëmijë nga fshati, kthehet sot me mall dhe me nipin e tij përdore.

“Kam ikur që nga viti 1963 në Paskuqan… Radomira ka patur histori. Njerëzit e kanë mbrojtur këtë vend edhe me gjak. Kishte ligje shumë të forta, nuk lejonin njerëz të këqinj, por i ‘dëbonin’ vetë banorët. Në atë kohë mali ka patur një komision, vendoste ky komision për të prerë pyjet. S’ka pas ligj shteti, vetëm fshati”, tregon banori Ramazan Daku.

Një fshat me rregulla të rrepta, por edhe me histori të mëdha dashurie që thyen tabutë e kohës, të cilat sot kujtohen përmes këngëve.

“Ka dhe një këngë ‘Cuca e Radomirës’ e cila ka histori të sajën. Vajza që u dashurua dhe u martua pa leje me korçarin ushtarak… Gjithmonë ky fshat ka ecur me ligjet e veta”, shpjegon Ramazan Daku.

Read more:‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin ‘magnet’ për të huajt, turistët: Vijmë çdo vit, na pëlqen mikëpritja e banorëve!

Por, pavarësisht bukurisë romantike të turizmit, realiteti i maleve mbetet i ashpër. Mungesa e mbështetjes nga institucionet mbetet pengesa më e madhe për ata që duan të investojnë këtu.

“Që t’ia nisësh nga zero është pak vështirë me shtetin që kemi”, thotë Habil Ahmati.

“Më shumë probleme kemi pasur me legalizimet”, tregon Sitki Ahmati.

E megjithatë, mesazhi që vjen nga ata që e provuan rrugën e mërgimit është i qartë: e ardhmja nuk është në ndërtimet e Londrës, por në bujtinat e vendlindjes.

“Unë jetoj vetë në Angli, në ndërtimtari kam punuar. Por u them rinisë: Shqipëria është shumë e bukur. Ju lutem kthehuni. Pavarësisht se nuk kemi shumë ndihmë nga shteti, po me forcat vetjake të vijnë të ngrenë një bujtinë, të hapin një kamping… Për mua ia vlen shumë të investosh këtu. Unë këtu e shoh të ardhmen time”, shprehet i riu Habil Hamati.

Një thirrje që po dëgjohet edhe nga ata që po mbyllin ciklin e jetës në qytetet e mëdha dhe duan t’u lënë trashëgimi pasardhësve ajrin e pastër të Korabit.

“Tani kam vendosur të ndërtoj një shtëpi druri sa për vete. U bëj mesazh të gjithë banorëve të Radomirës: të vijnë të investojnë këtu, natyrë e mrekullueshme, oksigjen. Rruga e ndërtuar na ka lehtësuar shumë. Vendin e rregullojnë njerëzit. Pa njerëz nuk ka zhvillim”, thotë banori i rikthyer në Radomirë Ramazan Daku.

Rastësisht në rrugë takojmë edhe një të ri që na përshëndet anglisht sapo na sheh:

“Hello! A do të bëjmë një foto me kalë?”, thotë ai duke buzëqeshur.

Idajeti është vetëm 17 vjeç. Që i vogël ndihmon babain me bagëtitë në mal. Ai ende nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja e tij, por sot për sot, ai është imazhi më autentik i një tradite që refuzon të dorëzohet.

Mes maleve madhështore, ujërave të kristalta dhe mikpritjes së njerëzve, Radomira mbetet një thesar i rrallë. Një vend ku natyra, historia dhe jeta malore bashkëjetojnë në harmoni, duke dëshmuar se pavarësisht ku ikim, rrënjët tona mbeten gjithmonë këtu… mbi Korab.

Lexo edhe
Sociale

Divjakë/ Flakët rrezikuan pyllin e parkut kombëtar, kapet 29-vjeçari! Ndezi zjarr në Kryekuq (VIDEO)

Sociale

Të miturit përballë ligjit, Gogu: Përfshirja në dhunë nuk mbetet pa pasoja, përgjegjësia për krimet nis në 14 vjeç! (VIDEO)

Tags: #agron sufa #angli #Anglia #Diber #habil ahmati #habil hamati #radomira #ramazan daku #sabrije ahmati #sitki ahmati #Turizmi #vehbi caveqa

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • Divjakë/ Flakët rrezikuan pyllin e parkut kombëtar, kapet 29-vjeçari! Ndezi zjarr në Kryekuq (VIDEO)
  • Të miturit përballë ligjit, Gogu: Përfshirja në dhunë nuk mbetet pa pasoja, përgjegjësia për krimet nis në 14 vjeç! (VIDEO)
  • Vranësira të dendura dhe rrebeshe shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme (VIDEO)
  • Sarandë/ Zjarri përfshin grumbujt e mbeturinave jashtë kontenierëve, tymi i dendur alarmon banorët! Ndërhyjnë forcat zjarrfikëse (VIDEO)
  • Priten pishat në Korçë për ndërtimin e Liceut Francez, aktivisti: Masakër mjedisore, transparencë nga institucionet! Kryebashkiaku Filo: Projekt i Fondit të Zhvillimit
Nga të njëjtat tag-e
  • Protesta përshkallëzon në zjarre! Molotovë Gjykatës së Lartë e Bankës së Shqipërisë te ish-hotel Dajti! Digjet banka private, plaçkiten biznese! 21 efektivë dhe 13 protestues të lënduar
  • Rënia e euros krizë për bizneset, turistët vijnë por lokalet e hotelet në jug humbasin miliona nga zhvlerësimi i euros
  • “664 milionë euro”/ Blerjet rekord në gjashtë muaj, monedha europiane vijon të dobësohet ndaj lekut
  • Shqipëria përfiton 3 mln dollarë grant nga Banka Botërore për turizmin, Gonxhja: Më shumë destinacione do të futen në itineraret turistike
  • Dita Ndërkombëtare e Turizmit, Gonxhja: Mikpritja është trashëgimia jonë, ta kthejmë në standard ndërkombëtar (VIDEO)
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Kronikë Spahiu: Në gjithë Europën prindërve të fëmijëve minoren që përdorin dhunë me maska, ju hiqet kujdestaria 15 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Editoriale Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë – Ide 5 lexime · 2 ditë më parë
  3. 03
    Politikë Radonshiqi: Dëmi ekonomik është më i madh seç është deklaruar, faturën do ta paguajnë qytetarët 4 lexime · 14 orë më parë
  4. 04
    Editoriale ERA QË NUK NDALET MË! – Blog 2 lexime · 2 ditë më parë
  5. 05
    Politikë Akuzat për korrupsion ndaj qeverisë shqiptare? Blakeman: SHBA mbështet zgjedhje të lira dhe liri biznesi 2 lexime · 2 ditë më parë
  6. 06
    Kronikë Protesta, studentja për Report Tv: Jemi kundër dhunës, duam zgjidhje politike! Ogreni: Ka protestues që kanë kontakte me ‘Listën Studentore’ serbe (VIDEO) 1 lexime · 15 orë më parë
  7. 07
    Ekonomi Ulja e TVSH-së për ushqimet dhe rritja e taksave me 120 milionë euro për bizneset/ Si do të rriten çmimet dhe korrupsioni nga paketa e re fiskale e Qeverisë 1 lexime · 13 orë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Sociale

Divjakë/ Flakët rrezikuan pyllin e parkut kombëtar, kapet 29-vjeçari! Ndezi zjarr në Kryekuq (VIDEO)

Një 29-vjeçar dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Kryekuq të Divjakës, duke rrezikuar përhapjen e flakëve drejt…

• 15 orë më parë • 1 min lexim
Sociale

Të miturit përballë ligjit, Gogu: Përfshirja në dhunë nuk mbetet pa pasoja, përgjegjësia për krimet nis në 14 vjeç! (VIDEO)

Edhe të miturit mund të mbajnë përgjegjësi penale nëse përfshihen në akte dhune. Këtë e sqaroi sot Ministri…

• 2 ditë më parë • 2 min lexim
Sociale

Vranësira të dendura dhe rrebeshe shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme (VIDEO)

Një qendër e presionit të ulët atmosferik, e zhvilluar përkatësisht mbi Adriatik, do të sjellë në vendin tonë…

• 3 ditë më parë • 1 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by CookieAdmin
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by CookieAdmin