Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Kronikë
  3. Protesta përshkallëzon në zjarre! Molotovë Gjykatës së Lartë e Bankës së Shqipërisë te ish-hotel Dajti! Digjet banka private, plaçkiten biznese! 21 efektivë dhe 13 protestues të lënduar
Kronikë

Protesta përshkallëzon në zjarre! Molotovë Gjykatës së Lartë e Bankës së Shqipërisë te ish-hotel Dajti! Digjet banka private, plaçkiten biznese! 21 efektivë dhe 13 protestues të lënduar

• 17 Tetor, 2026 • 32 min lexim
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

Tirana përjetoi këtë të shtunë një nga ditët më të vështira. Përplasjet e nisura paradite pranë ministrisë së Arsimit, i lanë vendin një shpërthimi të dhunshëm në bulevardin kryesor përpara Kryeministrisë. Për orë të tëra pati një betejë me breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh të fuqishme drejt policisë e cila u përgjigj me pompat e ujit e gazlotsjellës. Në mbrëmje forca të shumta të Rendit arritën të largojnë nga sheshi turmën e cila u shpërnda nëpër rrugët e qytetit duke djegur çfarë i dilte përpara, mes tyre dhe Bankën e Shqipërisë e Gjykatën e Lartë. Deri më tani raportohet për 21 efektivë dhe 12 protestues të lënduar.

Vetëm një mbrëmje më parë, protestuesit ishin larguar nga sheshi duke i dhënë ujë dhe përqafime policëve. Por, rikthimi sot në orën 11:00 në Ministrinë e Arsimit ishte sërish me akte dhune. Për 4 orë, rruga para Ministrisë së Arsimit u kthye në një shesh beteje, me sulme me molotovë, fishekzjarrë e gurë në drejtim të efektivëve. Policia ndërhyri disa herë me ujë e gaz lotsjellës, ndërsa në një episod përdori edhe plumba gome. Sulmeve nuk u shpëtoi as Ambasada e Vatikanit, ku protestuesit i vunë flakën kabinës së rojës.

Në orën 15:00 arena e përplasjeve u zhvendos në sheshin përballë Kryeministrisë, me sulme të ashpra për 4 gati 4 orë rresht. Breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh në drejtim të efektivëve, ndërsa njërit prej tyre iu rrezikua seriozisht jeta pas një shpërthimi me molotov në këmbë. Episodi i rëndë ishte edhe djegia e një makine me targa franceze. Shtëllunga të mëdha tymi u përhapën në bulevard, ndërsa policia reagoi menjëherë me shpërndarjen e protestuesve. Një grup u zhvendos te blloku i ambasadave, ku sulmeve nuk i shpëtoi as autoriteti i Sigurisë Kombëtare.

Një grup protestuesish të maskuar mësynë te zyrat e Bankës së Shqipërisë te Ish-Dajti duke e sulmuar me shufra hekuri e breshëri gurësh. Më pas një bombë molotov hidhet në hyrje duke shkaktuar një shpërthim të madh flakësh. Ishte ky moment që solli reagimin e forcave RENEA të cilat dolën në terren.

Një tjetër zjarr i madh shpërtheu, por kësaj radhe te Gjykata e Lartë. Flakët e fuqishme kishin nisur në ambientet e katit të parë të një biznesi privat, por me shpejtësi përpinë edhe zyrat e Gjykatës dhe një makinë që ndodhej aty pranë. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të shuar flakët, po ashtu edhe në një tjetër bankë private në rrugën “Myslym Shyri”. Me ndërhyrjet e herëpashershme të policisë, protestuesit u shpërndanë nëpër rrugët e Tiranës duke plaçkitur biznese.

Lajmi në përditësim….


Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 21:24

Policia marshon nëpër qytet për të shpërndarë protestuesit, disa të shoqëruar! Një të mituri i bie të fikët, lihet i lirë (VIDEO)

Pas kaosit nëpër rrugët e kryeqytetit dhe incidenteve të shumta që pasuan në zjarrvënie e plaçkitje, policia ka nisur me shpërndarjen e protestuesve. Forca policie dhe ujëhedhëse po marshojnë nëpër qytet duke ndaluar protestues. Në ish-Bllok ka disa të shoqëruar.

Gjatë ndalimeve, një të mituri i ka rënë të fikët, por policia e ka lënë të lirë.

Ora 20:43

Vijon rrëmuja në Tiranë, protestuesit bllokojnë rrugën me tabelën e dekorit (VIDEO)

Në kryqëzimin mes “Rrugës së Dibrës” dhe asaj të “Barrikadave”, protestuesit kanë hedhur një nga tabelat që përdoret për dekor.

Ora 20:35

Spahiu viziton policët dhe protestuesit e lënduar te ‘Trauma’: Kujdes dhe ndihmë mjekësore pa asnjë dallim (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivët e policisë dhe protestuesit e lënduar. Efektivët shihen me lëndime në këmbë e në fytyrë.

“Mirënjohje për të gjitha ekipet mjekësore dhe infermierore, që gjatë këtyre pesë ditëve kanë qenë pa ndërprerje në krye të detyrës, duke ofruar kujdes dhe ndihmë mjekësore për çdo të lënduar, pa asnjë dallim. Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka!”, shprehet ministrja.

Ora 20:30

Agjencia për Media dhe Informim apel protestuesve: Mos pengoni ambulancat, rrezikohet jeta e qytetarëve

1790010071_ambulance.jpg

Agjencia për Media dhe Informim u ka bërë thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë lëvizjen e ambulancave dhe të respektojnë punën e ekipeve të Urgjencës Mjekësore.

Përmes një mesazhi publik, Agjencia thekson se ambulancat dhe personeli mjekësor janë në shërbim të jetës së çdo qytetari dhe se bllokimi i tyre mund të rrezikojë personat që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

“Pengimi i saj nuk është protestë! Është një veprim që rrezikon jetën e njerëzve që presin ndihmë urgjente”,thuhet në apelin e Agjencisë.

Ajo u bën thirrje protestuesve të respektojnë personelin shëndetësor dhe të garantojnë kalimin e lirë të ambulancave, duke theksuar se asnjë rrethanë apo situatë tensioni nuk justifikon pengimin e shërbimit të urgjencës.

“Respektoni bluzat e bardha! Hapni rrugën për ambulancat! Jeta e njeriut është mbi gjithçka!”,përfundon apeli.

Ora 20:26

Plaçkitje te ‘Rruga e Dibrës’, policia u vihet pas protestuesve, ata sulmojnë me gurë (VIDEO)

Protestuesit ishin ulur në hyrje të “Rrugës së Dibrës” e të tjerë po vidhnin disa prej bizneseve, kur forcat e policisë erdhën nga Rruga e Barrikadave. Në kryqzimin e këtyre rrugëve ka ende biznese të hapura, ndërsa flakadanë dhe 3 kosha mbeturinash po digjen.

Policia u është vënë pas protestuesve që janë shpërndarë nëpër qytet dhe në rrugica. Efektivët kanë edhe pushkë që gjuajnë fishekë gome, ndërsa protestuesit po sulmojnë me gurë. Autoritetet po përdorin edhe gaz lotsjellës.

Ora 20:23

Protestuesit shkatërrojnë bankomatin (VIDEO)

Protestuesit shkatërrojnë bankomatin e njërës prej bankave të nivelit të dytë që ndodhet në hyrje të “Rrugës së Dibrës.”

Ora 20:18

Protestuesit thyejnë qepenin e dyqanit të një kompanie celulare, plaçkisin celularë e pajisje (VIDEO)

Protestuesit u zhvendosën në hyrje të “Rrugës së Dibrës”, ku thyen xhamat e një prej dyqaneve të një operatori telefonik.

Me shufra hekuri, arritën të hapnin edhe qepenin dhe hynë brenda, duke marrë modemë interneti dhe celularë.

Gjatë rrugës, vijuan me djegien e koshave të mbeturinave dhe shkatërrimin e gjithçkaje që u dilte përpara. Ndërkohë, para Kryeministrisë nuk kishte më asnjë protestues.

Ora 20:10

Protestuesit sulme nëpër Tiranë, vijojnë me djegien e koshave, shkatërrojnë tabela! Shënjestrojnë edhe kioskat (VIDEO)

Protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët e kryeqytetit. Një pjesë e tyre ndodhen në qendër, mbrapa shtëpisë së Ismail Kadaresë ku po djegin kosha mbeturinash ndërsa një autobot shuan flakët.

Protestuesit po shkatërrojnë edhe tabela rrugore si dhe kanë tentuar të dëmtojnë edhe një kioskë.

Read more:Protestues të maskuar futen në Bashkinë e Tiranës, ndezin brenda flakadanë! Sulm Ministrisë së Arsimit, shkatërrojnë biznese e vënë zjarre në rrugë! 13 të lënduar, 6 prej tyre policë, dhjetëra të shoqëruar (VIDEO)

Ora 19:23

Aksion në sheshin ‘Skënderbej’, zbarkojnë automjetet e policisë (VIDEO)

Policia ka hyrë me një mori automjetesh në sheshin “Skënderbej” për të shpërndarë protestuesit.

Ora 19:21

Shtëllunga tymi dhe flakë në kazanat e plehrave përballë Tajvanit (VIDEO)

Protestuesit kanë vijuar me marshimin e tyre ku shihen se u kanë vënë flakë disa koshave mbeturinash.

Disa prej kazanave shihen shtëllunga tymi ku janë përfshirë nga flakët në rrugën përballë kompleksit Tajvan, pranë Parkut Rinia në Tiranë.

Ora 19:18

Zjarrfikësit shuajnë flakët e frikshme te Gjykata e Lartë (VIDEO)

Zjarrfikësit kanë shuar flakët e frikshme që përfshinë godinën e Gjykatës së Lartë. Zjarri, i shkaktuar nga sulmi me molotovë i protestuesve, nisi në një biznes në katin e parë, ngjitur me godinën e Gjykatës së Lartë. Por flakët u përhapën edhe në zyrat e gjykatës, po në katin e parë.

Ora 19:18

Lëndimet në protestë, 21 efektivë dhe 16 protestues në spital

1792257797_protestatkunderqeverise.jpg

21 efektivë dhe 16 protestues janë lënduar nga përplasjet e protestës së sotme. 16 efektivë dhe 2 protestues janë te Spitali i Traumës.

Te spitali “Nënë Tereza” ndodhen 1 polic dhe 2 protestues.

Ora 19:11

Tjetër zjarrvënie nga protestuesit, i vënë flakën bankës te ‘Myslym Shyri’ (VIDEO)

Protestuesit po shkaktojnë disa zjarrvënie njëkohësisht. Pas urës te Piramida dhe godinës së Gjykatës së Lartë, është radha e një tjetër filiali banke. Bankës, e cila ndodhet te rruga “Myslym Shyri”, i kanë thyer xhamat dhe më pas, i kanë vënë flakën.

Ora 19:03

Nën tingujt e kambanës, protestuesit i vënë flakën dhe urës te Piramida

Sipas raportimeve disa protestues nga ana tjetër i kanë vënë flakën urës te Piramida, teksa kumbon kambana e kishës.

Pak kohë më parë ata po hidhnin fishekzjarrë në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët janë rreshtuar me mburoja për të përballuar situatën.

Ndërkohë, ura te Piramida sipas pamjeve nga Report Tv shihet në zjarr.

Ora 18:59

Rëndohet situata, zjarr i frikshëm në katin e parë të godinës së Gjykatës së Lartë! Merr flakë edhe një automjet (VIDEO)

Protestuesit i kanë vënë flakën një ambienti ngjitur me Gjykatën e Lartë. Zjarri, i cili ndodhet në katin e parë të godinës, shihet të ketë marrë përmasa teksa sirena e alarmit nuk resht. Edhe ambiente të tjera të të njëjtit kat janë në flakë. Këto të fundit po përhapen drejt katit të dytë.

Një makinë pranë godinës është përfshirë nga flakët dhe ka shpërthyer. Në vendngjarje sapo ka mbërritur edhe zjarrfikësja.

Ora 18:48

I mbuluar nga gurët e molotovët, pamjet e bulevardit pas shpërndarjes së protestuesve! Forcat RENEA në terren, mbërrijnë te kryeministria (VIDEO)

Duke përdorur sasi të larta gazi lotsjellës, policia ka arritur të shpërndajë turmën pasi i vuri flakën ish-hotel ‘Dajtit’, pjesë e Bankës së Shqipërisë. Në bulevard, shihen pllakat e shkulura vendit që mbulojnë rrugën, gurë, bojë e kuqe dhe mbetjet e molotovëve.

Ka ende vatra zjarri nëpër rrugë. Ndërkohë forcat RENEA sapo kanë mbërritur te kryeministria.

Ora 18:46

Zjarr nga molotovët e protestuesve te ish-hotel ‘Dajti’, ndërhyn RENEA (VIDEO)

Forcat RENEA kanë zbritur në terren pas përkeqësimit të përplasjeve në bulevard. Protestuesit sapo i kanë vënë flakën derës kryesore të ish-hotel ‘Dajtit’.

Ora 18:40

VIDEO/ Momenti kur shpërthen në flakë dera e Bankës së Shqipërisë! Të maskuarit sulme me shufra hekuri, nuk resht hedhja e gurëve

Protestuesit kanë hedhur molotovë drejt ish-hotel ‘Dajtit’ ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë ku hyrja shpërtheu në flakë.

Protestuesit po vijojnë të hedhin edhe gurë duke thyer xhamat dhe po mundohen të shkallmojnë edhe derën.

Ora 18:31

U dogj nga molotovët e protestuesve, pamjet e makinës të shkrumbuar me targa franceze (VIDEO)

Kjo është makina me targa franceze që protestuesit i vunë flakën pak më parë duke hedhur molotov. Zjarri tanimë është shuar dhe duket sesi automjeti është plotësisht i shkrumbuar.

Ora 18:14

Pamje të frikshme! Polici goditet me molotov, i merr flakë këmba! Rrotullohet në pellgun e ujit për të fikur zjarrin, kolegët e marrin në krahë për ta larguar (VIDEO)

Disa policë janë goditur me molotov në këmbë. Në pamje shihet sesi ai ka marrë flakë, këpuca iu dogj plotësisht. Për ta fikur, ai rrotullohet menjëherë te një pellg uji, ndërsa edhe shokët përpiqen ta ndihmojnë.

Më pas e marrin në krahë dhe e largojnë.

Ora 18:05

Protestuesit vijojnë me hedhjen e molotovëve, flakë para makinës ujëhedhëse

1792253233_protestatkunderqeverise.jpg

Molotovët e hedhur nga protestuesit kanë shkaktuar flakë para një tjetër makine ujëhedhëse. Në bulevard ka mbërritur edhe një autobot i katërt me ujë.

Ora 17:52

Përshkallëzon kundërpërgjigjja e policisë, zmbraps protestuesit dhe shoqëron të tjerë

1792251995_protestakunderqeverise.jpg

Policia ka përshkallëzuar reagimin ndaj protestuesve te bulevardi “Dëshmorët e Kombit.” Policia është vendosur bashkë me autobotin e ujit dhe automjete të tjera te ura e Lanës, pranë Parkut Rinia dhe ka nisur me shoqërimet.

Read more:LIVE TV- ‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve të kryeqytetit! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore të vendit, zjarr 3 ministrive dhe 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private, 35 të shoqëruar

Ora 17:44

Përplasjet e protestuesve me efektivët te bulevardi, kryepolici Hita shkon në terren i pajisur me maskë kundra-gaz! Inspekton nga afër situatën

Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zbritur vetë në terren, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku prej afro 3 orësh vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve.

Hita ka qenë i pajisur me maskë kundragaz dhe i rrethuar nga disa efektivë policie. Ai ka inspektuar situatën në terren, pas përplasjeve të forta mes protestuesve e efektivëve të Policisë.

Ora 17:33

Kaos në bulevard, protestues të maskuar sulmojnë me pllaka trotuari dhe molotovë efektivët! Blutë nisin të tërhiqen

1792251252_dytiyfp.JPG

Bulevardi Dëshmorët e Kombit, por edhe zona të tjera në Tiranë, duket sikur janë në gjendje lufte.

Protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë, pllaka trotuari, molotovë, llastiqe e sende të forta mbi punonjësit e policisë, institucionet, bizneset private dhe çdo gjë tjetër të mundshme.

Në momentet e fundit, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, efektivët e Policisë kanë qenë në vështirësi përballë sulmeve të vazhdueshme me gurë nga protestuesit.

Në grup, ata kanë ngritur mburojat për t’u mbrojtur nga gurët dhe kanë nisur tërheqjen graduale pas.

Ora 17:26

Protestuesit shfrytëzojnë rastet, sulme me gurë ndaj disa efektivëve te Piramida (VIDEO)

Ura te Piramida si dhe sheshi i saj duket të jenë pika që protestuesit po i shfrytëzojnë për të sulmuar me gurë policët, të cilët në këto hapësira, janë më të paktë në numër.

Ora 17:19

Lëndohet efektivi, shokët e ndihmojnë të largohet nga sulmet e protestuesve! Shihet duke çaluar e kërcyer mbi njërën këmbë (VIDEO)

Një tjetër efektiv është lënduar në protestë. Fillimisht ai shihet pranë formacionit të krijuar me mburoja, me vështirësi për të lëvizur pasi duket se gurët e kanë lënduar në këmbë.

Më pas, mbahet te kolegët që përpiqen ta largojnë nga zona e sulmit të protestuesve. Ai kërcen mbi njërën këmbë, si dhe çalon.

Ora 17:10

Protestuesit sulme edhe Autoritetit të Sigurisë Kibernetike, flakë në muret e godinës

Protestuesit kanë sulmuar me gurë e molotovë edhe Autoritetit të Sigurisë Kibernetike. Në muret rrethuese të godinës, ku ndodhen bimët, ka flakë.

Ora 17:09

15 të lënduar marrin ndihmën mjekësore, mes tyre protestues dhe efektivë policie

1792250169_qsut1068x6481.jpg

Aktualisht 15 persona të lënduar janë paraqitur për të marrë ndihmën mjekësore.

Sipas përditësimit të orës 17:00, në Spitalin e Traumës janë paraqitur 9 protestues, 4 efektivë policie dhe një kalimtar, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ po ekzaminohet një efektiv tjetër.

Tre protestues dhe dy efektivë kanë marrë mjekim dhe janë larguar nga spitali. Të lënduarit janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar.

Ora 17:04

Grupi me maska vijon sulmet me gurë, protestuesit e tjerë i afrohen urës së Lanës! Shtohen forcat e policisë

1792249597_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit duken të jenë sprapsur në këtë moment duke i dhënë një lloj ‘frymëmarrjeje’ situatës së tensionuar në bulevard. Vetëm një grup i vogël i maskuar ndodhet pranë autobotit të ujit duke qëlluar me gurë, ndërsa pjesa tjetër është zhvendosur te ura e Lanës.

Vihet re se ka shtim të forcave të policisë.

Ora 16:56

Lirohen protestuesit e shoqëruar në Shkodër, djegin koshat e mbeturinave në rrugë! Nisen drejt Bashkisë (VIDEO)

Policia ka liruar protestuesit e shoqëruar në Shkodër, mes tyre një fëmijë 10 vjeç. Ndërkohë protesta ka vijuar, ku protestuesit kanë dhe rrëzuar dhe djegur kazanët e mbeturinave në rrugë, si dhe kanë thyer tabela.

Marshimi vijon, ndërsa protestuesit raportohet se janë nisur drejt Bashkisë.

Ora 16:51

Protestuesi i maskuar hipën mbi autobotin e ujit

1792248246_kydjaliivpgelsiperbotit.png

Një djalë i vogël i maskuar ka hipur mbi një prej autobotëve të ujit.

Ora 16:49

Protestuesit armatosen me fishekzjarre, i lëshojnë me breshëri drejt policisë (VIDEO)

Moment i rrezikshëm në protestë. Në këto pamje që sjell Report Tv, protestues të maskuar, janë armatosur me fishekzjarrë. Ata sulmojnë me breshëri efektivët e policisë.

Ora 16:44

Situatë e rrezikshme në bulevard, zona mbulohet nga shtëllunga e tymit të zi (VIDEO)

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbështjellë tashmë nga një re e dendur tymi të zi, i shkaktuar nga një makinë me targa franceze që po digjet, pas molotovëve të hedhur nga protestuesit.

Flakët nuk janë shuar nga autoboti i ujit.

Ora 16:40

PAMJET ME DRON/ Momenti kur makina me targa franceze shkrumbohet nga zjarri, protestuesit vijojnë sulmet me fishekzjarrë

Një makinë me targa franceze kishte ngecur në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, ndërsa protestuesit po sulmonin ashpër efektivët e policisë.

Read more:‘Janë 3 orë përgjime’/ Ahmetaj: Javën tjetër do publikojmë edhe dy pasazhe të tjera. Monaco…

Fillimisht disa prej protestuesve e vendosën mbi makinë një çadër me flamurin kombëtar. Por shumë shpejt, i harruan aktet patriotike dhe iu kthyen akteve guerile.

Makina, e cila ndodhej përballë piramidës, u mor zvarrë nga protestuesit me maska dhe iu vu flaka.

Pamjet me dron të Report TV tregojnë momentin kur flakët shkrumbojnë totalisht makinën, ndërsa protestuesit vijojnë sulmet me fishekzjarrë në drejtim të efektivëve.

t

Ora 16:35

Protestuesit të pandalshëm me sulmet me gurë, nuk tërhiqen as nga gazi e uji lotsjellës (VIDEO)

Rinis një valë e dhunshme sulmesh me gurë nga protestuesit, të cilët nuk po zmbrapsen as nga uji e as nga gazi lotsjellës. Protestuesit po përdorin edhe fishekzjarrë.

Ata janë të shumtë në numër dhe duket se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është kthyer në një fushëbetejë. Në rrugë shihen pllaka të panumërta.

Ora 16:29

Tensionet në protestë, policia krijon formacione mbrojtëse me mburojat (VIDEO)

Policia ka krijuar disa formacione mbrojtëse pranë autobotëve të ujit, pasi një prej tyre mori flakë pak më parë për shkak të molotovëve të hedhur nga protestuesit.

Një grup efektivësh, duke përdorur mburojat e tyre, janë grumbulluar për të krijuar një ‘çadër’ ndaj gurëve e molotovëve.

Ora 16:20

Nuk reshtin molotovët e protestuesve, merr flakë autoboti i ujit (VIDEO)

Protestuesit po vijojnë të hedhin molotovë e gurë drejt efektivëve. Molotovët kanë kapur edhe autobotin e ujit, i cili tanimë ka marrë flakë.

Ora 16:16

Makina me targa franceze ‘ngec’ në protestë, protestuesit ‘e mbrojnë’ me flamurin kombëtar (VIDEO)

Një makinë me targa franceze është bllokuar në mes të përplasjeve mes protestuesve e policisë te bulevardi “Dëshmorët e Kombit.” Automjeti duket të ketë ‘ngecur’ përballë Piramidës, në pamundësi për të vijuar më tutje.

Protestuesit i janë afruar dhe për ta ‘shenjuar’ që mos të sulmohet, i kanë vendosur një çadër me simbolin e flamurit kombëtar.

Ora 15:56

Policia spraps protestuesit nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, disa të shoqëruar (VIDEO)

Protestuesit po tërhiqen nga kryeministria, pas reagimit të policisë me gaz lotsjellës e ujë. Ndërkohë ka nisur edhe sprapsja e protestuesve përdorur shkopinj gome, si dhe shoqërime.

Ora 15:44

Protestuesit fshihen pas ‘mburojës’, nuk reshtin sulmet me gurë drejt policisë (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar kanë marrë një lloj kompensate për ta përdorur si mburojë kundrejt gazit lotsjellës, teksa vijojnë të sulmojnë me gurë e sende të forta.

Ora 15:43

Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ brenda ‘resë’ së gazit lotsjellës, protestuesit sulm me ‘breshëri’ gurësh! 3 autobotë uji në ‘aksion’ (VIDEO)

Kulmon tensioni para kryeministrisë. I gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është i mbushur me gaz lotsjellës. 3 makineri po hedhin ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit shkulin pllakat e bulevardit dhe hedhin gurë drejt efektivëve.

Ora 15:34

Kosha të djegur e tabela të thyera në rrugë, shoqërohen disa protestues në Shkodër (VIDEO)

Gjatë marshimit të tyre, protestuesit në Shkodër po djegin koshat e mbeturinave në mes të rrugës dhe po thyejnë tabelat. Policia ka shoqëruar disa prej tyre.

Ora 15:33

Mes gazit lotsjellës e gurëve, protestuesi fal namazin (VIDEO)

Një protestues me maskë kundërgaz është mënjanuar për pak çaste nga protesta dhe është vendosur te Kullat Binjake, ku po fal namazin.

Ndërkohë rreth tij, ka vetëm tym, gaz lotsjellës e gurë që fluturojnë në ajër.

Ora 15:28

3 protestues mbërrijnë te Spitali i Traumës

1791925327_spitaliitraumes.jpg

Aktualisht, 3 protestues sapo kanë mbërritur në Spitalin e Traumës në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëdijshëm.

Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.

Ora 15:26

Protesta në Tiranë, tre protestues mbërrijnë në SUT!

1792240651_protestatkunderqeverise.jpg

Aktualisht, janë 3 protestues sapo kanë mbërritur në SUT. Gjendje e mirë shëndetësore. Po marrin trajtim në urgjencë.

Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.

Ora 15:18

Protestuesit sulmojnë me gurë e molotovë, policia hedh ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)

Protestuesit ndodhen përpara kryeministrisë, ku policia ka ngritur një kordon sigurie. Në vijën e parë ndodhet autoboti i cili hedh vazhdimisht ujë e gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Këta të fundit po sulmojnë efektivët me breshëri gurësh e molotovësh.

Read more:Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbani fëmijët larg protestës

Ora 15:15

Pas 4 orësh te Ministria e Arsimit, protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë! Policia hedh gaz lotsjellës nga tarraca e Ministrisë së Brendshme (VIDEO)

Pas 4 orëve te Ministria e Arsimit ku herë pas here ka pasur përplasje me policinë, protestuesit kanë nisur të marshojnë. Ata janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po i drejtohen kryeministrisë.

Ndërkohë në tarracën e Ministrisë së Brendshme gjenden policë që hedhin gaz lotsjellës, kundrejt të cilëve protestuesit lëshojnë brohorima e reagime të revoltuara.

Ora 14:41

Tymi mbulon Rrugën e Durrësit, protestuesit sulm me pllaka trotuari dhe molotovë policëve! Efektivët u përgjigjen me gaz lotsjellës e ujë (VIDEO)

Rruga e Durrësit në kryeqytet është kthyer në një ‘skenë lufte’, pasi protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë dhe sende të fortë drejt Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të Policisë, ndërsa këta të fundit u janë përgjigjur me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Edhe në momentet e fundit, protestuesit po vijojnë të sulmojnë me pllaka trotuari, molotovë e sende të forta ndaj efektivëve, ndërkohë që tymi ka mbuluar gjithë zonën.

Ora 14:31

Protestuesit e maskuar ‘paradë’ në Rrugën e Durrësit (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar kanë parakaluar ditën e sotme në Rrugën e Durrësit, ku po zhvillohet për të pestën ditë protesta e dhunshme kundër Qeverisë.

Gjatë ‘paradës’, ata jaën përshëndetur, përqaruar e duartrokitur nga protestues të tjerë që ishin të pranishëm në tubim.

Ora 14:20

Një ‘flutur’ mes protestuesve të dhunshëm në Tiranë (VIDEO)

Mes protestës së dhunshme që po zhvillohen në Rrugën e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit, ku persona të maskuar po përballen me efektivët e Policisë me gurë e sende të forta, një vazjë, me ‘krahë’ si të një fluture, është shfaqur mes protestuesve.

Ajo gjithashtu ka vendosur në kokë një fjongo, në të cilën janë ngjitur edhe dy simbole të një fluture.

Ora 14:13

Protesta e dhunshme në Tiranë, një personi i bie të fikët! Ambulanca i shkon në ndihmë (VIDEO)

Një person nuk është ndjerë mirë dhe i ka rënë të fikët gjatë protestës së dhunshme që po zhvillohet ditën e sotme në Tiranë.

Menjëherë një autoambulancë ka shkuar në vendin ku ndodhej personi në fjalë, për t’i dhënë atij ndihmën e parë mjekësore.

Ora 14:05

Protestuesit tjetër sulm ambasadës së Vatikanit, i vënë flakën kabinës së rojës (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar sërish ambasadën e Vatikanit, që ndodhet në hyrje të rrugës së Durrësit. Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, ata i kanë vënë flakën kabinës së rojës.

Edhe tre ditë më parë ambasada e Vatikanit ishte pre e sulmeve të protestuesve të maskuar, të cilët shkulën flamurin.

Ora 13:56

Sulm me molotovë në drejtim të efektivëve, policia reagon me ujë dhe gaz! Shpërndahen protestuesit (VIDEO)

Protestuesit e maskuar kanë sulmuar me molotovë në drejtim të efektivëve. Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë. Disa nëpër rrugicat pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër është zhvendosur afër sheshit Skëndërbej, në fillim të rrugës së Durrësit.

Ora 13:50

Sulmet e protestuesve me gurë ndaj efektivëve, Policia reagon me fishekë gome (VIDEO+FOTO)

Sulme të ashpra me gurë e molotovë ndaj efektivëve në protestë. Në një moment, mes sulmeve me gurë dhe molotovë ndaj efektivëve, një polic u filmua duke përdorur një armë që qëllon me fishekë gome, siç shihet edhe në video. Megjithatë, policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.

Ora 13:24

Me kostum panda dhe pankartën ‘Mos dhunoni nxënës e studentë’, protestuesi bën ‘show’ para policëve (VIDEO)

Një protestues i veshur me kostum panda ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit. Me një pankartë ku shkruhej “Mos dhunoni nxënës e studentë” dhe mesazhe të tjera në kostum, ai ka kërcyer përballë efektivëve të policisë.

Ora 13:09

Protestuesit sulme të ashpra me gurë efektivëve, policia heq ‘bllokadën’ me kangjella nga rruga (VIDEO)

Ndonëse qëndruan një orë të qetë para Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën sulme të ashpra me gurë në drejtim të efektivëve. Këta të fundit u përgjigjen me gaz lotsjellës dhe hoqën edhe bllokadën me kangjella që kishin vënë protestuesit në mes të rrugës.

Ora 12:55

Mësuesi i bashkohet nxënësve në protestën në Korçë: Jo akteve të dhunës! (VIDEO)

Një grup të rinjsh po marshojnë në pedonalen e Korçës me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Protestës i është bashkuar edhe mësuesi i gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, Leonidha Puqi.

Ai thotë se e kanë ftuar vetë nxënësit, ndërsa u bën thirrje të protestojnë paqësisht, pa shkaktuar dëme.

Ora 12:55

Elbasan, adoleshentët përqafohen me policët në protestë (VIDEO)

Protesta e të rinjve në Elbasan nisi me një numër dukshëm më të ulët pjesëmarrësish, krahasuar me tubimet e mëparshme. Të rinjtë kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit Edi Rama: “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Ngrihuni nga kafja”.

Më pas shkuan te Bashkia, ku pati një moment paqeje mes policëve dhe protestuesve, kryesisht fëmijë dhe adoleshentë. Nuk munguan as përqafimet dhe një foto e përbashkët në shkallët e Bashkisë.

Ora 12:50

Përshkallëzohen tensionet, protestuesit hedhin vezë, gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policëve! Ndërhyhet me gaz lotsjellës (VIDEO)

Tensionet përshkallëzohen në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë nisur të hedhin vezë dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Ndërhyhet me gaz lotsjellës.

Ora 12:25

Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit djegin koshat në mes të rrugës (VIDEO)

Protestuesit mblodhën koshat e plehrave para Godinës së Ministrisë së Arsimit dhe i vunë flakën në mes të rrugës.

Read more:Shisnin drogë në shkollat e Tiranës, identifikohen 52 shpërndarës! 38 në pranga, 14 në kërkim! Pamjet me dron kur kryejnë shitjet (EMRAT)

Ora 12:22

Protesta/ I riu për Report Tv: Mbarojmë universitetin, por s’gjejmë punë! Paga të ulëta, duhet të ndryshojë klasa politike (VIDEO)

Ersli Selimi, një i ri që i është bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit, thotë për Report Tv se të rinjtë përballen me mungesën e vendeve të punës, pagat e ulëta dhe koston e lartë të jetesës. Ai kërkon edhe ndryshimin e klasës politike.

“Dal të protestoj sepse për të rinjtë që sapo dalin nga shkolla nuk ka vende pune. Kam studiuar administrim biznesi, kam filluar punë, por inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës. Sapo del nga universiteti, të kërkojnë 3 vite eksperiencë. Ose e nis me rrogën më të ulët. Kërkesat janë të dish dy-tre gjuhë të huaja, të kesh shumë eksperiencë, ndërkohë që rroga që merr është shumë minimale dhe nuk mbulon kostot e jetesës. Të shkosh në market është njësoj si të porosisësh online, që më parë kishte një diferencë shumë të madhe. PD duhet të riorganizohet ose të ndryshojë komplet dhe të krijohet një parti e re me njerëz të rinj që mund të na përfaqësojnë ne. Duhet të dalë një politikë e re”, thotë i riu.

Ora 12:13

Simbol për emigrimin, protestuesit i vënë flakën valixhes! E hedhin brenda Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Protestuesit i kanë vënë flakën një valixheje, si simbol i emigrimit, dhe e kanë hedhur brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.

Ora 12:12

‘Saimir Korreshi kryeministër’- Protestuesit për Report Tv: S’po dhunohemi nga policët, por nga persona të tjerë! Kemi dalë në shesh për kushtet e vështira ekonomike dhe qiratë e larta (VIDEO)

Protestuesit janë mbledhur sërish ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit, në ditën e pestë të tubimeve të dhunshme që po zhvillohen në Tiranë.

Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, ka marrë në pyetje disa prej protestuesve, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre dhe arsyet se përse janë ngritur në protesta.

Kushtet ekonomike, që pamundësonin studimin pa punuar dhe qiratë e shtrenjta ishin sipas tyre një prej arsyeve themelore që i kishte shtyrë të dilnin në protestë.

Një prej protestueseve, tha se nuk ishin efektivët e Policisë ata që dhunonin protestuesit, por persona të panjohur.

“Fillojmë që nga buka që hahet. Atje është kulmi pastaj. Sa për dijeni, vetë policat na e konfirmuan që këta janë thjeshtë për të mbrojtur. Ata të tjerët as që nuk i njohin dhe ata janë vetëm për të dhunuar. Ndërsa këta na e thanë vetë që ‘ne nuk jemi për të dhunuar, na kanë vënë këtu për të mbrojtur institucionin’. Jam studente. Fatmirësisht jam në një universitet privat, sepse shtetërorin nuk do e preferoja kurrë, për shkak të korrupsionit, nga kushtet, nga mësimdhënia, nga të gjitha këto. Më mirë pa shkollë, sesa në shtet. Ky është mendimi im. Kemi shokë që përveçse janë djegur, u’a vështirësojnë shumë”, tha një protestuese për Report Tv.

“Kërkojmë dorëheqjen, kaq”, tha një studente.

“Më fal, ju keni ankesa si person? Çfarë ankesash? Rrogën e keni të mirë? Ushqimet janë të larta? Qiratë janë të larta? Kaq. Dorëheqje! S’ka bërë gjë për 13 vite, si ti si unë të njëjtat kërkesa kemi”, tha një tjetër protestuese.

“Unë në fakt jetoj jashtë dhe kam ardhur për 5 muaj këtu në protestë. Unë jetoj në Angli në fakt, por kam ardhur në Shqipëri të rregulloj jetën time këtu. Sepse kemi një atdhe dhe problemi që kam hasur është me administratën. Unë s’kam patur mundësi që të mbaroj punë pa dhënë një kafe. Edhe kur kam bërë patentën këtu, unë duhet të paguaja 100 euro poshtë tavolinës. Sepse po të mos paguaje, ata thoshin se do na ngecnin. Unë jam rritur këtu deri në 12 vjeç, sepse kam pasur dëshirë të njoh realitetin shqiptar. Ne duam që të vijmë të ndihmojmë popullin shqiptar me arsimin që kemi marrë jashtë, por nuk na e japin shansin për ta bërë këtë”, tha një tjetër protestues.

Ndërsa një tjetër protestues tha se do të donte që kryeministër të zgjidhej deputeti demokrat Saimir Korreshi, pasi sipas tij, ai është i vetmi që do ta ndihmonte Shqipërinë.

“Jam 20-vjeç. Kam 150 ditë që protestojmë për të drejtat tona. Ky nuk donte me të mirë, por donte kështu. U kthyem kështu, por kemi policinë kundra. Shikoni si janë këta me mburoja. Ne edhe këto maska i vëmë sepse na ngelin në shkolla. Këta me mburoja na gjejnë në tokë dhe na rrahin na zhdëpin në dru. I kanë çuar qiratë nga 800 mijë lekë në muaj dhe rrogat tona nga 500 mijë lekë. Po rrimë nga 5-6 vetë nëpër shtëpi, sepse s’kemi ça bëjmë. Edhe punojmë edhe studiojmë, sepse po nuk punuam, nuk studiojmë dot. Ne e bëjmë në privat. Ata na thonë ‘nuk mësoni, kapeni në shtet’. Po ça të bëjmë, nuk i kemi të gjithë mundësitë, sepse bursa morën vetëm çunat e deputetëve e ministrave. Ne s’i morëm dot. Këtu s’ka asgjë të saktë, çdo gjë është e prishur. Duke filluar nga pedagogët, që vijnë pijnë kafe dhe ikin që aty. Duam vetëm të iki Edi Rama. Dua me shpirt vetëm Saimir Korreshin. Vetëm ai na bën punë ne, po s’na bëri ai, s’na bën njeri tjetër punë ne. Vetëm ai se kush tjetër, do vij Arlind Qori, apo ai Llapi”, tha protestuesi.

Ora 12:10

Protestuesit shkulin pllakat e trotuarit, i hedhin në rrugë (VIDEO)

Protestuesit kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë hedhur në mes të rrugës.

Ora 12:01

Protesta/ Nisin tensionet e para, protestuesit me maska shkulin kangjellat dhe vendosin në mes të rrugës (VIDEO)

Kanë nisur tensionet e para në protestën para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit me maska shkulën kangjellat e trotuarit pranë godinës së ministrisë dhe i vendosin në mes të rrugës.

Ora 11:49

Protesta në Durrës, dëmtohen xhamat e postës, nisin shoqërimet (VIDEO)

Protesta në Durrës nisi me revansh. Një grup të rinjsh dëmtuan fasadën prej xhami të Postës Shqiptare. Rreth 50-60 të rinj u grumbulluan fillimisht pranë Pallatit të Kulturës, vijuan marshimin drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe më pas drejt Postës, ku përmbysën disa kosha mbeturinash dhe goditën derën e institucionit.

Kjo është hera e dyte qe goditet Posta, të cilët e konsiderojnë simbol të vjedhjes. Kujtojmë se në hetim për vjedhjen e 700 mijë eurove janë ish-drejtoresha dhe disa punonjëse të institucionit.

Sakaq, policia ka nisur shoqërimet e të rinjve protestues.

Ora 11:47

Protestuesi i maskuar ngjitet mbi murin e Ministrisë së Arsimit, ngre flamurin ‘autokton’ (VIDEO)

Një protestues i maskuar është ngjitur mbi murin rrethues të Ministrisë së Arsimit, duke valëvitur flamurin ‘autokton’.

Ora 11:40

Tjetër moment paqeje, polici i jep dorën protestuesve të maskuar (VIDEO)

Në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, shënohet një tjetër moment paqeje mes protestuesve dhe policisë. Një efektiv i ka zgjatur dorën një protestuesi të maskuar, ndërsa deri më tani tubimi po zhvillohet pa incidente.

Ora 11:14

Efektivi shtyu me forcë 21-vjeçarin, protestuesi debat me policët: Ku është komandanti? Të vijë të mbajë përgjegjësi

Një protestues është përplasur verbalisht me një grup policësh, duke u kërkuar llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, në repartin e Neurokirurgjisë.

“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit. I keni arrestuar fëmijët pa të drejtë fare, duke ecur rrugëve”, u shpreh protestuesi.

Lexo edhe
Kronikë

LIVE TV- Bulevardi në ‘shesh beteje’, breshëri gurësh ndaj policisë! Sulm Kuvendit, zjarr derës te Ministria e Ekonomisë! Prej gati 1 ore paqe, protestuesit u japin ujë efektivëve

Kronikë

Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbani fëmijët larg protestës

Tags: #Adoleshentët #Aksion #Ambienti #ambulanca #angli #Armë #Ministria e arsimit #protestat kunder qeverise #Tirane

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • LIVE TV- Bulevardi në ‘shesh beteje’, breshëri gurësh ndaj policisë! Sulm Kuvendit, zjarr derës te Ministria e Ekonomisë! Prej gati 1 ore paqe, protestuesit u japin ujë efektivëve
  • Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbani fëmijët larg protestës
  • LIVE TV- ‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve të kryeqytetit! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore të vendit, zjarr 3 ministrive dhe 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private, 35 të shoqëruar
  • Protestues të maskuar futen në Bashkinë e Tiranës, ndezin brenda flakadanë! Sulm Ministrisë së Arsimit, shkatërrojnë biznese e vënë zjarre në rrugë! 13 të lënduar, 6 prej tyre policë, dhjetëra të shoqëruar (VIDEO)
  • Kaloi 26 kg kanabis drejt Greqisë, dënohet me 7 vite e gjysmë burg ish-shefi i Kufirit në Korçë
Nga të njëjtat tag-e
  • Fluturimet nga Izraeli drejt Tiranës ngrenë pikëpyetje në rrjet, Aeroporti i Rinasit sqaron: Asnjë avion shtesë, gjithçka sipas skedulit!
  • LIVE TV- Bulevardi në ‘shesh beteje’, breshëri gurësh ndaj policisë! Sulm Kuvendit, zjarr derës te Ministria e Ekonomisë! Prej gati 1 ore paqe, protestuesit u japin ujë efektivëve
  • “Rama duhet të ikë, e ka mbyllur ciklin”, studentët vijojnë protestën në Bulevard, gaz lotsjellës dhe arrestime gjatë natës
  • Paqja e të fortëve: Pse dhuna rikthehet përherë në politikën shqiptare – Blog
  • Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbani fëmijët larg protestës
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Editoriale Pse protesta qytetare po e lë anash Sali Berishën – Ide 8 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Politikë “Rama kanceri i Shqipërisë”/ Protestuesit dhe policia bëjnë paqe? I riu zbulon çfarë ndodhi para Kryeministrisë: Edhe këta janë shqiptarë! Ramë dakord të… 6 lexime · 24 orë më parë
  3. 03
    Politikë “Rama duhet të ikë, e ka mbyllur ciklin”, studentët vijojnë protestën në Bulevard, gaz lotsjellës dhe arrestime gjatë natës 5 lexime · 2 ditë më parë
  4. 04
    Editoriale Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt? – Ide 5 lexime · 22 orë më parë
  5. 05
    Editoriale Paqja e të fortëve: Pse dhuna rikthehet përherë në politikën shqiptare – Blog 3 lexime · 2 ditë më parë
  6. 06
    Ekonomi Rënia e euros krizë për bizneset, turistët vijnë por lokalet e hotelet në jug humbasin miliona nga zhvlerësimi i euros 3 lexime · 2 ditë më parë
  7. 07
    Sociale Fluturimet nga Izraeli drejt Tiranës ngrenë pikëpyetje në rrjet, Aeroporti i Rinasit sqaron: Asnjë avion shtesë, gjithçka sipas skedulit! 3 lexime · 1 ditë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Kronikë

LIVE TV- Bulevardi në ‘shesh beteje’, breshëri gurësh ndaj policisë! Sulm Kuvendit, zjarr derës te Ministria e Ekonomisë! Prej gati 1 ore paqe, protestuesit u japin ujë efektivëve

Një tjetër ditë tensionesh e përplasjesh të forta mes policisë dhe protestuesve këtë të premte në Tiranë. Djegiet…

• 1 ditë më parë • 32 min lexim
Kronikë

Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbani fëmijët larg protestës

Në ditën e tretë të përshkallëzimit të akteve të dhunës, Presidenti Bajram Begaj u ka bërë sërish thirrje…

• 2 ditë më parë • 21 min lexim
Kronikë

LIVE TV- ‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve të kryeqytetit! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore të vendit, zjarr 3 ministrive dhe 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private, 35 të shoqëruar

TIRANË– Tirana nuk e ka parë kurrë një ditë më parë si kjo e 14 tetorit. Disa qindra…

• 3 ditë më parë • 39 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by CookieAdmin
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by CookieAdmin