Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve ka kundërshtuar draftin e PS-së për pagat e magjistratëve. Ai u shpreh se drafti në fakt është në shkelje të Kushtetutës dhe se duhet një konsultim më i gjerë në mënyrë që gabimet të riparohen.
“Ligji i ri duhet të kthehet, duket t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë që të riparohet. Më vjen turp që paga ime është më e lartë se e profesorit tim, ai është anëtar I Gjykatës së Lartë. Besoj që edhe Rama nëse do të kishte një shpjegim të sajtë, nuk do të kuturiste në këtë shkelje të Kushtetutës”, u shpreh ai.
“Unë nuk kam frikë nga askush, kam frikë vetëm nga ai që është lart. Këtu nuk bëhet fjalë për pagën time, bëhet fjalë për të ardhmen e vendit, për ndërhyrjen e pushtetit. ne jemi gati të punojmë edhe 6 muaj pa lekë, jepuni lekë administratës. Ato do t’i jepni sepse e thotë Kushtetuta. Kjo është e sigurt. Nëse do bëni atentat dhe puc kushtetues pastaj është çështje tjetër”, shtoi më tej ai duke këmbëngulur që pagat do të paguhen sipas Kushtetutës.




