Nga 18 deri më 20 shtator, qyteti bregdetar mirëpret “DEA | FOCUS CineKO”, një program qe ka ne fokus kinematografinë shqiptare të realizuar përtej kufijve të Shqipërisë.
Çdo mbrëmje, qytetaret por edhe turistët që vijojnë të qëndrojnë në Sarandë, kanë mundësi të ndjekin filma nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Nën moton “Kinematografia shqiptare përtej kufijve”, organizatorët kanë zgjedhur këtë vit një formulë të veçantë.
“Sivjet kemi zgjedhur një formulë disi tjetër. Duke qenë se Saranda ka shumë të huaj dhe shumë shqiptarë nga diaspora, kemi zgjedhur të prezantojmë kinemanë e Kosovës, ose kinemanë jashtë kufijve”, tha Edmond Topi, regjisor.
Mbrëmja e parë solli “Karma”, me regji të Esat Fejzës, një prodhim i Kosovës i vitit 2026. Mbrëmjen e 19 shtatorit shfaqet “Krejt e thirrin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit, prodhim i vitit 2025 nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa mbrëmja përmbyllëse, më 20 shtator, i është rezervuar filmit “Cirku fluturues”, me regji të Fatos Berishës, një bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në Sarandë gjithmonë kam qenë me pushime, por këtë vit, si e ftuar në festival dhe koordinatore e programit të filmave të Kosovës, është emocion shumë i veçantë. Presim pjesëmarrjen e publikut, që të bëhemi bashkë me publikun e Sarandës dhe t’i shijojmë këta filma të bukur”, tha aktorja Valina Muçolli
Saranda është ende e mbushur me vizitorë të huaj edhe në mesin e shtatorit. Për këtë arsye, filmat, ndonëse në gjuhën shqipe, janë pajisur edhe me titra në anglisht, duke e bërë programin të aksesueshëm edhe për turistët.


