Profesori Ernver Bytyçi ka bërë një analizë të gjatë lidhur me situatën në Kosovë pas zhvillimeve të fundit lidhur me vendimin e Hagës, për ish-krerët e UÇK.
Në analizën e tij, gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë”, në News24, ai bëri edhe një apel të rëndësishëm për politikën në Kosovë që të bashkohen sepse nuk është koha për përçarje, pasi sipas tij plani i Serbisë ky është që të përçajë Kosovën. Po ashtu renditi edhe disa nga arsyet përse kryeministri Edi Rama i detyrohet një kërkim falje Kosovës dhe shqiptarëve.
“Plani i Serbisë është të realizojë përçarjen e politikës në Kosovë. Dhe për këtë politikanët në Kosovë duhet të bashkohen në një mendje. Të krijojnë institucione dhe të punojnë bashkë.
Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë sepse presionin për krijimin e Gjykatës e bëri duke e ditur se është interesi i Serbisë. Iniciativën për ndarjen e Kosovës e përkrahu e mbështeti, e ideoi bashkë me Vuçiç, por as kurrë nuk e pranoi por kurrë nuk e mohoi duke e ditur se është opsion pro Serbisë.
Minishengen që më pas u bë “Open Balkan”, jo vetëm e krijoi me Vuçiç, bëri presion dhe akuza kundër Kosovës pse nuk merrte pjesë sërish për interes të Serbisë. Pra për të gjitha këto nëse nuk kërkon ndjesë është i pabesueshëm si politikan apo lider që mund t’i shërbejë në të ardhmen çështjes shqiptare.
Efektet negative janë ato që mund të shfrytëzojë Serbia, por nuk ka shumë hapësirë. Por dua të them se qeveria e Kosovës dhe klasa politike duhet të bashkohet. T’i kërkojnë ndjesë Albin Kurtit që e kanë akuzuar që nuk bashkëpunon me ndërkombëtarët. Ai ka rezistuar. Duhet t’i thonë jo dialogut me Serbinë. Nuk ka më kuptim t’i thuash Albin Kurtit spiun i Serbisë, apo Albin Kurti t’i thotë Ramush Haradinaj spiun i Serbisë”, tha ndër të tjera ai.




