Pas masës së SPAK ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni ka reaguar deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj. Ai akuzon se institucionet shtetërore janë kthyer në mbështetëse të krimit të organizuar dhe pretendon se Hyseni ka informuar personin në kërkim Ergys Agasi për lëvizjet e SPAK.
Gjekmarkaj thotë se këto pretendime ishin ngritur prej muajsh edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ndërsa kritikon kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bajram Begaj për mosmarrjen e masave. Sipas Gjekmarkajt, përgjegjësia nuk është individuale, por shkon deri te drejtimi politik i vendit, ndaj ai i kërkon Ramës të kthehet menjëherë dhe të japë dorëheqjen.
Reagimi
Shteti është bërë një me krimin e organizuar
Kur SHISH dhe Policia bëhen jo informator të shtetit por të krimit të organizuar, atëherë mafia ka zëvendësuar shtetin. Që Vlora Hyseni informonte në arrati Ergys Agasin nuk është një informacion që e mësuam sot. Prej muajsh tashmë, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi e ka thënë në seancë plenare se Drejtoresha e SHISH po ndihmon Ergys Agasin që të mos arrestohet nga SPAK.
Mirëpo Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj nuk morën asnjë masë. Kjo tregon që veprimi i Vlora Hysenit nuk është individual, por shtetëror. Nuk është pa leje, por i urdhëruar. Dhe kjo kërkon përgjegjësi urgjente, kjo kërkon që Edi Rama të kthehet menjëherë dhe të nënshkruaj dorëheqjen.




