Dy të rinj, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi kanë mashtruar një 64-vjeçar për t’i marrë 100 mijë euro.
Ata e kanë kontaktuar përmes një profili të rremë në rrjetet sociale, të krijuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit. Mësohet se i janë prezantuar të emër të kreut të FSHF, Armand Dukës.
Sipas burimeve, dyshohet se pas kësaj ngjarjeje fshihet Florian Gjergji, emri i të cilit është lakuar në episode të ndryshme mashtrimi.
Florian Gjergji, prej kohësh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet, dyshohet se gjithë aktivitetin e bënë nga distanca. Arrin të gjej persona për marrjen e parave, të cilët i paguan me shuma qesharake, vetën si transportues.
Skema klasike e tij është përdorimi i identiteteve të personazheve publikë, kryesisht figura të politikës, për t’i kërkuar para palëve të treta. Përveç rasteve të fundit, ai ka përdorur emrin e Tonin Marinajt, Taulant Ballës, Erion Veliajt, e plotë të tjerë.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Seen”.
Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.
Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




