Kalimi nga Superliga e Zvicrës në Bundesligë, te Hoffenheimi, po rezulton goditje e qëlluar për dy reprezentuesit e Kosovës, Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin, të cilët po kanë rol të rëndësishëm në një sezon tejet pozitiv për klubin gjerman.
Hoffenheimi po bën garë serioze për Evropën dhe tashmë është shumë pranë sigurimit të një vendi në garat kontinentale për edicionin e ardhshëm, ndërsa objektivi mbetet edhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Në këtë rrugëtim, dy kosovarët janë vlerësuar lart nga drejtuesit e klubit.
Për Avdullahun dhe Hajdarin ka folur drejtori teknik i Hoffenheimit, Paul Pajduch, në një intervistë për “Blick”.

“Ata kanë luajtur rol të madh në edicionin tonë befasisht shumë të suksesshëm”, ka thënë Pajduch për dy kosovarët.
Te Hoffenheimi, lojtar i rëndësishëm është edhe sulmuesi Fisnik Asllani, por ai pritet të largohet gjatë verës. Ndërkohë, Avdullahu dhe Hajdari pritet të qëndrojnë më gjatë në klub. Mesfushori Avdullahu u transferua nga Baseli në fillim të verës së kaluar, ndërsa Hajdari erdhi nga Lugano në fund të afatit kalimtar, po ashtu verën e kaluar.
Njëri prej drejtuesve të klubit gjerman ka shpjeguar edhe pse Superliga e Zvicrës shihet si treg i përshtatshëm për Hoffenheimin.

“Superliga e Zvicrës është treg interesant për ne. Afërsia gjeografike, ngjashmëria kulturore dhe mbi të gjitha pasi ne rekrutojmë sidomos lojtarë të rinj nga ligat zhvillimore. I zhvillojmë ata tutje dhe i bëjmë gati për hapin tjetër”, ka thënë ai.
Me Avdullahun dhe Hajdarin, kjo strategji duket se ka funksionuar. Hajdari (22 vjeç) u transferua pas lëndimit të Koki Machidas, kur Hoffenheimit i duhej një mbrojtës, ndërsa klubi gjerman e kishte përcjellë për një kohë para se të vendoste për transferimin.
Rritja e paraqitjeve ka reflektuar edhe në rritjen e vlerës në treg: Avdullahu vlerësohet 25 milionë euro, ndërsa Hajdari 20 milionë euro.
“Janë djem të shkëlqyer. Dhe shpresoj se do të bëjnë hapa të tjerë me ne. Ndeshjet evropiane natyrisht se do t’i bëjnë edhe më të mirë”, ka theksuar Pajduch.

Aktualisht, Hoffenheimi është i pesti në Bundesligë me 54 pikë, vetëm dy pikë pas Stuttgartit të vendit të katërt. Pozita e katërt siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa e pesta dërgon në Ligën e Evropës.
Deri në fund të sezonit në elitën gjermane kanë mbetur edhe katër xhiro. /Telegrafi/


