Ymeri kërkon hetim për sektorin e energjisë: Në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë, është vëllai i Kurtit

Published:

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për energjinë elektrike, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur akuza të rënda ndaj menaxhimit të sektorit energjetik dhe ka kërkuar hetim të pavarur nga Prokuroria Speciale.

Ymeri tha se çmimi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa sipas saj, kjo ka ndodhur pavarësisht rritjes së prodhimit vendor.

“E para për energjinë, çka dimë ne është që është rritur kostoja në masa të paparashikueshme më herët… në këtë skemë tashmë veç e kemi tejkaluar një miliard euro”, tha Ymeri.

Ajo shtoi se rritja e importit të energjisë ka ndodhur si pasojë e, siç u shpreh, keqmenaxhimit të sektorit dhe mosplanifikimit të prodhimit.

“Ka qenë keqmenaxhimi i sektorit, i komplet sektorit energjetik, duke filluar nga prodhimi e deri te inkriminimi i ZRRE-së”, deklaroi ajo.

Deputetja e LDK-së ngriti gjithashtu pretendime për ndikime politike në institucione dhe sektorin energjetik.

“Në këtë skemë… ku në zyrat ku bëhet faturimi i energjisë elektrike, është edhe vëllai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, tha Ymeri.

Ajo e cilësoi situatën si problematike dhe kërkoi hetim të plotë të sektorit.

“Kjo maxhe e madhe e parasë dhe e hajnisë është mirë menaxhuar edhe me familjarë të tjerë të pushtetit”, u shpreh ajo.

Ymeri tha se duhet të ketë hetim të pavarur nga Prokuroria Speciale për gjithë sektorin energjetik, përfshirë edhe rolin e institucioneve rregullatore dhe KEK-ut.

“Është mirë të bëhet një hetim i pavarur plotësisht… që do të zbardhte krejt çka ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike”, deklaroi ajo.

Deklaratat e saj u bënë gjatë debatit parlamentar ku opozita dhe pozita diskutuan për rritjen e çmimit të energjisë dhe menaxhimin e sektorit energjetik në vend. /Telegrafi/

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img