Debat në Skenderaj pas mbylljes së një biznesi, VV akuzon – Inspektorati mohon motivin politik

Published:

Mbyllja e një biznesi në Skenderaj nga Drejtoria e Inspektoratit në këtë komunë ka nxitur debat publik, shoqëruar me akuza dhe kundërakuza mes pozitës dhe opozitës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, përmes një postimi në Facebook e ka akuzuar kryetarin e komunës, Sami Lushtaku, se po i mbyll bizneset që, sipas tij, kanë mbështetur Bekim Jasharin dhe partinë e tij, si shenjë hakmarrjeje.

“Një pyetje për Komunën e Skënderajt dhe Sami Lushtakun: Pse po i mbyllë e dënon veç ato biznese që e kanë përkrah Bekim Jasharin dhe Lëvizjen Vetëvendosje? Çfarë mendësie është kjo?”, thuhet fillimisht në postimin e tij në rrjetin social.

“Nëse e paske mbyll këtë biznes, po për të njëjtat arsye pse nuk e mbyllet një biznes pak më lartë i cili përveç tjerash shumëherë edhe e pengon qarkullmin?”.

Mehani ka shtuar më tej duke thënë se përgjigjen tashmë e dinë: “Pyetja është retorike sepse përgjigjen e dimë të gjithë!”.

“Drejtësia selektive është padrejtësia më e madhe që mund të ju bëhet bizneseve por edhe qytetarëve. Andaj, me sinqeritetin më të madh ju lus të hiqni dorë nga drejtësia selektive si masa ndëshkuese për ata që nuk mendojnë si ju”.

“Sa qëndrova aty me dhjetëra bujq ishin aty për t’u shërbyer. Masa e mbylljes duhet të revokohet një orë e më parë, më shumë për interesin bujqve se sa për biznesin”.

“Ndërsa për drejtorin e dënuar të inspektoratit për keqperdorim të detyrës zyrtare kam një sugjerim: një minutë heshtje para hipokrizisë tënde të kish ndihmu shumë”, përfundon reagimi i Mehanit në Facebook.

Telegrafika kontaktuar drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, Valon Haliti, i cili ka deklaruar se veprimi i ndërmarrë nga ky dikaster nuk ka të bëjë me çështje politike apo si shenjë hakmarrjeje.

Haliti ka bërë të ditur se ka reaguar edhe përmes profilit të tij zyrtar në Facebook, duke sqaruar, sipas tij, situatën e krijuar.

“Në cilësinë e Drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Skenderajt, e vlerësoj të nevojshme një sqarim lidhur me mbylljen e përkohshme të aktivitetit ekonomik të operatorit “Hoti” në fshatin Polac”, thuhet në reagimin e tij.

“Ky vendim ka qenë i marrë nga unë dhe askush tjetër, dhe tendenca për t’i dhënë konotacion politik është absolutisht e paqëndrueshme. Asnjëherë në karrierën time profesionale, nëpër pozitat që kam udhëhequr, nuk kam lejuar që të ndikohem nga emocionet politike. Jam munduar dhe mundohem që gjithë puna dhe aktiviteti im të jetë konform ligjeve të zbatueshme në kuadër të kompetencave që na takojnë si Drejtori Komunale e Inspekcionit, dhe të jem i paanshëm në përmbushjen e misionit zyrtar”.

“Për rastin në fjalë janë shterur të gjitha afatet ligjore, të cilat në vazhdimësi operatorit në fjalë i janë dhënë nga ana e inspektorëve komunalë”.

“I është kërkuar minimalja: që ose t’i largojë mjetet e vjetruara ose të vendosë rrethojë. Kjo problematikë zgjat tash e dy vite me këtë operator”.

“Ndjesë për bujqit të cilët kanë nevojë të shërbehen. Respekt për afaristin Megzon Hoti, i cili është edhe një humanist i madh, por kjo nuk e përjashton nga pasojat e veprimeve që bien në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, përfundon reagimi i Halitit në Facebook. /Telegrafi/

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img