Ndërsa koha po mbaron për armëpushimin e shpallur mes SHBA-ve e Izraelit me Iranin, ende nuk ka konfirmim për bisedime të mëtejshme paqeje.
Kryetari i parlamentit iranian ka postuar në X duke thënë se Irani “është përgatitur për të treguar karta të reja në fushën e betejës” dhe se “nuk do të pranojë negociata nën hijen e kërcënimeve”.
“Trump, me vendosjen e bllokadës dhe shkeljen e armëpushimit, synon, sipas tij, ta shndërrojë këtë tryezë negociatash në një tryezë dorëzimi ose të justifikojë një valë të re provokimesh ushtarake. Ne nuk pranojmë negociata nën hijen e kërcënimeve dhe gjatë dy javëve të fundit jemi përgatitur për të zbuluar karta të reja në fushën e betejës”, tha Mohammad-Bagher Ghalibaf.
Kjo është një përgjigje për deklaratën e presidentit Donald Trump se “pa marrëveshje deri të mërkurën, rinisim sulmet.”
Pak më parë, Trump ka postuar në Truth Social, duke iu referuar rikuperimit të uraniumit të përpunuar nga Irani.
“Operacioni Midnight Hammer ishte një shkatërrim i plotë dhe total i objekteve bërthamore në Iran. Prandaj, nxjerrja e tij do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë,” shkroi presidenti.
Operation Midnight Hammer është emri i koduar për një operacion të kryer nga SHBA qershorin e kaluar, gjatë të cilit 125 avionë ushtarakë amerikanë goditën tre objekte bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Më pas, presidenti sulmoi mediat si CNN duke shkruar:
“CNN i lajmeve të rreme dhe rrjete të tjera mediatike dhe platforma të korruptuara nuk u japin meritat që u takojnë aviatorëve tanë të shkëlqyer gjithmonë përpiqen të përçmojnë dhe të ulin vlerën – dështakë!!!”
Ndërkohë, ai ka mohuar se është nën presion për të arritur një marrëveshje, ndërsa mediat amerikane raportojnë se zv/presidenti JD Vance po udhëton drejt Pakistanit. Trump shton se është “shumë e pamundur” që armëpushimi dyjavor mes SHBA-ve dhe Iranit, i cili skadon të mërkurën, të zgjatet.
Në Gjirin Persik, SHBA vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pasi ka sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian të dielën, dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Ndërkohë, një raund i dytë bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit pritet të zhvillohet të enjten, sipas një zyrtari amerikan.
Lajm në përditësim…
Komisionerja e BE-së: Lindja e Mesme është në flakë, Evropa duhet të flasë me një zë

Foto: Flamuri i BE-së
Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg tha se e gjithë Lindja e Mesme është në flakë dhe për këtë arsye duhet të gjehet një zgjedhje.
“Do t’i informoj ministrat për situatën humanitare. E gjithë Lindja e Mesme është në flakë, nga Libani në Iran, nga Gaza në Bregun Perëndimor. Prandaj, është përgjegjësia jonë e përbashkët të gjejmë një zgjidhje politike, të ushtrojmë presion diplomatik mbi të gjitha palët. Për këtë, shtetet anëtare duhet të flasin me një zë”, tha ajo.
Ndër të tjera Lahbib theksoi se nuk duhet të ketë më gjakderdhje dhe njerëz që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Armëpushimi potencialisht po i vjen fundi; është koha të shohim diplomacinë në veprim. Na duhet një zgjidhje politike. Jo më luftë, jo më gjakderdhje, jo më shkolla dhe spitale të synuara, jo më njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, shtoi ajo.
Forcat e Armatosura iraniane: Ne do t’i përgjigjemi me vendosmëri çdo veprimi armiqësor

Irani “është gati të përgjigjet menjëherë dhe me vendosmëri ndaj çdo veprimi armiqësor nga kundërshtarët e tij”, tha gjeneralmajori Ali Abdollahi, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, në një mesazh të postuar në Telegram dhe të transmetuar nga agjencitë kryesore të lajmeve iraniane ditën kur delegacionet nga Teherani dhe Uashingtoni pritet të mbërrijnë në Islamabad për të rifilluar negociatat.
Ushtria iraniane nuk do të lejojë që “presidenti amerikan gënjeshtar dhe iluzionist” të “krijojë rrëfime të rreme rreth situatës në terren”, veçanërisht në lidhje me çështjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, shtoi Abdollahi në mesazhin e tij, duke argumentuar se forcat iraniane i kanë shtyrë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara “drejt dëshpërimit dhe lodhjes, duke i detyruar ata të kërkojnë me dëshpërim një armëpushim”.
Mediat iraniane: Cisterna e naftës e Teheranit kaloi nëpër Hormuz, pavarësisht bllokadës detare amerikane
Një cisternë iraniane nafte është kthyer në Iran përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht bllokadës amerikane, dhe pritet të arrijë në ishullin Kharg nesër, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare. Cisterna ishte nisur nga Irani për në Arkipelagun Riau në Indonezi në fund të marsit, ku shkarkoi dy milionë fuçi naftë të papërpunuar.
Mediat: JD Vance do të mbërrijë në Pakistan të mërkurën për negociata me Iranin

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance pritet të mbërrijë në Islamabad, kryeqytetin pakistanez, midis mëngjesit të vonë dhe pasdites së hershme sipas kohës lokale të mërkurën për bisedime me Iranin, raporton Al Jazeera, duke cituar burime pranë ndërmjetësve.
Trump: Irani të negociojë ose do të përballet me probleme që s’janë parë ndonjëherë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i bindur që Irani do të nisë negociatat, duke shtuar se përndryshe vendi “do të përballet me probleme serioze”.
Në një lidhje telefonike me programin radiofonik The John Fredericks Show, Trump tha: “Epo, ata do të negociojnë, dhe nëse nuk e bëjnë, do të përballen me probleme që nuk janë parë kurrë më parë”.
Trump shtoi se “shpresoj që të arrijnë një marrëveshje të drejtë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, por kur ta bëjnë këtë nuk do të kenë armë bërthamore. Nuk do të kenë qasje në armë bërthamore, as ndonjë mundësi për t’i pasur ato. Dhe ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo mund të nënkuptojë shkatërrimin e botës, dhe ne nuk do ta lejojmë këtë”.


