Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u shty sërish për në orën 23:00 pasi në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosja ndërsa partitë opozitare, PDK, LDK, AAK, Lista Serbe e bojkotuan atë.
Pavarësisht thirrjeve të Albulena Haxhiut që deputetët të marrin pjesë në votim dhe të përmbushin detyrimin kushtetues, asnjë figurë e opozitës nuk ishte në sallë.
Pak para nisjes së seancës, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një shoë partiak që sipas tij nuk i shërben interesave të Republikës.
“LDK e konsideron se ky shoë njëpartiak nuk i shërben republikës, dhe si të tillë ne nuk marrim pjesë në këtë shoë. Konsiderojmë se është kosto shumë e madhe për republikën që të luhet për një datë zgjedhjesh.Tani i kuptojmë këto përpjekje që dëshirojnë të krijojnë rast në Gjykatë Kushtetuese, konsiderojmë që është kosto shumë e madhe të luhet kaq shtrenjtë me fatin e Republikës për me dal në zgjedhje. Shteti nuk është hajgare”, tha Abdixhku para mediave
Sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve. PDK nga ana tjetër paralajmëron reagim të menjëhershëm nëse procesi vijon.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, deklaroi Bedri Hamza
Në rast se palët nuk dakordësohen për presidentin e ri, Kuvendi do të shpërndahet dhe brenda 45 ditësh Kosova do të zhvillojë zgjedhje të reja parlamentare. Më herët gjatë ditës, para zhvillimeve të fundit në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i bënë thirrje kandidates Feride Rushiti, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që të tërhiqet nga gara për presidente.
Në të njëjtën kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur si emër Vjosa Osmani. Sipas kësaj force politike, janë siguruar 15 firma mbështetëse, por për zyrtarizimin e kandidaturës nevojiten të paktën 30 deputetë. Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti nuk u shpreh kundër një rikandidimi të Osmanit, por theksoi se një propozim i tillë nuk i është paraqitur ende zyrtarisht.
Seanca e një dite më parë dështoi për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin vetëm 64 deputetë nga 80 të nevojshëm, për shkak të bojkotit të opozitës. Pavarësisht kësaj, u zhvillua votimi për kandidatët e propozuar nga Vetëvendosje, ku Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha asnjë.
Lajmi në përditësim…
Kurti: Nuk kemi asnjë problem me çfarëdo kandidati që mund të sjellë LDK-ja

Foto: Albin Kurti
Kryeministri Kurti në reagim ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku se atij po i pengon Vjosa Osmani, tha se “nuk i pengon asnjë kandidat që e sjellë LDK-ja”.
“Vetëm le të na i sjellin 15 nënshkrime. Ne ja plotësojmë nënshkrimet sa i mungojnë”, tha Kurti.
Megjithatë, ai nuk premtoi e as garantoi asnjë votë nga grupi i tij parlamentar për kandidatin e LDK-së.
“Në kuti, votimi është i fshehtë”, tha Kurti.
Për çdo kandidaturë për president të Kosovës, duhen të paktën nënshkrimet e 30 deputetëve. Ndërsa një deputet mund të përkrah vetëm një kandidat.
Zgjedhja e presidentit të Kosovës/ Dështon sërish votimi në Kuvend, kryeparlamentarja i bën thirrje opozitës: Dilni nga zyrat dhe hajdeni votoni! Seanca e radhës në 23:00
Votimi për presidentin në Kuvendin e Kosovës dështoi edhe në seancën e orës 19:00, pasi sërish deputetët e opozitës nuk u paraqitën në sallë. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ndodhen në zyrat e tyre në godinën e Kuvendit, por nuk zbresin në sallë për të marrë pjesë ne votim.
Me shpresë për të shpëtuar Kosovën nga një palë zgjedhje të tjera parlamentare të parakohshme, Haxhiu njoftoi se seanca e radhës do të mbahet sonte në orën 23:00.
“Për këtë seancë nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, më lejoni edhe njëherë si kryetare e Kuvendit të Kosovës që t’i bëj thirrje deputetëve që të vijnë në seancë. Ata, siç e dini tashmë, ndodhen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i lutem atyre që të zbresin në sallë ku po vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit.
Ne i kemi edhe disa orë para se të bëhet pra 12 (mesnata). Me këtë rast po shoh të rëndësishme ta mundësojmë edhe një seancë tjetër në orën 23:00″,- tha Haxhiu.
Seanca për zgjedhjen e presidentit në Kosovë, PDK paralajmëron reagim: Sonte kundërpërgjigje nëse shkelet Kushtetuta

PDK ka mbledhur kryetarët e degëve dhe ka dhënë alarm për mobilizim në gjithë vendin, në kulmin e përplasjes për zgjedhjen e presidentit. Kryetari i saj, Bedri Hamza, paralajmëron reagim të menjëhershëm nëse procesi vijon. “Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, deklaroi ai.
PDK thotë se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike. Partia shton se do të jetë në vijën e parë për të ndalur, sipas saj, përmbysjen e rendit kushtetues. “Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur Kushtetutën dhe Republikën”, thuhet në qëndrim.
Zgjedhja e presidentit në Kosovë, avokati Bajraktari: Tentativat që po bëhen janë fushatë! Kemi një papjekuri politike
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon edhe sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Avokati Ardian Bajraktari përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Studio Live’ tha se mosarritja e një marrëveshje mes subjekteve politike është shqetësues për Kosovën. Sipas tij ky ngërç në vend ka ardhur për shkak të një papjekurie politike.
“Fakti që jemi në këtë orët e fundit ka një itenstifikim të përpjekjeve kryesisht në atë që e ka karakterizuar këtë periudhë – mungesa e vullnetit për arritjen e një kompromisi. Megjithatë nga ana tjetër ka pasur tentativa për të hedhur fajin nga njëra te tjetra. LVV duket se nuk ka bërë një marrëveshje dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve. Fakti që kemi një qasje polarizuese mes subjekteve politike nuk garanton që do të kemi një themelim të institucioneve as pas zgjedhjeve dhe kjo është shqetësuese sepse tregon papjekuri politike”, tha Ardian Bajraktari.
Ndër të tjera ai shtoi se edhe këto tentativa që po bëhen gjatë orëve të fundit më shumë i cilëson si një fushatë.
“Në zgjedhjen e presidentit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, me kusht që njëri prej këtyre kandidatëve të marrë votat. Kam përshtypjen se tentativat që po bëhen janë më shumë fushatë sesa tentativa serioze për të gjetur një konsensus. Me shumë gjasa në garë do të jetë edhe Vjosa Osmani. Shpresoj që skena politike të kthjellohet dhe të kuptojë që marrëveshjet janë të domosdoshme për të ecur para, pasi Kosova ka humbur shumë këto vitet e fundit”, nënvizoi ai.
Nënkryetarja e PDK-së i përgjigjet Kurtit, Çitaku: S’të lëmë të përmbysësh rendin kushtetues

Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili fajësoi opozitën për bojkot dhe mosnjohje të rezultatit zgjedhor, ka reaguar ashpër nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo e akuzon Kurtin si “shkelës serial të Kushtetutës” që nuk e ka problem përmbysjen e rendit kushtetues.
“Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet. Albin, nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet. Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë. Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen” tha Çitaku
Vjosa Osmani presidente? Kurti: LDK e thotë në publik, por nuk ka propozuar zyrtarisht si kandidaturë
Kryeministri Albin Kurti nuk shprehet kategorikisht kundër kandidaturës së Vjosa Osmanit për t’u rizgjedhur presidente e Kosovës, por thotë se deri më tani një propozim i tillë nuk i është paraqitur zyrtarisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht asaj çfarë thotë në publik kreu i saj, Lumir Abdixhiku.
“Unë e kam takuar Lumir Abdixhikun disa herë, ai asnjëherë nuk më ka dhënë propozim. Dje, pas seancës e thanë emrin e Vjosës, jo para seancës. Letra me 15 nënshkrimet duhet t’i ofrohet VV zyrtarisht, ose tek Arbërie Nagavci ose tek unë si kryetar i partisë. Mbrëmë dolën me një listë me nënshkrime, por nuk thuhej që ata emra janë për këtë kandidat. Nëse i kanë 15 nënshkrime për një kandidat duhet të vijnë tek unë, por duhet ta ketë datën e sotme ajo letër, jo datën e pardjeshme! Duhet ta ketë qëllimin e qartë dhe ta sjellin tek unë”,- tha Kurti.
Kurti: I lutem opozitës të vij në Kuvend për të zgjedhur presidentin e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti i lutet 2 partive opozitare më të mëdha në Kosovë që të shkojnë në Kuvend dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“E lus kryetarin e PDK dhe kryetarin e LDK, hajdeni në Kuvendin e Republikës, aty është vendi ynë. Dikur kanë qenë shumicë, nuk janë tani, por nuk mund të thuash se po mbron shtetin duke bllokuar, përveçse duke bojkotuar seanca”,- tha Kurti.
Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ Kurti: Opozita po shfaq sjellje anti-shtetërore, kanë si qëllim vetëm bllokimin e qeverisë
Kryeministri Albin Kurti akuzon opozitën në Kosovë për sjellje anti-shtetërore për shkak të indeferencës që po tregon për zgjedhjen e presidentit. Sipas kreut të qeverisë, partitë opozitare në Kosovë kanë si qëllim vetëm bllokimin e ekzekutivit.
“Konsideroj se është bërë mjaftueshëm e qartë se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit. Tani e sa kohë sjelljet e kësaj opozite janë jo shtetërore; ajo është e interesuar vetëm për një gjë: bllokimin e qeverisjes sonë, e cila në këtë mandat ka rezultate historike. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë opozitare nëpërmjet bojkotit të seancave plenare veç mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe e vullnetit popullor e shprehur qartë më 28 dhjetor të vitit që lamë pas. Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër, për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët.
Në bindjen e thellë që Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të vitit të shkuar, me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhjet e reja, dhe rezultati ka qenë i qartë si asnjëherë më parë, ndërkohë që vendi do t’i humbiste edhe së paku 10 milionë euro vetëm për organizimin e zgjedhjeve, përfshirë edhe dhjetëra milionë të tjerë që nuk do t’i marrim për shkak të mos bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare.
U përpoqëm për një kandidat konsensual, i ftova disa herë në takim kryetaren e LDK-së dhe PDK-së. Jam unë ai që ka ofruar propozime dhe me emra konkretë patjetër për funksione për ta. Ne propozojmë, ata refuzojnë”,- tha Kurti.
PDK-ja i kërkon kandidates Feride Rushiti të tërhiqet nga gara për presidentin e Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.
Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.
Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.
“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.
Veteranët e UÇK-së reagojnë për situatën në Kuvend: Respektoni Kushtetutën, mos rrezikoni stabilitetin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është alarmuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar respektim strikt të Kushtetutës dhe ruajtje të stabilitetit institucional.
Në një reagim publik, OVL e UÇK-së thekson se çdo veprim i institucioneve duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin, duke paralajmëruar se lëvizjet që cenojnë kompetencat apo prishin frymën e bashkëpunimit mund të dëmtojnë seriozisht demokracinë.
“Proceset që dalin jashtë kornizës kushtetuese rrezikojnë stabilitetin dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre
Organizata u bën thirrje deputetëve të shumicës që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në vendimmarrje, duke garantuar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvend.
Veteranët theksojnë se do të mbeten të angazhuar në mbrojtje të rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre. janë ndërtuar mbi sakrificën e luftës çlirimtare.
Haradinaj thirrje deputetëve të Vetëvendosjes: Mos u bëni pjesë e turpit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi se situata e krijuar në Kuvend rreth seancës për zgjedhjen e presidentit është e paprecedentë dhe e rrezikshme. Ai e cilësoi zhvillimin si shkelje kushtetuese, duke paralajmëruar se kushdo që merr pjesë në këtë seancë mund të përballet me pasoja të rënda.
“Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kam pa në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksionet shtetërore dje kanë bë shkelje kushtetuese. Është një drejtim i rrezikshëm dhe u bëjë thirrje të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, mbajtja, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën, demokracinë. Nëse shkojmë në këtë rrugë të rëndësishme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk mendojnë rrugë tjetër pos t’i kthehemi popullit. I thërras vetëdijes së të gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese, këtij turpi.Nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, kësaj sjellje të rrezikshme, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëhen pjesë”, tha ai.
Opozita refuzon pjesëmarrjen, seanca për presidentin e Kosovës rinis në orën 14:00
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se opozita nuk ka asnjë motiv për të munguar në seancën e jashtëzakonshme për presidentin. Duke iu kërkuar sërish të marrin pjesë, ajo e shtyu seancën për në orën 14:00.
“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për t’u dhënë mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë, do ta vazhdojmë këtë seancë në orën 14:00”, tha Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit tha se duhet të jenë të pranishëm 2/3 e deputetëve, përveç atyre që kanë kërkuar leje, ku për këtë pjesë lexoi vetëm një kërkesë. Ajo tha se 120 deputetët “duhet të ndiejnë obligimin kushtetues.”
Kosovë, seanca e parë për Presidentin pa kuorum! Deputeti i Kurtit në mesazh: Po e zgjedhim ‘karate’ (VIDEO)
Në Kosovë pritet të nisë seanca e dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi tentativa e parë e së hënës nu kia arriti qëllimit. Por, zhvillimi I seancës së të hënës, ka ndezur debatet tek deputetët në Prishtinë pasi ajo nisi pa praninë e një kuorumi sipas përcaktimeve kushtetuese që udhëzojnë që seanca për zgjedhjen e Presidentit në Kosovë nis me praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Krahas kësaj, një video e filmuar nga mediat në sallën e parlamentit të hënën në Prishtinë, tregon një nga deputetët e LVV, Naim Bardiqi, i cili komunikon në një pltformë mesazhesh më dikë për legjitimitetin e seancës.
“Po e zgjedhim karate. Pastaj të shohim se çfarë thotë kushtetuesja”, shihet të shkruajë deputeti Bardiqi në këtë video.
Bardiqi lë të kuptohet nëpërmjet metaforës së shkruar në mesazh, se seanca po zhvillohet me kokëfortësi dhe me vetëdijen se çështja mund të përfundojë më pas në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Zgjedhja e presidentit, Kurti: Po përpiqemi maksimalisht, presim opozitën të marrë pjesë në votim

Jashtë sallës së Kuvendit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se do të bëjnë përpjekje maksimale për të zgjedhur presidentin.
Ai ka thënë se tani pritet të shihet nëse do të vijë opozita, ndërsa nuk është përgjigjur nëse do ta përkrahin propozimin e LDK për Vjosa Osmanin.
“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tani ta shohim a do të vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurt Kurti.
LDK ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj seance. Megjithatë, sipas REL, Lumir Abdixhiku është parë të hyjë në godinën e Kuvendit.
Kosovë/ LDK propozon Vjosa Osmanin për presidente, i garanton 15 vota në Kuvend (VIDEO)
Lëvizja Demokratike e Kosovës ka mbledhur 15 firma të deputetëve për të treguar mbështetjen e tyre për Vjosa Osmanin si presidente e re e Kosovës.
LDK ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të rëndë kushtetuese. Në një dalje për media, kreu i LDK Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nisja e votimit pa kuorum përbën përmbysje të rendit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të shtetit.
“Sonte, në seancën e thirrur për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, procedimi i votimit pa numrin e nevojshëm të deputetëve është sabotim i Kushtetutës.
“Nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit” tha ai.




