PARIS – Madhështore. Vetëm kështu mund të shpjegohet fitorja 5-4 e PSG-së kundër Bayern Munich në ‘Parkun e Princave’. Të martën ndeshja vlente për gjysmëfinalen e parë të Champions League, ndërsa ndeshja e kthimit më 6 maj në Gjermani pritet të jetë spektakolare për vetë atë që dy skuadrat treguan në fushën e lojës. Asnjëherë më parë në një gjysmëfinale të Champions nuk ishin shënuar nëntë gola.
Pas ndeshjes folën edhe protagonistët e kësaj sfide. Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, tha se kjo ishte ndeshja më e mirë që kishte përjetuar si trajner, madje dueli mund të përfundonte ndryshe.
“Si trajner, nuk kam parë asnjëherë një ndeshje me këtë intensitet, me këtë dëshirë për të fituar. Mendoj që të gjithë tifozët, pavarësisht nga skuadra që mbështesin, janë të lumtur që kanë ndjekur këtë spektakël. Të dyja skuadrat dhe të gjithë lojtarët meritojnë komplimente.
Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e tillë do të jetë edhe ajo e kthimit në Gjermani. Ka aspekte që duhen përmirësuar, por tani duhet t’i gëzohemi këtij rezultati. Kjo ishte ndeshja e tretë që ata (Bayerni) kanë humbur për këtë sezon, jemi shumë të kënaqur. E kemi merituar të fitojmë, por mund të barazonim dhe madje ta humbisnim këtë ndeshje”, tha trajneri spanjoll i PSG-së.
Nga ana tjetër, trajneri i Bayern Munich, tha se ka besim se ekipi i tij do të përmbysë gjithçka në sfidën e kthimit edhe falë mbështetjes nga tifozët. Vincent Kompany nuk ishte prezent në stol gjatë këtij takimi për shkak të pezullimit me kartona të verdhë dhe e ndoqi ndeshjen nga tribunat, gjë që e cilësoi si jo komode. Kompany tha se mund të kishin shënuar edhe tre gola të tjerë.
“Kisha një ndjesi se një ndeshje e tillë ishte e humbur. Natyrisht, kur pëson pesë gola larg shtëpisë, gjysmëfinalja normalisht mbaron. Por ne shënuam katër dhe mund të kishim shënuar një, dy, madje edhe tre të tjerë.
Ndeshja e dytë është në shtëpi dhe duhet të shkojmë për të fituar. E bëjmë shpesh këtë atje dhe me mbështetjen e tifozëve tanë, besimi është sigurisht aty. Kemi një javë tani për të punuar në gjërat që duhet të përmirësojmë. Besimi është 100 përqind te fitorja, ashtu si edhe ndjenja për të. Kemi nevojë për tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre me të njëjtin pasion që patëm kundër Madridit”, tha belgu i Bayern Munich.
Sulmuesi i bavarezëve, Harry Kane, i cili shënoi një nga golat e të tijve, tha se ndihet krenar që ia dolën të shënonin katër gola në një ndeshje të tillë ku gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit. 54 gola ka shënuar këtë sezon 32-vjeçari në të gjitha kompeticionet për Bayern, duke shijuar momentin më të mirë në karrierë.
“Mendoj se pamë dy skuadra të nivelit shumë të lartë, veçanërisht në lojën sulmuese, në tranzicionet, shpejtësinë dhe intensitetin në duelet një kundër një. Dy nga ekipet më të mira u përballën hapur me njëra-tjetrën.
Në përgjithësi, patëm momente kur mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Gjithashtu, ndihemi krenarë që e çuam rezultatin në 5-4, sepse të luash në transfertë dhe të jesh në disavantazh 5-2 mund të jetë një situatë shumë e vështirë. Por ne luftuam dhe tani jemi plotësisht në garë për kualifikimin”, tha mes të tjerash Kane.
Rekordi i Luis Enrique
Sipas Opta, Enrique është bërë trajneri që ka arritur më shpejt 50 fitore në historinë e Champions League. Ai e realizoi këtë për 77 ndeshje, duke drejtuar Barcelonën dhe PSG-në. Me këtë, spanjolli ia rrëmbeu rekordin Pep Guardiolës, i cili e kishte arritur shifrën e 50 fitoreve në ndeshjen e tij të 80-të, kur Bayern Munich mposhti Dinamo Zagrebin me rezultatin 2-0 në dhjetor të vitit 2015.



