E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, mirëpriti në ambientet e ambasadës familjen e Loni Adamit, duke vlerësuar guximin dhe sakrificën e tij gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, Loni Adami dhe kolegu i tij, Kol Kuqali, të dy punonjës shqiptarë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, u burgosën dhe u torturuan pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër SHBA-së gjatë diktaturës komuniste.
Ambasada thekson se të dy humbën jetën në burg, ndërsa qëndrimi i tyre konsiderohet një dëshmi e fortë e përkushtimit ndaj lirisë dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Read more:Begaj: Partneriteti strategjik me SHBA, gur themeli i politikës të jashtme dhe i sigurisë
Në nder të tyre, pranë flamurit amerikan në ambasadë është vendosur një memorial kushtuar Loni Adamit dhe Kol Kuqalit, si simbol i përhershëm i sakrificës dhe kontributit të tyre.




