Kthimi i parave të marra mbi çmimin tavan e deri në sekuestrim të shezlongëve janë masat që Bashkia Lezhë ka nisur të zbatojë ndaj subjekteve që nuk respektojnë vendimin e Këshillit Bashkiak për tarifat e shërbimit në plazhe.
Prej disa ditësh, task-forca e ngritur po zhvillon kontrolle intensive në terren, si me inspektime të drejtpërdrejta ashtu edhe mbi bazën e denoncimeve të qytetarëve dhe pushuesve, të ardhura në numrat e kontaktit të bërë publikë nga Bashkia Lezhë.
Problematikat më të mëdha janë konstatuar në disa stacione plazhi private, ku janë evidentuar raste të tarifimit mbi çmimin e lejuar dhe mosrespektim i detyrimeve ligjore.
“Pas fazës së parë që ka qenë monitorimi i hapësirave publike dhe numërimi i çadrave, në fazën e dytë që është monitorimi i çmimeve, kemi hasur shkelje që janë vendosur me këshillin bashikik, ku në Tale janë 300 lekë, në Shëngjin 400 lekë dhe te Rana e Hedhun 500 lekë. Jemi në monitorim çdo ditë me policinë bashkiake. Më shumë abuzime kemi hasur te disa hoteleri”, tha Fatjon Zefi nënkryetar i bashkisë Lezhë
Megjithëse kontrollet janë shtuar dhe ndaj shkelësve po merren masa administrative, një pjesë e pushuesve shprehen se nuk janë në dijeni të çmimeve zyrtare. Ata thonë se në shumë stacione plazhi mungojnë tabelat me tarifat e miratuara dhe, në disa raste, nuk u lëshohet as kupon tatimor për pagesën e kryer.
“Ne kemi paguar 10 euro, por nuk na kanë dhënë kupon tatimor”, tha një pushues.
“Kam paguar 10 euro. Nuk e dija që kushtonte më pak”, tha një tjetër.
“Nuk e dinim që bashkia ka vendosur çmime fikse”, u shpreh një pushuese.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak çmimi i shezlongëve është 300 lekë në plazhin e Tales, 400 lekë në Shëngjin dhe 500 lekë në Ranën e Hedhun. Këto tarifa janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha subjektet, përfshirë edhe operatorët privatë që ushtrojnë aktivitet në këto zona bregdetare.




