Kuvendi i Shqipërisë zhvillon të hënën, më 20 korrik 2026, seancën e radhës plenare, një mbledhje që pritet të jetë e shoqëruar me debate të forta politike dhe përplasje mes mazhorancës dhe përfaqësuesve të opozitës sepse Partia Demokratike vijon bojkotin. Në një klimë të tensionuar politike, ndërsa vendi përballet me afro 50 ditë protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, deputetët do të mblidhen për të shqyrtuar një rend dite të ngjeshur me raporte vjetore të institucioneve dhe nisma ligjore.
Në rendin e ditës, të miratuar në mbështetje të urdhrit nr. 46, datë 17.7.2026 të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, janë përfshirë disa pika me rëndësi, mes tyre raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)” si dhe një seri projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.
Deputetët do të shqyrtojnë raportet e Avokatit të Popullit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025.
Secila prej pikave parashikon paraqitjen e raporteve, pyetje nga deputetët dhe, në rast kërkese, zhvillimin e debateve parlamentare. Sipas rregullores së Kuvendit, koha e debateve do të ndahet mes shumicës dhe pakicës, me minutazh të përcaktuar për grupet parlamentare.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 46, datë 17.7.2026, të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026
(Në mbështetje të nenit 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime
(Në mbështetje të nenit 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
3. Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025
(Në mbështetje të ligjit nr. 15/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar, dhe nenit 103/2 të Rregullores së Kuvendit)
Prezantimi i raportit:
Nga bashkëkryetarët.
4. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”
(Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si dhe neneve 55 dhe 73 të Rregullores së Kuvendit; shumicë e thjeshtë votash për miratim)
Procedura e shqyrtimit:
Pyetje
Shprehet nismëtari
Shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Dhënie mendimi nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Dhënie mendimi nga Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Diskutime (shprehen grupet parlamentare)
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”
(Në mbështetje të nenit 63 të Kushtetutës, nenit 26 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, dhe nenit 103 të Rregullores së Kuvendit; shumicë e thjeshtë votash për miratimin e projektrezolutës)
Procedura:
Paraqet raportin Avokati i Popullit (jo më shumë se 10 minuta)
Pyetje
(Në bazë të nenit 103, pika 7, të Rregullores së Kuvendit, pyetjet depozitohen me shkrim jo më vonë se 24 orë përpara seancës plenare)
Prezantohet projektrezoluta nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Zhvillimi i debatit
(Në mbështetje të nenit 103, pika 8, të Rregullores së Kuvendit, një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë kanë të drejtë të kërkojnë me shkrim zhvillimin e debatit. Koha e debatit, e cila është jo më shumë se 120 minuta, ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetët jashtë grupeve parlamentare.)
Minutazhi për debatin, nëse kërkohet:
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste: 71 minuta
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike: 30 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim”: 6 minuta
Grupi parlamentar “Partia e Lirisë”: 6 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare: 7 minuta




