E gjithë faqja e malit, në këmbët e të cilit shtrihen shtëpi të shumta të banorëve të Krujës, ka humbur çdo shenjë jetë.
Kolona të holla tymi, ngriheshin ende këtë mëngjes mbi sipërfaqen e mbuluar tërësisht nga hiri.
Qindra rrënjë ullinjsh gati 100 vjeçar tanimë nuk ekzistojnë
Lagjet Abaze, Barabit dhe Varosh ishin ndër më të rrezikuarat.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Mami thoshte ‘nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda’. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz. Ka qenë një kaos i paparë. E gjithë lagjja u tmerrua”, tregon një banor.
“Një tmerr i jashtëzakonshëm. Nuk e kemi parë veten më ngushtë se këtë herë, flaka deri në kupë të qiellit. Vetëm me kova e mjete rrethanore kemi arritur të mbrojmë dy shtëpitë. Zjarrin e kishim ngjitur fare në banesë, deri sipër tjegullave. Brenda në shtëpi nuk kemi dëm”, tregon një tjetër banor për Report Tv.
Të gjithë u detyruan të braktisnin shtëpitë. Edhe ata që nuk donin të largoheshin u detyruan t’i binden urdhrit të prerë të autoriteteve.
Read more:Shpejtësia mbetet problemi kryesor në rrugët e Shkodrës, 471 drejtues gjobiten brenda një jave
“E gjithë lagjja po evakuohej, u bllokua rruga e zjarrfikëses. E gjithë lagjja u tmerrua. Kishim frikë mos shpërthente një fasoneri”, tha njw banor.
“Mua shyqyr më shpëtuan fëmijët. Se çfarë ka qenë këtu mbrëmë, vetëm shpirti ynë e di. Dy djemtë i kam pasur mes flakësh. Nuk kam ecur dot prej flakësh, më kapën dhe më çuan poshtë. U tmerruan fëmijët, mirë ne të vjetrit”, thotë një e moshuar.
Për të gjithë ka qenë një natë e gjatë e mbushur me ankth. Askush nuk e dinte se çfarë do të mbetej nga pasuria e një jete.
Muze Kika, banor i lagjes Rruga e Malit, ishte largua me urgjencë. Sot në mëngjes herët kur u kthye, nuk i besonte syve ndërsa shtëpia e tij kishte shpëtuar
“Mendova që kur të kthehem do të gjej një tufë hi, po falë Zotit nuk ka prekur asgjë në shtëpi. Ishte tmerr nga flakët. Asgjë s’mora me vete kur u largova”, thotë ai.
Për zjarrin në Krujë është arrestuar Qemal Berhami. Sipas policisë, ai kishte ndezur barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një pjesë të Krujës.




