Një student shqiptar që jeton në Itali ka folur gjatë protestës përpara Kryeministrisë, duke krahasuar mbështetjen që marrin studentët në Itali me situatën që, sipas tij, përballen të rinjtë në Shqipëri.
“Jam student, jetoj në Itali. Atje ka bursa për ata që kanë të ardhura të vogla, japin ndihmë, në mënyrë që studentët të mos largohen nga Italia për të punuar në një vend tjetër”, u shpreh ai.
Studenti tha se problemet e vendit janë të dukshme në disa fusha, duke përmendur shërbimet shëndetësore, infrastrukturën, drejtësinë dhe kushtet për fëmijët. “Ata që rrinë këtu e dinë më mirë se si është situata në spitale, me rrugë, me drejtësi. Dua të flas për ato gjëra që kam vënë re vetë”, deklaroi ai.
Ai solli si shembull mungesën e ujit në zonën e Kombinatit, ku ndodhet shtëpia e familjes së tij.
“Ditën e parë që erdha, në Kombinat, ku kemi shtëpinë, nuk kishte ujë. Nëse je larg qendrës, nuk gjen dot një park për fëmijë”, tha studenti.
Duke folur për sigurinë dhe kushtet ku luajnë fëmijët, ai përmendi edhe rastin e fëmijëve në Durrës që, sipas tij, luajnë në rrugë për shkak të mungesës së hapësirave të përshtatshme.”Ne mund të bëjmë ligje për sigurinë rrugore. Por ata fëmijë në Durrës pse ishin duke luajtur në rrugë? Sepse nuk ka hapësira. Në vend që të dalin në kopsht për të luajtur, luajnë në rrugë”, u shpreh ai.
Studenti tregoi edhe një histori nga fëmijëria, duke kujtuar një bisedë me babain e tij për rrugët me gropa.
“Kur isha 4 vjeç, pyeta babin: ‘Pse është rruga me gropa?’. Më tha: ‘S’e di, pyet Sali Berishën’”, rrëfeu ai.
Në fund, studenti bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe iu drejtua emigrantëve shqiptarë që pritet të vijnë në Shqipëri. “Me këtë rast, bëj thirrje për dorëheqjen e Ramës”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se emigrantët duhet ta shfrytëzojnë kthimin në Shqipëri për t’iu bashkuar protestës.
“Kam parë entuziazëm për datat 14-16, që thuhet se do të vijë diaspora. Ju bëj thirrje emigrantëve që të vijnë, të bëjnë qejf, por të vijnë edhe në këtë protestë”, tha studenti. Ai u bëri thirrje edhe qytetarëve dhe studentëve shqiptarë që të dalin në protestë. “I bëj thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestë. Diaspora nuk e bën protestën, do ta gjejë mes jush. I bëj thirrje studentëve shqiptarë që të dalin në protestë, mos të rrinë në kafe e të luajnë PlayStation”, përfundoi ai.




