Vetëm një muaj e gjysmë pasi hapi dyert dhe filluan udhëtimet e para, terminali i ri për transportin publik në qytetin e Sarandës është shndërruar në një problem për qytetarët.
Një grup prej tyre dolën këtë të mërkurë në një protestë para bashkisë, kryesisht të moshuar dhe shoferë, operatorë e udhëtarë të linjave ndërqytetëse që lidhin Sarandën me zonat përreth, Delvinën apo fshatrat e Finiqit dhe Konispolit.
Tashmë që autobusët nuk futen më në qytet por ndalojnë në terminal, 1.5 kilometra larg qendrës së qytetit, mijëra udhëtarëve çdo ditë do të duhet të marrin një tjetër urban, i cili vjen shumë rrallë. Më të dëmtuar sipas protestuesve janë të moshuarit, të cilët nga zonat rurale udhëtojnë drejt Sarandës për vizita mjekësore.
Read more:Të ardhura nga trafiku i drogës, Arbër Muçës i konfiskohen 1.8 milionë euro pasuri (LISTA)
“Në fshatrat që kam në ngarkim mund të gjesh vetëm pleq. Nëse marr gjashtë apo shtatë veta, pesë do t’i çoj në spital për analiza. Nuk është e leverdishme që plaku të vijë në Terminal e pastaj të kthehet përsëri me autobus. Duhet të vihet dorë për fshatrat, sepse është gjynah”, thotë një shofer linje.
“Të gjitha institucionet janë në Sarandë: gjykata, shkollat, spitalet, analizat. Një i moshuar që vjen esëll për të bërë analiza, a mund të bëjë edhe një orë rrugë deri në spital? Të pyetet populli njëherë për problemet që ka”, shprehet një qytetar.
Jo vetëm që mungon transporti urban i shpeshtë që të mund të ccojë nga terminali në stacionet e qytetit, por edhe kostot e shtuara janë një barrë e madhe për ata që shpesh i duhet të shkojnë shpesh në Sarandë.
Read more:Analiza e DW: A ndikon përçarja SHBA-Europë tek Ballkani Perëndimor?
“Bileta ishte 1500 lekë dhe tani paguajmë 2000. Pse duhet të rritet bileta në mënyrë artificiale? Ne vijmë në Sarandë për punë dhe për shërbime”, shprehet një protestues.
Kërkesë të veçantë kanë linjat që lidhen Sarandën me Delvinën. Sipas protestuesve dy qytetet kanë marrëdhënie ta veçanta dhe duhet të lidhen me një linjë urbane, si ato që lidhen kryeqytetin Tiranë me Vorën dhe Kamzën.
“Delvinë–Sarandë është një linjë historike që vazhdimisht ka sjellë punëtorë. Tani shumë veta kanë ndërprerë punën, sepse ka edhe kosto shtesë. Nuk arrijnë dot të vijnë e të marrin shërbimet që u duhen.”
Më herët qytetarët e Delvinës kanë depozituar ankesat e tyre pranë institucioneve, ndërsa rreth 350 banorë kanë firmosur një peticion kundër situatës së krijuar pas zhvendosjes së stacionit në terminal.
Për ta, debati nuk lidhet vetëm me Terminalin e ri, por me aksesin e qytetarëve në shërbimet bazë dhe me koston që kjo mënyrë e re e organizimit të transportit sjell për banorët, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet që varen çdo ditë nga transporti publik.




