TIRANË– Bllokimi i pagave për gjykatat dhe prokuroritë e vendit, magjistratë e administratë, është bërë me urdhër të dalë nga Ministria e Financave për 14 degët e thesarit ku ka institucione drejtësie, dhe për këtë 2 titullarët më të rëndësishëm të ‘Financave’ dhe zbatuesit e urdhrit duhet hetohen nga SPAK. Ky është pretendimi i 18 drejtuesve të gjykatave të vendit dhe 2 krerëve të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve që kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme me akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
I pari në listën e të kallëzuarve është ministri i Financave, Petrit Malaj, që sipas gjyqtarëve me veprimet dhe mosveprimet e tij e ka shprehur qartë vullnetin e tij për të mos e lejuar zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat, madje duke udhëzuar të kundërtën. Kallëzuesit sjellin në vëmendje letrën që Malaj i çoi KLGJ-së dhe KLP-së ku i thoshte se s’mund të kalonte pagat për shkak se ato i vendos Kuvendit. Për ministrin kërkohet hetim për shpërdorim detyre.
Për sa i përket Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Keri, kërkohet që të regjistrohet procedim penal për akuzën e “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës, pasi sipas gjyqtarëve, si organi epror i degëve të thesarit në rrethe, ka kërkuar përmes një emaili moskalimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, situatë kjo që ka prekur edhe stafin administrativ dhe atë ndihmës.
Read more:Thuajse dy vite në qeli, Ilir Meta kërkesë në GJKKO për zëvendësimin e masës së sigurisë
Për drejtuesit e degëve të thesarit në 14 rrethe në kallëzim thuhet se edhe pse e dinin që listëpagesat ishin të rregullta sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe njësitë shpenzuese (pra gjykatat dhe prokuroritë) i kishin fondet e mjaftueshme për këto listëpagesa, ata kanë refuzuar për të autorizuar pagesën e pranë bankave të nivelit të dytë. Për këtë sipas kallëzimit kanë kryer veprën penale të “Mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme. Ndër të tjera kallëzimi është firmosur nga drejtues gjykatash si Ardian Dvorani, Erjon Bani, Gerd Hoxha, Iliba Bezati, Dhimitër Lara dhe drejtuesi i shoqatës së gjyqtarëve Enger Pëllumbi e ai i prokurorëve Gëzim Spahiu.
Kallëzimi penal që gjyqtarët i kanë bërë Ministrit të Financave lidhur me bllokimin e pagave, kryeministri Edi Rama thotë se ka një mangësi dhe nuk është i plotë. Duke ironizuar aktin e tyre, përmes një postimi në ‘X’ Rama shkruan se për bllokimin e pagave të tyre, Malaj është konsultuar me të dhe ministrin e drejtësisë Toni Gogu, dhe se në kallëzimin penal do duhet të ishte përfshirë edhe emri i tyre.
“Edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë.”-shkruan kreu i qeverisë.
Rama përforcon qëndrimin e qeverisë për këtë përplasje të fortë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, se pagat e tye do të rriten vetëm me vendim të kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Bllokimi i pagave të magjistratëve/ Gogu: Çështje serioze që duhet trajtuar nga Kuvendi

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka thënë se çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një çështje serioze, por në çdo rast atë duhet ta trajtojë Parlamenti dhe jo Ministria. Në Komisionin e Ligjeve, Gogu u shpreh se ka dijeni se në parlament është depozituar një nismë nga socialistët për të zgjidhur ngërçin, ndërsa uroi që ajo të kalojë sa më shpejt.
“Situata është serioze. Unë besoj që me datën që tani keni vendos si deputet ju do ta zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk jam këtu që të komentoj vonesën e kuvendit as të arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Unë jam i bindur se juve do ta trajtoni me përgjegjësinë që kërkon shëndeti i buxhetit të shtetit”, tha Toni Gogu në Kuvend, para kallëzimit të magjistratëve në SPAK për ministrin Petrit Malaj dhe drejtuesit e Thesarit.
Read more:“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”, protestuesit thirrje të fuqishme në rrugët e Tiranës
‘Histori bajate’, Rama reagon pas kallëzimit të Malajt në SPAK për bllokimin e pagave të magjistratëve: Më shtoni edhe mua e Gogun, u konsultua me ne
Kryeministri Edi Rama thotë se pagat e gjyqtarëve do të ndryshojnë vetëm me vendim të Kuvendit dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Duke e quajtur një histori bajate ngërçin e krijuar me pagat në drejtësi, i menjëhershëm ishte reagimi i tij, sapo magjistratët dorëzuan në SPAK një kallëzim ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Finacnave dhe 14 drejtuesve të Thesarit në rrethe. Rama thotë se në atë kallëzim mungon vetëm emri i tij dhe i ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, duke thënë se Malaj është konsultuar me ta para se të firmoste urdhrin për bllokimin e pagave.
“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Rama.
Tedi Blushi për pagat e magjistratëve: SPAK të marrë të pandehur ministrin e Financave, refuzon të zbatojë vendimin e Kushtetueses!
Ngërçi për pagat e magjistratëve, që tashmë ka përfunduar në SPAK me kallëzimin e bërë nga 18 gjykata dhe shoqatat e gjyqtarëve e prokurorëve ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj dhe zyrtarëve të Thesarit, ka sjellë edhe reagimin e Tedi Blushit nga Partia e Lirisë.
Nga ambientet e GJKKO-së, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie deklaroi se PL mbështet zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve dhe i bëri thirrje SPAK-ut të marrë të pandehur ministrin e Financave Petrit Malaj, i cili firmois 4.3 milion euro për koncertin e Kanye West por nga ana tjetër refuzon të zbatojë vendimin e GJK-së.
“Në emër të Partisë së Lirisë, ne e mbështesim plotësisht zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket pagave të magjistratëve. Por drejtësia duhet të funksionojë me ligj dhe nuk duhet të vonojë për të marrë të pandehur ministrin e Financave, zotin Petrit Malaj, i cili firmosi dhënien e rreth 4.3 milionë eurove për Kanye West, duke prekur madje Fondin e Emergjencave, ndërkohë refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Blushi.




