Komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak i Divjakës për përgatitjen e materialeve në kuadër të reformës territoriale ka përfunduar mbrëmjen e sotme dëgjesën e fundit publike në Njësinë Administrative Remas.
Dëgjesa u hap nga këshilltari Said Ibrahimaj, i cili u kërkoi banorëve të pranishëm të shprehnin qëndrimin dhe mendimin e tyre lidhur me reformën territoriale.
Më pas, kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, paraqiti gjetjet e komisionit dhe argumentet me të cilat bashkia kundërshton mundësinë e shkrirjes së saj me Bashkinë Lushnjë.
Sipas Gorresë, Divjaka ka potencial ekonomik, shtrirje gjeografike dhe një numër popullsie që e rendisin atë mes vendeve 27 dhe 31 ndër 61 bashkitë e vendit. Gjatë dëgjesës, banorët e Njësisë Administrative Remas u shprehën në mbështetje të ruajtjes së Bashkisë Divjakë.
Read more:Objektet e ndërtuara pa leje, Bashkia e Vlorës vijon aksionin për shembjen e tyre (VIDEO)
Në përfundim të procesit, dokumentacioni i përgatitur nga komisioni, së bashku me firmat e pjesëmarrësve në dëgjesat publike, do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim nga komisioni parlamentar. Më pas, propozimi do të kalojë për votim në Kuvend.




