Dy 43-vjeçarë nga Tirana janë arrestuar në aksin Kakavijë-Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar me autobus mallra të kontrabanduara nga Greqia.
Gjatë kontrollit, policia gjeti të fshehura 22 695 euro dhe 100 steka cigare, ndërsa në bagazh u zbuluan produkte ushqimore, medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.
Në kuadër të operacionit të koduar “Akciza 3”, u sekuestruan mallrat, autobusi dhe një telefon celular.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të marra nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, goditën një rast të kontrabandimit të mallrave nga Greqia.
Për këtë rast u vunë në pranga shtetasit O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin që këta shtetas e drejtonin me radhë. Gjatë kontrollit në autobus janë gjetur të fshehura, në vende të mbyllura, 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, si dhe, në bagazh, janë gjetur kuti me produkte të ndryshme deti dhe mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera, të cilat dyshohet se këta shtetas i kanë kontrabanduar nga Greqia.
Mallrat, autobusi dhe 1 aparat celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




