Artistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Cirkut Kombëtar kundërshtojnë projektligjin për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë skenike. Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias bëri publik peticionin e firmosur nga 85 artistë dhe profesionistë, duke kërkuar që, përpara çdo skeme financiare, të miratohet Statusi i Artistit.
“85 artistë kërkojnë statusin e artistit dhe një politikë të re kombëtare për artin. Nuk pranojmë miratimin e asnjë skeme të veçuar të trajtimit financiar pa u hartuar dhe miratuar më parë Statusi i Artistit.”, thotë Julian Kazazi, kryetar i sindikatës.
Sindikata argumenton se statusi duhet të përfshijë jo vetëm trajtimin financiar, por edhe pensionet, pagat, vjetërsinë, mbrojtjen shëndetësore, sigurinë në punë, rikualifikimin dhe tranzicionin e karrierës, si dhe mbrojtjen sociale të artistëve të pavarur.
Kritika tjetër lidhet me mënyrën e hartimit të projektligjit. Sipas sindikatës, konsultimi me përfaqësuesit e artistëve nuk ka nisur në fazat e hershme të hartimit.
“Nuk mund të hartohet një ligj për artistët pa artistët dhe nuk mund të përcaktohet e ardhmja e një profesioni pa dëgjuar përfaqësuesit e tij. Dialogu social nuk është formalitet.”, vijon Kazazi.
Artistët kërkojnë që diskutimi të zhvillohet drejtpërdrejt me ministrinë dhe ekspertët ligjorë.
“Jemi në pritje të takimit me ministrinë në datën 25 shtator, ku do të kemi një ballafaqim nga afër. Këtë rrugë e kemi kërkuar që nga dita e parë që u bë publik projektligji.”, thotë baritoni Armando Likaj.
“E kemi marrë vesh nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias se kush e ka hartuar dhe cilët janë personat kompetentë. Duhet të merren profesionistët me këtë punë. Pika e parë dhe e vetme e jona është Statusi i Artistit, që e kemi kërkuar prej kohësh.”, thotë sopranoja Eva Golemi.
Sindikata kërkon pezullimin e procedimit të projektligjit në formën aktuale, shqyrtimin zyrtar të peticionit të 85 artistëve dhe ngritjen e një tryeze të përhershme dialogu me Ministrinë, sindikatën dhe ekspertët e fushës.
Nga ana tjetër, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e ka futur projektligjin në procesin e konsultimit publik.
Sipas ministrisë, nisma parashikon për herë të parë një skemë të posaçme financiare për balerinët, valltarët, akrobatët, këngëtarët e operës dhe koristët që plotësojnë kriteret, duke garantuar vijimësinë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore deri në lindjen e së drejtës për pension.
Sipas projektligjit, artistët mund të lënë skenën në moshën 47 vjeç dhe mund të përfitojnë trajtim financiar para moshës së pensionit, me skemën që pritet të nisë në janar 2027.
Takimi konsultativ mes ministrisë dhe të interesuarve është parashikuar më 25 shtator dhe pritet që artistët të paraqesin aty komentet dhe kundërshtimet e tyre për projektligjin.




