TIRANË– Mund të rezultojë si një prej skandaleve më të rënda në çështjet e sigurisë kombëtare, një hetim i fundit i SPAK që më firmë të GJKKO ka nxjerrë një urdhër arresti për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Kreu i SHISH, institucioni kryesor që siguron dhe ruan informacionin sekret të Republikës, akuzohet nga SPAK për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Në njoftim SPAK kujdeset ta veçojë se akuza i referohet paragrafit të dytë të nenit 302, që bën fjalë për dhënien e ndihmës krimit të organizuar.
Teksa agjentët e BKH u ndodhën në banesën e saj për të ekzekutuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” Vlora Hyseni ndodhej disa mijëra kilometra larg, në Baku të Azerbajxhanit. Në kryeqytetin azerbajxhanas përfaqësonte Shqipërinë në forumin ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit, me pjesëmarrjen e 100 shteteve, ndërkohë që në Tiranë përveç arrestit ndaj saj GJKKO kishte vendosur edhe “pezullimin nga detyra”.
Në atë që duket një hetim për ata që kanë ndihmuar arratinë e Ergys Agasit, si fraksion i dosjes së AKSHI, prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, ekzekutuan edhe dy masa të tjera sigurie, arrestimin e Fatjon Kalluçit, Shefi sektori në Policinë shkencore dhe Embro Sulejmanit.
Ky i fundit është kryekamerier në restorantin e ndodhur te vilat qeveritare në Durrës, i blerë dhe i administruar nga “Agroturizëm Kodra e Kuajve”. Ai akuzohet se për ndihmë të dhënë autorit të krimit, ndërsa dyshohet gjithashtu se ka fshirë kamerat e sigurisë në ambiente e restorantit, menjëherë pasi u arrestua Ergys Agasi. Arsyeja, ende e pakonfirmuar, dyshohet për të fshirë gjurmët e qëndrimit të Agasit shpesh në këtë ambient, i shumë frekuentuar nga politikanë dhe personazhe të njohur. Edhe për drejtuesin në Laboratorin Shkencor të Policisë, Kalluçi, rëndon akuza e nxjerrjes së të dhënave sekrete.
Përveç masave të sigurisë, në orar të njëkohshëm në mëngjes herët, agjentë të BKH dhe forca policie, u gjenden në disa ambiente për të cilat kishin siguruar urdhra kontrolli. Forca RENEA dhe ato Speciale u panë në Shkozet të Durrësit për disa orë. SPAK njoftoi se kontrollet janë ushtruar në kompleksin e vilave në këtë fshat, që njihet si baza e Visit të Pojës, një prej personazheve më të njohur të krimit në Durrës.
Në kontroll edhe banesa e ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda. Ish kryepolici njihet për marrëdhënien e ngushtë me ish drejtuesin në polici Uljan Shpatarakun, i cili u prangos si shofer i Ergys Agasit, në operacionin e një muaji më parë. Siç mëson Report Tv, prova të siguruara nga telefonat e Agasit dhe Shpatarakut i kanë shërbyer Prokurorisë së Posaçme për të zgjeruar hetimet dhe për të konkluduar në operacionin e sotëm. Ish kreu i bluve menjëherë pas kontrollit të banesës së tij u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurori të Posaçme, nga ku doli dukshëm i shqetësuar dhe duke pirë cigare.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Operacioni i SPAK për hetimet ndaj Agasit, kontrolle edhe te kompleksi i vilave të ‘Visit të Pojës’ në Durrës (FOTO)

Në kuadër të operacionit që u zhvillua me urdhër të SPAK për fraksionin e ri të hetimeve ndaj biznesmenit Ergys Agasi, burime për Report Tv bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle edhe te një kompleks vilash në pronësi të Elvis Doçit, i njohur edhe si Visi i Pojës, një personazh i njohur i botës së krimit në Durrës, që rezulton ende në arrati. Report Tv ju sjell foto nga kompleksi i vilave në Shkozet që iu ushtrua kontroll nga forcat RENEA paraditen e sotme.
Arresti për Vlora Hysenin/ SPAK zbardh akuzat: Dyshohet se dha informacione shtetërore te grupet kriminale, përkrahu Ergys Agasin

SPAK ka reaguar zyrtarisht pas udhërarrestit ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Në njoftim SPAK kujdeset ta veçojë se akuza i referohet paragrafit të dytë të nenit 302, që bën fjalë për dhënien e ndihmës krimit të organizuar.
Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, dyshohet për “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” te grupet kriminale. Embro Sulejmani, është nën hetim për “Përkrahja e autorit të krimit”. SPAK bën me dije se janë kontrolluar edhe 2 vila në zonën e Durrësit.
Njoftimi i plotë i SPAK
SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Operacioni i SPAK/ Në pranga shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe kryekamerieri i lokalit te rezidencat qeveritare në Durrës, dyshohet se fshiu pamjet e kamerave me filmime të takimeve të Agasit
Në kuadër të operacionit për hetimet e lidhura me biznesmenin Ergys Agasi, me urdhër të SPAK, deri më tani janë ekzekutuar 2 urdhërarreste. Në pranga ka rënë shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, Fatjon Kalluçi, si edhe Embro Sulejmani, i arrestuar po ashtu në Durrës. Sulejmani rezulton se punon si kryekamerier në një lokal te rezidenca qeveritare në Durrës (blloku i vilave qeveritare) i cili ishte blerë para pak kohësh nga pronaret e “Kodrës së Kuajve”. Lokali njihet se frekuentohet nga personazhe të politikës, njerëz VIP, mes tyre edhe Ergys Agasi.
Sipas mediave, Sulejmani akuzohet se fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit, veprim ky që dyshohet se është bërë për të fshirë gjurmët e takimeve të Agasit gjate kohes qe kishte frekuentuar këto ambiente.
Ende nuk dihet se çfarë roli dyshohet të ketë pasur ai në këtë çështje, por SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në Shkozet, ku familja e Sulejmanit rezulton të ketë një kompani që merret me “import-eksport dhe tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve të ndryshëm ushqimorë, industrialë, bujqësorë dhe elektroshtëpiakë”. Kompania Euro Zimeg rezulton në emër të babait dhe vëllait të Sulejmanit.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Pas kontrolleve në shtëpi, Ilir Proda merret në pyetje në SPAK! Pasi del nga Prokuroria e Posaçme, shfaqet duke pirë cigare (VIDEO)
Pas kontrolleve në banesën e tij dhe atij personal me urdhër nga GJKKO, ish-kryepolici Ilir Proda është paraqitur në SPAK. Mësohet se Proda është marrë në pyetje për operacionin me urdhër të SPAK, ku emri i tij ka dalë pas materialeve që janë sekuestruar nga celularët në zyrën e Ergys Agasit. Pas daljes nga SPAK, Proda është filmuar duke pirë cigare.
GJKKO caktoi ‘arrest shtëpie’, Vlora Hyseni ndodhet jashtë Shqipërisë

Masa e sigurisë së arrestit në shtëpi për Vlora Hysenin, e caktuar nga GJKKO, nuk është ekzekutuar ende. Mësohet se drejtoresha e SHISH ndodhet jashtë shtetit.
Operacioni i SPAK për hetimet ndaj Ergys Agasit, në pranga edhe shefi i laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit

Në kuadër të operacionit për hetimet ndaj Ergys Agasit, SPAK ka arrestuar edhe shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, Fatjon Kalluçi.
Si shkoi SPAK deri te Vlora Hyseni? Materialet e sekuestruara në celularët e Agasit dhe Shpatarakut, prova që çuan në hetime të reja
Hetimet ndaj biznesmenit Ergys Agasi kanë çuar SPAK-un deri te drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Siç mëson Report Tv, pamjet filmike të sekuestruara në zyrën e Ergys Agasit, së bashku me materiale të tjera të administruara nga SPAK, përfshirë edhe në celularin e Uljan Shpatarakut, i kanë shërbyer Prokurorisë së Posaçme për të zgjeruar hetimet dhe për të hapur një fraksion të ri të dosjes AKSHI.
Pamjet e sekuestruara, siç thotë gazetarja Keti Banushi dokumentojnë takime të biznesmenit me ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Vetë Agasi, gjatë seancës së një dite më parë në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ka pranuar se i ka zhvilluar këto takime, por ka mohuar që ato të përbëjnë vepër penale.
Përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, ja dy akuzat për të cilat dyshohet Vlora Hyseni

Vlora Hyseni dyshohet për dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Dosja AKSHI, Agasi dje në gjykatë: Kam takuar ministra e drejtorë, por më provoni që kam bërë korrupsion
‘Minierë ari’ kanë qenë për Prokurorinë e Posaçme filmimet në zyrën e Ergys Agasit, të cilat bashkë me prova të tjera, kanë shërbyer për hetimet në fraksionin e veçantë të dosjes ‘AKSHI’.
Një ditë më parë, biznesmeni është shprehur para gjykatës se “kam takuar ministra e drejtorë, por më provoni që kam bërë korrupsion.”
Aksioni i SPAK, kontrolle edhe te zyrtarë të tjerë

Operacioni i SPAK vijon, ndërsa kontrolle po ushtrohen edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit. Veprimet po kryhen në kuadër të një fraksioni të ri të hetimeve ndaj biznesmenit Ergys Agasi, të arrestuar për dosjen e AKSHI-t.



