Studiuesi Auron Tare ka reaguar me ironi për zhvillimet e fundit të skandalit me drejtuesen e SHISH Vlora Hyseni, duke i krahasuar taktikat e saj me teknikat e spiunazhit të përdorura gjatë Luftës së Ftohtë.
Tare rrëfen se kishte nisur prej muajsh përkthimin e kujtimeve të Markus Wolfit, ish-shefit të kundërzbulimit të STAS-it, por ka vendosur ta ndërpresë projektin pas zhvillimeve të fundit në Tiranë.
Sipas tij, zhvillimet në Tiranë mund të shërbejnë si material për një kapitull të ri mbi historinë e spiunazhit, të cilin me ironi e quan “Akademia e Tiranës”.
Reagimi i plotë:
“Akademia e Tiranës”
Prej disa muajsh jam marrë me përkthimin në shqip të kujtimeve të Markus Wolfit, ish-shefit të famshëm të kundërzbulimit të STAS-it. Wolf është cilësuar nga shumë prej shërbimeve inteligjente perëndimore si një nga profesionistët më të mëdhenj të spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.
Uolf njihet, ndër të tjera, edhe për ngritjen e një lloj “Akademie” për zbuluesit e tij. Aty, krahas teknikave klasike të spiunazhit, mësohej edhe një art shumë më delikat, arti i joshjes.
Objektivat ishin gra të pamartuara, “lënesha” që punonin në institucione të rëndësishme dhe sensitive, ku mund të sigurohej informacion i klasifikuar. Pas trajnimit, agjentët e rinj dërgoheshin në mënyrë të fshehtë në Gjermaninë Perëndimore, ku kërkonin objektiva të përcaktuara me kujdes, gra të vetmuara, zakonisht në moshë të mesme, të izoluara nga natyra e punës së tyre dhe me një jetë shoqërore jo veçanërisht aktive.
Uolf e shndërroi këtë teknikë në një instrument të sofistikuar të zbulimit. Përmes saj u ndërtua një rrjet i gjerë informatorësh dhe agjentësh në institucionet e Gjermanisë Perëndimore, në strukturat e NATO-s dhe madje edhe në vetë shërbimin sekret gjermanoperëndimor.
Deri në kete kapitull kishte mbërritur përkthimi im i librit “Njeriu pa fytyrë, Kujtimet e një zbuluesi”
Por, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, vendosa ta lë projektin përgjysmë.
“E kujt i hyn më në punë sot akademia e Markus Wolfit?” – thashë me vete.
Dhe, në të vërtetë, përse të merresh me Luftën e Ftohtë, me STAS-in, me agjentët, me teknikat e joshjes, me infiltrimin e NATO-s dhe me historinë e shërbimeve sekrete te Stasit, kur në Tiranë duket se kemi material të mjaftueshëm për një kapitull krejt të ri te nje novele me Titull “Akademia e Tiranës”
Dhe, po të vazhdojë kështu kjo histori spiunazhi, besoj se nuk do të kalojë shumë kohë përpara se ajo të hyjë në analet e historisë së shërbimeve sekrete evropiane si ceshtje me interes per tu studiuar.
Read more:“Shqipëria, thesari i fshehur i Ballkanit”/ Forbes: Ofron histori, natyrë dhe mikpritje për turistët
Më vjen keq vetëm për kohën e harxhuar me përkthimin e Wolfit. Një libër i jashtëzakonshëm, një histori e jashtëzakonshme spiunazhi, që me siguri do të mbetet i paprekur në raftin e Bibliotekes time.
Jo sepse nuk ia vlen të lexohet.
Por sepse, pas gjithë kësaj historie me spiunazhin me qendër në Tiranë, duket se realiteti yne ka vendosur t’ia kalojë edhe Markus Uolfit dhe Akademise se tij te famshme.




