Analisti Fatos Lubonja ka komentuar gjuhën e ashpër që përdori ish-kreu i SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lalës dje para hyrjes së saj në GJKKO.
Në një intervistë për emisionin ‘Minuta e parë’ në News24 me Ola Brukon, Lubonja tha se Hyseni shënjestroi Lalën se sigurinë e gjen te Rama, duke e cilësuar atë ‘padrino’.
Po ashtu ai tha se nuk pret asgjë nga Këshilli i Sigurisë që pritet të mbahet javën që vjen, ndërsa shtoi se s’ka pasur kurrë siguri kombëtare.
“Ajo që ka thënë për Klodin, është komprometuese për të! Sepse nëse do të ishte e vërtetë ajo, kjo duhet të kishte dhënë shenjat, të kishte dhënë provat. Është puna që duhet të kishte bërë vërtetë. Aq më tepër është komprometuese se sa të vëmendshëm janë ndaj gazetarëve që bëjnë detyrën. Dhe nga një takim që mund të bëjë një gazetar, se mund të takojmë shumë nejrëz. Por të më ndjekësh mua ti! Dhe nuk ndjek ata që bëjnë trafik droge! Ku e gjen sigurinë? E gjen te padrinoja, që e shkarkoi. Ndaj e injoroj këtë punën e dashurisë! Ti duhet të ishe zbuluesja e parë se me çfarë aktiviteti merrej Ergys Agasi, detyra jote ishte që të informoje se me çfarë merrej ai, apo ai rasti i marrjes peng të atij biznesmenit shqiptar-gjerman. Duhej të ishte SHISH që duhej ta kishte evituar. Ky është thelbi. Siguria ku i vjen? Që bandat janë në krye, që padrinoja është aty. Ata hanë bishtat e kumbullave, dhe tulin e kumbullave e ha padrinoja. Ka rënë siguria kombëtare? Nuk kemi pasur ndonjëherë! Sipas asaj që nuhas unë, dorëheqjen duhet ta kishte dhënë kohë më parë. Ai e di se ça e pret. Dhënia e dorëheqjes së tij për këto gjëra, është futja në proceset hetimore për ato që janë krejtëshst ë hapura, korrupsioni dhe pastrimi i parave të pista, krijim i organizatës kriminale. Ky është kryetari. Ai nuk mund ta bëjë këtë gjë, se mendon se është akoma i fortë përmbi ligjin. Ai i ka rënë më qafë shumë njerëzve, ka bërë padrejtësira dhe shumë të këqija. E presin ditë shumë të vështira Shqipërinë.”, tha Lubonja.




