Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Ivajlo Kirov, ka komentuar nga Pusteci zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te protestat dhe çështja e arrestimit të kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Kirov theksoi se, si diplomat i huaj, nuk mund të komentojë çështjet e brendshme politike të Shqipërisë, ndërsa shtoi se e drejta e qytetarëve për të protestuar duhet të respektohet.
“Siç e dini, nuk është e pranueshme që një diplomat i huaj të komentojë çështjet e brendshme politike në Shqipëri. Është e drejtë e njerëzve të protestojnë, nga ana tjetër ajo duhet të jetë në përputhje me sistemin politik të Shqipërisë”, u shpreh ambasadori.
Read more:Nis protesta e 117 kombëtare kundër qeverisë
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj kreut të SHISH, Kirov tha se çështja është ende në fazat e para dhe se nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës.
“Po më vendosni në një situatë që të komentoj diçka të brendshme të Shqipërisë, jo të Bullgarisë. E dyta, si jurist, pasi kjo është dega që unë kam mbaruar, çështja është ende në fazën e parë, nuk ka përfunduar dhe nuk ka marrë vendim nga gjykata. Kështu që është e kotë të komentojmë diçka tjetër”, deklaroi ai.
Ambasadori bullgar theksoi gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë, duke u shprehur se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në dhënien e një vendimi nga gjykata.
“Çdokush është i pafajshëm derisa të jepet vendimi”, tha Kirov.




